Politike

Nënkomisar Saimir Hoxha, Qeveria e shpall Dëshmor, Meta e dekoron dhe Basha akuzon (FOTO)

Qeveria vendosi të shpallë “Dëshmor të Atdheut” nënkomisar Saimir Hoxhën, të rënë në krye të detyrës ditën e martë në zonën e Lezhës gjatë një operacioni kundër kultivimit të hashashit.

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ka zhvilluar homazhe në Pallatin e Kongreseve në nder të nënkomisarit të Policisë së Lezhës Saimir Hoxha i vrarë një ditë më parë në krye të detyrës.

Rama u shpreh në një deklaratë për mediat se fëmijët e Saimir Hoxhës do të marrin 170% të pagës së të atit deri në moshën 18-vjeçare.

“Është një çast i rëndë për të gjitha forcat tona të Policisë ë Shtetit dhe për shoqërinë, por mbi të gjitha për familjen. Duke i shprehur ngushëllimet familjes dhe të gjithë kolegëve që e kanë njohur nga afër këtë dëshmor të ri të atdheut, e shoh të udhës të bëj me dije që qeveria sot ka vendosur mbështetje financiare të konsiderueshme për familjen dhe do të hyjë në fuqi ligji për fëmijët nën kujdesin e Republikës".

Sipas Ramës, "fëmijët e të ndjerit do marrin 170% të pagës së tij deri kur të arrijnë në moshën e pjekurisë. Nuk ka mbështetje material që kompenson këtë, por detyra e shtetit është që fëmijët e dëshmorëve që japin jetën në krye të detyrës të mos mbeten vetëm por të ndihen të mbështetur për të hyrë në rrugën e jetës së tyre, duke qenë krenar por edhe për atë që babai shërbeu deri në minutën e fundit”, tha kryeministri.

“Morëm vendimin për shpalljen “Dëshmor i Atdheut” të nënkomisar Saimir Hoxhës. Qeveria mori vendim për trajtimin e menjëhershëm financiar të familjarëve. Me marrjen e titullit, kur të hyjë në fuqi ligji i ri që miratuam në mbledhjen e parë të kësaj qeverie ata do të trajtohen, posaçërisht fëmijët si fëmijë në përkujdesje të Republikës. Kjo do të thotë se fëmijët do të marrin një trajtim deri në 18 vjeç dhe nëse vijojnë shkollën e lartë deri në 25 vjeç do të marrin pagë prej 170% të pagës së nënkomisarit”, deklaroi po ashtu edhe ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.

Ndërkohë Presidenti Ilir Meta i akordoi “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” me motivacion "Për kontributin e dhënë në shërbim të Policisë së Shtetit, si dhe në vlerësim të trimërisë së treguar gjatë kryerjes së detyrës, duke mos kursyer as jetën e tij në luftën kundër krimit të organizuar për të garantuar rendin dhe sigurinë publike".

Presidenti, që mori pjesë në homazhet e zhvilluara në Pallatin e Kongresve ku fjalën para mediave e shfrytëzoi për të përcjellë mesazhin se ky duhet të jetë një moment reflektimi.

“Është një moment reflektimi për një luftë frontale kundër krimit të organizuar, por edhe dekurajimin e krimit ordiner, sikurse është prioritet lufta kundër trafikut të drogës, atyre që jo vetëm përfitojnë prej saj, por edhe për të shpëtuar sa më shumë të rinj e fëmijë që për fat të keq bien pre e këtij fenomeni shkatërrimtar që janë përgjegjës për akte të tilla që tronditin një shoqëri të tillë. Është momenti për të mbështetur më shumë policinë në këtë luftë”, tha Presidenti.

Homazhe zhvilloi edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Ai tha se policia sot është e braktisur nga Qeveria në luftën e përditshme ndaj krimit të organizuar dhe krimit ordiner.

"Sot nuk është dita për të ngritur gishtin e përgjegjësisë, por si drejtues i dikurshëm i tyre ju them se dhimbjen e tyre të përditshme për braktisjen dhe poshtërimin që ndjejnë, e ndjej përditë dhe se unë dhe Partia Demokratike do të bëjmë gjithçka që sakrificën e tyre, uniformën e tyre dinjitetin e tyre ta vëmë në vend një orë e më parë dhe hapi i parë për këtë do të jetë një shtet dhe një qeveri në krah të vëllezërve dhe motrave në uniformë të Saimir Hoxhës, në krah të policisë në krah të ligjit dhe kundër krimit. I paharruar qoftë kujtimi i tij", tha Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë