Lajme

Koço Qëndro: KoKo-ja e Harpagonit 91-vjeçar

Suadela Balliu - “Nuk e diti Molieri se Harpagonin e tij, e paskësh pasur në Korçë! ”, kështu do e vlerësonte dikur ambasadorja e Francës në Shqipëri interpretimin e aktorit, që vishte petkat e Koprracit të Molerit qysh prej vitit 1976.E ka veshur sërish rrobën e cingunit gjashtëdhjetëvjeçar, që dramaturgu frëng e shkroi në shekullin e 17 –të për edicionin e pestë të Festivalit të Komedisë në Korçë, i cili nisi më 1 shtator dhe, deri më 8 shtator, ka programuar tetë shfaqje komedie për publikun vendas.Me zërin e holluar, flokët e bardhë të shpupuritur, kurrizin pak të dalë, mustaqen e hollë që ia shton edhe më shumë shprehjen e ngulitur të koprracisë, Harpagoni vjen sërish i gjallë në mjeshtërinë e Koço Qëndros, i cili me kohë  e ka kaluar moshën e personazhit,  që dashuron më shumë paratë sesa fëmijët e tij.

Aktori 91 -vjeçar Koço Qëndro dhe aktorja Zamira Kita, në videon prezantuese të edicionit të pestë të KoKo Fest. 

Jo vetëm si një prej roleve emblematike, të cilin në karrierën e tij e ka interpretuar afro treqindepesëdhjetë herë, në një prej shfaqjeve që ka shënjuar historinë botërore të gjinisë së komedisë, por ky edicion i pestë mendoi t’i mirëpriste  dashamirësit e teatrit dhe të të qeshurave drejt Korçës,  me një prej figurave më të rëndësishme të teatrit të Korçës. Është nëntëdhjetenjë vjeç dhe energjinë për të interpretuar e ka si të një të riu, ndërsa përvoja e thuajse shtatëdhjetë viteve në skenë e vesh me atë aurë, që të rrallë janë ata që e kanë.Një aktor nuk mund të dalë kurrë në pension dhe Qëndro nuk reshti së ngjituri mbi skenë edhe pas viteve ’90, kur i kishte kaluar dyzet vjet aktivë në teatër, ndërsa tani që ka shkelur në dhjetëvjeçarin e një shekulli jetë e ka sfiduar moshën si një shembull i gjallë se,  vitet janë thjesht numra.

Qëndro vishet si Harpagoni, pasi e ka interpretuar afro 40 vjet skenë.

Megjithëse sinonim i teatrit të Korçës, Koço Qëndro është delvinjoti i birësuar prej “Parisit të vogël”. Lindi në fshatin Senicë, të Delvinës, në vitin 1927 dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur ishte vetëm pesëmbëdhjetë vjeç do u bashkohej partizanëve që luftonin për çlirimin e vendit. Prej maleve do të futej në radhët e ushtrisë, do të gradohej oficer dhe për njëmbëdhjetë vjet do të kryente detyra politike, kryesisht në fushën e rinisë dhe të kulturës. Detyra e desh të caktohej në Korçë, në sektorin e kulturës dhe kështu ushtaraku do i linte vendin lindjes së aktorit.Në vitin 1952 ishte Sër Endrju në “Nata e Dymbëdhjetë” e Uilliam Shekspirit, në Teatrin Andon Zako Çajupi, me regji të Sokrat Mios, rol që do e interpretonte sërish nën regjinë e Pirro Manit, kur i sapokthyer nga studimet në Moskë do të niste punën si regjisor në teatrin e qytetit të tij të lindjes.Në fillim të viteve ’60, do të ishte një prej themeluesve të Estradës Profesioniste të Korçës, me të cilën luajti më shumë se njëqindenjëzet premiera derisa, në prag të ndërrimit të regjimit politik, do të dilte në pension.

Qëndro në një prej shfaqjeve të "Koprraci"

Harpagoni te “Koprraci” i Molierit, me regjinë e Dhimitër Orgockës, u bë edhe kuintesenca e lojës së tij aktoriale. Tridhjetë vjet më vonë, pas shfaqjes së parë, më 2004-ën do të vlerësohej si aktori më i mirë në festivalin Ballkanik të Teatrit. Kur e pyesnin si i dukej ku e interpretoi për herë të parë plakun cingun, do të thoshte se i dukej se Molieri dhe Harpagoni, lart nga mali Moravë e shihnin dhe e gjykonin interpretimin e tij, aty poshtë, në fushën e Korçës. Jo vetëm i Korçës; Harpagonin e shëtiti thuajse në të gjithë vendin, ku pa të njëjtin sukses dhe vlerësim nga spektatorët.Filozofia e gjithë atyre viteve punë, për Qëndron nuk ishte ta vishte sipërfaqshëm rolin, por t’i futej thellë, nën lëkurë, në mendime. Do i vëzhgonte me imtësi sesi silleshin koprracët korçarë përpara se ta interpretonte një të tillë në skenë.Ishte ndoshta ky sekret dhe mjeshtëri që do e bënte të vlerësohej aq shumë nga juria në Festivalin e Teatrit në Stamboll, ku merrnin pjesë edhe 27 trupa teatrore nga e gjithë bota.

Përkrah karrierës teatrore, Qëndro do të provonte edhe magjinë e kinemasë, duke gdhendur role, që edhe pse episodikë, mbahen mend ende sot.Do të luante Shefedinin tek filmi “Përballimi”, ndërsa “Vendimi” e donte të ishte Aleks Xixa. Në mënyrë paradoksale, dikur partizani do të bëhej ballist në filmin “I teti në Bronz”, më pas në filmin “Agimet e Stinës së Madhe” do të luante rolin e Leksit dhe kryeplakun e fshatit në filmin “Tri ditë nga një jetë”.

Kontakti i vazhdueshëm me dramaturgjinë botërore, zgjuan tek Qëndro dellin e të shkruarit, ku ai i preku thuajse të gjitha gjinitë e letërsisë nga tregimet e shkurta me “Të fshehtat e misionit të panjohur” , tek satira në “Pse kështu gjeçi belanë”', për të kaluar te drama e komedia me tituj si “Legjenda e Shpatave”, “Heroizmat e Pikaloshit”, “Vëzhgim me mikroskop” dhe “Disko Harpagoni”. Ai gjithashtu shkroi skeçe dhe pjesë për fëmijë për teatrin korçar. Si një enciklopedi e gjallë e historisë së teatrit të Korçës, ai shkroi edhe libra historikë dhe monografi si “Dhora jonë”, “Njëqind vjet teatër shqip në skenën korçare” “Artistet e skenës korçare” , ku ka rrëfyer kontributin një shekullor të grave në skenë dhe më të fundit, të cilin e botoi në ditëlindjen e tij të nëntëdhjetenjë “Vlerat në skenën e Teatrit Profesionist Korçar 1950-1990”.

https://www.facebook.com/teatri.korce/videos/881598795561339/

Të denjë për një festival komedie, organizatorët jo më kot zgjodhën koprracin më të madh të të gjithë kohërave për të grishur publikun të blinte biletën, por edhe - siç do të shkruante drejtoresha e teatrit Andon Zako Çajupi, Zamira Kita - si një falënderim për artistin që e ka sjellë përsosur Harpagonin e Molierit për publikun shqiptar në më shumë se  dyzet vite.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë