Ekonomi

Inflacioni i Eurostat, përsëri në kundërshtim me INSTAT

Inflacioni gjatë muajit gusht 2021, në Shqipëri arriti 2.7%, sipas metodës së Eurostat, duke kaluar objektivin e Bankës së Shqipërisë, prej 2%.

Në kontrast, INSTAT e regjistroi inflacionin për të njëjtin muaj 2.4%, pra një rritje më të vogël të çmimeve se sa Eurostat.

Sipas metodologjisë së Eurostat rritja më e madhe e çmimeve prej 4.9% vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”, pasuar nga grupet “Komunikimi” me 2.8%, “Transporti” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 2.3% secili, “Pije alkoolike dhe duhan”, “Shëndeti” dhe “Argëtim dhe kulturë” me 1.1% secili, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1.0%, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0.7% dhe “Veshje dhe këpucë” me 0.3%.

Ndryshimi mujor i matur nga indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit ishte 0.2%. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 0.5%, pasuar nga grupi “Argëtim dhe kulturë” me 0.4%.

Inflacioni i Eurozonës matet mbi bazën e treguesit të IHÇK-së. Termi “i harmonizuar” nënvizon faktin që të gjitha vendet e BE-së zbatojnë të njëjtën metodologji në matjen e treguesit përkatës.

Nëngrupi “Fruta – Perime”, ka një peshë më të madhe te shporta e IHÇK-së (12.84% e shportës totale) sesa tek ajo e IÇK-së (8.44% e totalit).

Për shkak të këtij ndryshimi, kontributi i këtij grupi mallrash te totali është i barabartë me 2.5 pikë përqindje në rastin e treguesit IHÇK dhe me 1.2 pikë përqindje në rastin IÇK-së. Ndryshime të vogla në kontribute vihen re edhe në disa grupe të tjera, por jo në madhësinë e ndryshimit të rastit të mësipërm.

Në përfundim, nëngrupi “Fruta-Perime”, ka krijuar 1.3 pikë përqindje ose më shumë se 80% të diferencës së inflacionit të matur sipas dy treguesve (3.84% kundrejt 2.38%).

Zërat e shportave përkatëse në rastin e Shqipërisë. IÇK-ja përmban 332 zëra; IHÇK-ja përmban 331 zëra (qiraja e imputuar nuk është element i shportës).

Edhe më herët gjatë këtij viti, inflacioni i Eurostat dhe ai i Instat, patën përplasje dhe nuk tregonin nivele të njëjta. Banka e Shqipërisë, lidhur me këtë fakt, pyetur nga Gazeta “SI”, tha se përgjegjësia është e Instat dhe se BSH-ja nuk mund të japë një përgjigje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë