Ka ndodhur

Aldi Rama përcillet në banesën e fundit në Durrës, në funeral edhe i ati

Familjarët e paktë të Aldi Ramës, i cili u vetëvra pak orë pasi qëlloi për vdekje nënkomisarin Saimir Hoxha, i kanë dhënë lamtumirën e fundit 21-vjeçarit këtë të enjte rreth orës 14:00.

Gjyshërit me të cilët ai është rritur dhe xhaxhai i tij, nuk kanë pranuar të tërheqin trupin e 21-vjeçarit për ta varrosur në Lezhë.

Mamaja e tij, Valbona Kolgjini ka hapur dyert e mortit në Durrës dhe familjarë të tjerë kanë shkuar për ngushëllim në shtëpinë e saj. Ndërkohë ka mbërritur në Shqipëri edhe babai i Aldi Ramës, Rufan Rama i cili jetonte në Greqi.

Aldi Rama dhe mamaja e tij

Duke folur për mediat, babai i 21-vjeçarit, tha se nuk kishte kontakte me djalin e tij, pasi ai jetonte në Greqi, ndërsa i biri kishte vendosur të jetonte me gjyshërit e tij në Lezhë.

Prindërit e 21-vjeçarit ishin divorcuar vite më parë dhe sipas miqve e familjarëve të tyre, ky ishte shkaku se përse Aldi i kishte përfunduar në këtë situatë.

Babai i Aldi Ramës (në mes)

Nëna e tij, e cila jeton në Durrës pas ndarjes së bashkëshortit, ka reaguar për herë të parë pas vdekjes së të birit në rrjetet sociale, duke publikuar një foto të Aldit. Ndërsa në foton e profilit në Facebook, ka vendosur një shirit të zi për nder të kujtimit të të birit.

Trupi i të riut, u transportua nga morgu i spitalit drejt Durrësit falas nga agjencia funerale, aty ku jetonte e ëma dhe i vëllai.

Makina e policisë në zonën ku banon mamaja e Aldi Ramës në Durrës

Ndërkohë, një makinë policie ka patrulluar përreth zonës ku banon gruaja për të shmangur ndonjë konflikt të mundshëm.

Edhe më parë, 21-vjeçari njihej si një person problematik. Ai kishte pasur precedent të mëparshëm penalë. Që në moshën 18-vjeçare kishte rënë në prangat e policisë fillimisht për lëndë narkotike.

Ditën kur kreu vrasjen, i riu duhet të ishte në “arrest shtëpie”, masë e vendosur ndaj tij që prej muajit maj të këtij viti, pas lirimit nga qelia.

Rama ishte arrestuar në dhjetor, pasi u kap me kanabis dhe pas disa muajsh gjykata kishte zbutur masën e sigurisë ndaj tij.

Dy ditë më parë, ai ekzekutoi për vdekje nënkomisarin e Lezhës, Saimir Hoxha dhe pas 6 orë ndjekje nga policia, është vetëplagosur fillimisht, duke ndërruar jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Aldi Rama

Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë