Portofol

Minatorët peticion parlamentit dhe qeverisë për Statusin e tyre

Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës ka nisur sot, të hënën marrjen e firmave për një peticion drejtuar Parlamentit dhe Qeverisë për Statusin e Minatorit.

“Statusi i Minatorit ka qenë prej vitesh një nga kërkesat tona kryesore, si profesioni më i vështirë dhe më i rrezikshëm. Për 30 vite jemi zvarritur e mashtruar nga partitë dhe sindikatat e vjetra. Na kanë premtuar vetëm për vota dhe interesat e tyre, por përpjekja për Statusin nuk ka ardhur kurrë nga vetë minatorët. Pas shumë diskutimesh me minatorë dhe ish-minatorë, me qytetarë dhe dashamirës, kemi vendosur që bashkërisht të nisim një peticion drejtuar Parlamentit dhe Qeverisë për miratimin e Statusit.”- thotë Sindikata.

Sindikata thotë se Statusi i Minatorit është shpresa e madhe e minatorëve.

“Qeveria aktuale, e cila erdhi në pushtet me bujë të madhe me zotimin që do nxirrte minatorët nga skllavëria, nuk ka bërë asnjë përpjekje për miratimin e Statusit. Përkundrazi, i ka penguar disa iniciativa në këtë drejtim. Mburrjet e partisë në pushtet, Partisë Socialiste, lidhen me uljen e moshës së pensionit në 55 vjeç për punëtorët e nëntokës (ligji i vitit 2014) dhe ligjin suplementar për pensionet (ligji i vitit 2019). Në të vërtetë, këto dy gjëra nuk kanë pothuajse asnjë lidhje me Statusin e Minatorit. Minatorët sot dalin në pension 55 vjeç, por pensioni i tyre është i pjesshëm dhe aspak dinjitoz për llojin dhe vështirësinë e punës. Ndërsa shtesa në pensione, në bazë të vjetërsisë në nëntokë, përfitohet vetëm në moshën 65-vjeçare. Nëse marrim parasysh jetëgjatësinë mesatare të minatorëve, që fatkeqësisht nuk është shumë e lartë, duket që qeveria është tallur sërish me punëtorët e profesionit më të vështirë.”- thotë ajo.

Minatorët e Bulqizës gjatë një proteste do kohë më parë

Minatorët kërkojnë:

- përmirësimin e kushteve dhe sigurisë në punë;

- sigurimin e jetës së minatorëve dhe dëmshpërblimin familjeve në raste vdekjesh në vendin e punës;

- sigurimin në raste aksidentesh;

- rritjen e pagave;

- sigurimin në raste papunësie;

- uljen e moshës së pensionit dhe vjetërsisë në punë;

- rritjen e pensioneve në një masë dinjitoze;

- kontrolle mjekësore falas;

- trajtimin shëndetësor falas për sëmundjet profesionale, etj.

Minatorët mendojnë se këto kërkesa mund të plotësohen me marrjen e statusit të minatorit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë