Drejtësia

Vrasja e policit në Lezhë, ILD kërkon ndëshkimin e dy prokurorëve

Gazeta Si - Inspektorati i Lartë i Drejtësisë i ka kërkuar Këshillit të Lartë të Prokurorisë të ndëshkojë me masë disiplinore prokurorët Milan Laskaj dhe Françesk Ganaj.

Rasti lidhet me vrasjen e nënkomisarit të policisë Saimir Hoxha nga i riu Aldi Rama, i cili në momentin e ngjarjes së rëndë duhet të ishte në ‘arrest shtëpie’, pasi ishte kapur më herët duke trafikuar lëndë narkotike.

Në kërkesën drejtuar KLP-së ai i thotë se këta prokurorë nuk dorëzuan në kohë materialet në gjykatë për të riun Aldi Rama i arrestuar për çështje droge. Nisur nga kjo, 21-vjeçari fitoi lirinë për shkaqe procedurale.

Në fund të hetimeve, ILD ka rekomanduar vërejtje publike për dy prokurorët që sipas Inspektorit kanë zvarritur hetimet për të riun përpara se ai të kryente vrasjen.

Saimir Hoxha u vra në Kune Vain, ku Rama i cili ndodhej në makinë bashkë me dy shokët e tij u ndaluan nga tre efektivë të cilët po ktheheshin nga operacioni për asgjësimin e lëndës narkotike.

Në momentin e ndalimit, ai u gjend përballë Hoxhës, të cilin pasi refuzoi t’i jepte një mjet identifikimi, e qëlloi me dy plumba, njëri prej të cilëve e kapi në zemër, duke i shkaktuar vdekjen.

Më pas Rama u fsheh për disa orë në zonë, ku dyshohet se qëlloi ndaj vetes. Ai u dërgua në spitalin e Traumës në gjendje të rëndë dhe ndërroi jetë mëngjesin e nesërm.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë