Ëndrra e të gjitha këngëtareve lirike është të shkelin njëherë mbi të famshmin Teatro alla Scala-n të Milanos. Enkeleda Kamani, sopranoja nga Shqipëria jo vetëm që e arriti në një moshë të re, por ia doli të renditej e para mes gjashtë finalistëve të Akademisë së këngëtarëve Operistikë.
Viti i kaluar, që e çoi botën në një gjendje të panjohur pasigurie dhe frike, qëlloi në mënyrë paradoksale të ishte viti i shpërthimit të sopranos shqiptare në teatrot e Italisë. Roli i fundit, para se qeveria italiane, si shumë të tjera në Europë dhe në botë prezantuan masat e ashpra të karantinës, ishte ai i Lucias në “Lucia di Lammermoor” të Donizetti-t. Dalja nga izolimi e riktheu shpejt Kamanin në dritat e skenës, në rolin e Oscar-it tek opera “Një Ballo me Maska”.
“Të mund t’ia rinis pas gjithë këtyre muajve me një opera, me të cilën jam dashuruar me dëgjimin e parë, me një kastë të jashtëzakonshëm, në Teatrin e bukur del Maggio e, mbi të gjitha të mund të ndiej edhe njëherë emocione të forta, adrenalinën e skenës dhe dashurinë e publikut, më ngjau sikur po jetoja edhe njëherë një ëndërr”, shkruante sopranoja pas premierës, duke shtuar në gjuhën italiane “Viva la musica!”
Ndonëse në shumë vende teatrot i çelnin dyert me frikë, në atdheun e Operas, Enkeleda nuk e ndali hapin për 2020-n, me Rigoletto apo la Serva Padrona, deri në ditët e fundit të dhjetorit.
Rikthehet në këtë sezon me rolin e Gilda-s, në “Rigoletto”, në 120 vjetorin e kompozitorit Giueppe Verdi. Një prej roleve më të dashur, siç thotë ajo.
Rikthimi tek të kënduarit, nuk qe i lehtë, rrëfente në rrjetet sociale, ndërsa i duhet të përshtatet me realitetin e ri, që shpesh i kalon shfaqjet në live streaming, ku duartrokitjet e publikut përkthehen në “views” të platformave online. Thotë se kohëve të fundit ka qenë pjesë e shumë produksioneve online, por të paktën është ngjitur mbi skenat e teatrove. “Ne si artistë kemi nevoje për publikun, për adrenalinën, për energjinë e tyre”, rrëfen në këtë intervistë për Gazeta Si. Për të, Opera duhet shijuar dhe përjetuar live. “Nuk krahasohet asnjëherë emocioni qe transmetohet dal vivo me atë të regjistruar”.
Transmetimet online, mendon sopranoja, duhen vlerësuar si një formë që i sjell tek publiku, por është një realitet që nuk mund të vazhdojë gjatë. Vendi i publikut është në sallë, për të shijuar përsëgjalli magjinë e muzikë operistike, dramën e saj, të vuajë e të gëzojë me fatin e personazheve.
Mes pikëpyetjeve të mëdha sesi do të ngjajnë gjinitë e artit pasi lufta me koronavirusin të mbetet një kujtim në të shkuarën, duket se Opera ka një siguri se do t’ia dalë të mbretërojë, si gjithëherët, ku asnjë zhvillim teknologjik nuk arriti t’ia zbehë madhështinë e as ta zëvendësojë me forma të tjera…Rrugëtimi i sopranos shqiptare në Itali vijon, ndërsa kritikët shkruajnë se “një yll i ri ka lindur”.
Aktualisht je e angazhuar me Rigoletto. Një vit i rëndësishëm Verdian, në 120 vjetorin e vdekjes së tij. Si ndihesh në veprat e Verdit dhe konkretisht në rolin e Gilda-s?
Verdi është një nga kompozitorët më të rëndësishëm të muzikës operistike dhe sigurisht që ndihem me fat që, mundësitë e mia vokale më lejojnë të interpretoj disa nga rolet e tij. Sigurisht, kërkon studim dhe një përgatitje të caktuar profesionale dhe artistike për ta interpretuar në mënyrën e duhur.
Përsa i përket rolit të Gildës, është një nga rolet më të dashur për mua, kam një lidhje emocionale shumë të fortë me të dhe jam gjithmonë shumë e lumtur kur më propozohet për ta kënduar.
Një vit i vështirë për njerëzimin e veçanërisht për artin. Si e ke përjetuar 2020, nga izolimi e deri tek rihapja?
Pak para se të ‘izoloheshim’ isha në Verona me shfaqjet e Lucias dhe realisht nuk e kisha imagjinuar kurrë se çfarë na priste pas pak ditësh dhe, le të themi që, duke qenë diçka e panjohur dhe duke mos e kuptuar rrezikshmërinë që kishte ky virus, këtu në Itali e morëm pak ‘thjesht’, por që kushtoi shumë më vonë siç të gjithë e kemi parë.
Unë sapo e kuptova që situata po fillonte të bëhej serioze u ktheva menjëherë pranë prindërve në Shqipëri për të mos ndenjur vetëm dhe ishte vendimi më i mirë që mund të merrja, për më tepër që kisha vite e vite pa ndenjur aq gjatë me to. Sigurisht isha e lumtur që isha pranë familjes sime, por njëkohësisht më mungonte shumë teatri, muzika, publiku, kolegët, çdo gjë.
Si qe për ty dhe më gjerë për komunitetin artistik lajmi i rihapjes së teatrove, megjithë masat e shtuara anti-covid?
Anulimet e njëpasnjëshme të kontratave, mbylljet e teatrove për muaj ose vite, ishin lajme shume të trishtë për të gjithë ne. Derisa në verë, kur situata u normalizua disi, filloi rihapja e teatrove duke shfrytëzuar ambientet e hapura. Produksioni i parë mbas mbylljes ishte “Ballo me Maska” pikërisht në Firence, ku ndodhem aktualisht. Sigurisht, nuk ishte asgjë si më parë për shkak të masave të forta anti-covid, por të ngjitesha ë rish në skenë për të kënduar, me kolege fantastike e përballë publikut, ishte emocionuese deri në lot.
Nga Lucia di Lammermoor tek Ballo me Maska, pas rihapjes. Cilat ishin emocionet që të përshkuan ? A mund të shihej si një lloj fitoreje e artit mbi pandeminë?
Siç e shpjegova pak më sipër emocionet ishin shumë të mëdha, por ajo që ndihej më tepër ishte ‘etja’ jone për të qenë në skenë dhe ajo e publikut për të na parë në skenë.
Unë personalisht muzikën e mendoj si një element jetësor të njeriut, e cila ka një fuqi të jashtëzakonshme për të depërtuar në shpirtin dhe emocionet e çdokujt e pa të cilën nuk mund të jetohet dot dhe padiskutim që do t’i rezistojë çdo lloj vështirësie.
Duhet thënë që karriera jote ka parë një kulmim në periudhën 2019-2020, në kohë të vështira dhe sfiduese duhet thënë. Çfarë të ka shtyrë të ecësh përpara?
Më shtyn përpara pasioni, sakrificat dhe dashuria e madhe që kam për atë ç’ka bëj.
Nga Akademia e Arteve në Tiranë, në Akademinë e Teatrit alla Scala e tanimë një soprano që po i prek teatrot e Italisë, megjithë peshën e historisë së operas që ato mbajnë. Si e ke parë këtë rrugëtim deri më tani? A ndihesh si në shtëpi?
Në fakt, unë e kthej kokën shumë shpesh mbrapa për të mos harruar kurrë nga kam ardhur dhe për të vazhduar me e sigurt përpara.
Që në hapat e parë të këtij rrugëtimi e deri tani kam ndjekur disa parime, e para të punoj fort, e dyta të mos bëj kurrë kompromis me profesionin dhe e treta, të bej aq sa mundësitë e mia vokale më lejojnë.
Përpos këtyre, jam munduar që të hedh hapat e duhur në momentin e duhur (duke u bazuar gjithmonë në përgatitjen time profesionale) dhe gjithashtu kam pasur fatin që të takoj njerëzit e duhur dhe, mund të them që deri tani jam shumë e kënaqur.
Italia është padiskutim shtëpia ime e dytë. Sa më shumë jetoj e punoj këtu, aq më e fortë dhe e pandashme bëhet lidhja ime me të.
Cilat janë rolet që i shkojnë më për shtat vokalit, por edhe moshës tënde? Cilat janë rolet më të dashura në repertorin tënd deri më tani?
Një nga vështirësitë më të mëdha të një këngëtari lirik, është që të kuptojë se çfarë repertori i përshtatet zërit dhe moshës së tij. Unë, përveç guidës së mirë pedagogjike që kam pasur dhe që i jam shume mirënjohëse, fatmirësisht kam pasur edhe intuitën për të kuptuar se çfarë nuk duhet të bëj, çfarë është ‘shume’ per mua, sepse zëri është një instrument shumë delikat dhe që duhet përdorur me shumë, shumë kujdes.
Për momentin, por që do vazhdojnë edhe për shumë gjatë me siguri, disa nga rolet që i përshtaten vokalit tim janë: Gilda (Rigoletto), Adina(Elisir d’amore), Norina(Don Pasquale) Lucia(Lucia di Lammemoor) Susanna(Le nozze di Figaro) etj, etj. Se cili rol është më i dashur nuk e ndaj dot, por një debulesë shumë të madhe kam për Lucian.
Sa kohë të duhet të futesh në lëkurën e një personazhi dhe si e jeton personazhin ditë pas dite në skenë?
T’i japësh jetë dhe zë një personazhi është një nga proceset më të vështirë, por njëkohësisht që të jep më shumë kënaqësi. Para se të nis një produksion i kam gjithmonë idetë e mia (duke u bazuar në ndjesinë personale), por për ti konkretizuar më tepër dhe për t’i dhënë formën finale personazhit bëhet një punë shumë e madhe me regjisorin e shfaqjes.
A ke pasur një rol model në këtë profesion që ke zgjedhur? A ka qenë dhuntia në vokal apo një dashuri e jotja për kanton lirike që të shtyu drejt kësaj rruge?
Rol model nuk kam pasur dhe nuk kam, sepse mendoj qe secili prej nesh ka rrugëtimin e vet në jete.
Nëse nuk ke dhunti vokale nuk mundet ta vazhdosh dot këtë profesion sado dashuri të kesh. Kam filluar të këndoj që në moshe fare të vogël, në fillim këngë për fëmijë, pastaj muzikë të lehte e atë popullore. Aktivizohesha rregullisht në festivale të ndryshme, derisa në moshën 14 vjeçare vendosa të konkurroj në Liceun Artistik. Në fillim isha pak konfuze sepse nuk e njihja mire muzikën klasike. Ishte një botë e re për mua, por sa më shumë e zbuloja ndër vite, aq më shumë e dashuroja dhe nuk jam shkëputur më asnjë moment prej saj.
Ajo që spikat tek ti, le të themi, është një ambicie e madhe për të dalë e parë, për të qenë fituese. Ke spikatur në rezultate në Akademinë e Arteve , në Festivalin Marie Kraja, arrite të dallohesh në Akademinë La Scala. A mendon se ambicia, përpos talentit, është çelës për sukses në këtë profesion?
Varet se çfarë ambiciesh ke në jete, unë jam për atë pozitiven që ke me veten tënde pa cenuar askënd, por më tepër se ambicie, që të ecësh përpara e të kesh sukses të ndihmon puna e palodhur, sakrificat e mëdha, kurioziteti për të mësuar sa më shumë dhe përulësia.
Jo vetëm pandemia, por edhe zhvillimi teknologjik duhet se po e riformaton botën që njihnim deri tani. A e mendon se këngëtarët lirikë do të duhet të gjejnë mënyra të reja qasjeje ndaj publikut, ku performancat online po shtohen ose në disa vende janë edhe e vetmja alternativë shfaqjeje?
Ky është diskutimi i vitit ne fakt dhe do më duhej shumë kohë për ta diskutuar gjerë e gjatë, gjithsesi. Këto kohët e fundit kam bërë shumë produksione dhe të gjitha kanë qenë online. Së pari dua të falënderoj drejtuesit e teatrove që pavarësisht kushteve aspak normale për askënd kanë vendosur gjithsesi të mos i mbajnë mbyllur teatrot dhe të shkojnë përpara duke mare përsipër risqe shumë të mëdha, por ne si artistë kemi nevoje për publikun, për adrenalinën, për energjinë e tyre. Opera duhet shijuar dhe përjetuar live, nuk krahasohet asnjëherë emocioni qe transmetohet dal vivo me atë të regjistruar.
Streaming është absolutisht një zgjidhje optimale për momentin që duhet vlerësuar shumë patjetër por nuk mund te vazhdoje për një kohë shumë të gjatë.
Mendon se opera, e cila i ka rezistuar deri më tani kohërave dhe është përshtatur me to, por pa u zhdukur, do të mbretërojë në teatër dhe skenë dhe nuk do të zëvendësohet dot?
Opera sigurisht që është e pazëvendësueshme dhe do ‘mbretërojë’ për shume e shume vite të tjera. Dhe për ta mbyllur, uroj me gjithë zemër që ta kalojmë këtë situatë e t’i kthehemi sa më shpejt normalitetit tonë që na mungon aq shumë, duke pasur gjithmonë prioritet shëndetin. Intervistoi. S.B/ Gazeta Si.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.