Brenda më pak se një muaj, shqiptarët mësuan dy norma të ndryshme inflacioni. Banka e Shqipërisë e mati 1.6%, por Eurostat, zyra e statistikave të Bashkimit Europian, ka raportuar se inflacioni në vendin tonë gjatë muajit qershor ka arritur në 2.2%.
Një çështje është besimi tek shifrat.
Cila është e vërtetë? Dhe Kush është më i besueshëm, BSH apo BE?
Por çështja nuk mbetet vetëm tek saktësia e shifrave por vlera në vetvete. Pasi 2% është kufiri i sipërm, objektiv i BSH që të mos kalohet.
Pyetja është a po kalon inflacioni, ose më saktë apo rriten çmimet përtej qëllimit?
Një përgjigje pse dalin shifrat ndryshe mund të jetë shporta e produkteve tek të cilat matet ndryshimi i çmimeve. Nëse është kështu atëherë dikush duhet t’i ndryshojë.
Pse ka rëndësi të dimë inflacionin?
Pas karantinës së vitit të kaluar, tani ekonomitë botërore po luajnë në fushën e inflacionit.
Të ndrydhur nga konsumi në karantinë, rritja e inflacionit si fillim sjell buzëqeshje për të gjithë sepse njerëzit po nisin të shpenzojnë. Por kjo sipas ekspertëve mund të zgjasë fare pak dhe pas buzëqeshjes vjen ngrysja e vetullave që e sjell hiperinflacioni.
Çfarë është hiperinflacioni?
Hiperinflacioni është tejkalimi i normës së synuar të inflacionit nga rritja e kërkesës së konsumatorëve, qarkullimi masiv i parasë si edhe politika të lira monetare.
Momentalisht, ekspertët botërorë po mundohen të ndalojnë një rrezik të tillë në të ardhmen, nxitur nga shpenzimi masiv, rritja e konsumit dhe politikat monetare të lehtësuara nga pandemia.
Kalimi mbi 2% i inflacionit në Shqipëri nuk shfaq tendenca të hiperinflacionit, por rreziku rrotullohet aty.
Ndaj duhet ta dimë saktë ku jemi…
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.