Politike

Basha me mjekët: Po fshihen të dhënat e Covid-19. Dhjetëra raste nuk raportohen

Pak orë pasi Edi Rama deklaroi se rezultatet e testimeve që publikohen nga Ministria e Shëndetësisë nuk janë të manipuluara, Lulzim Basha akuzon se numri i të infektuarve dhe ai i fataliteteve nga Covid-19 është shumë herë më i lartë.

“Dje, kam kontaktuar me të sëmurë që kërkonin mbështetje për gjendjen ku ishin. Numri i fataliteteve shumë më i lartë se ai i raportuar. Kam informacione për dhjetra raste të paraportuara nga autoritetet”, deklaroi kreu i PD-së.

Basha zhvilloi një bashkëbisedim me mjekë familjeje dhe specialistë të shëndetësisë në ambientet e seliës së Partisë Demokratike. Në këtë takim, mjekët e pranishëm ngritën problematika, sipas tyre, të mëdha me të cilat po përballet sistemi shëndetësor.

Ata thanë se rastet me Covid-19 janë aq shumë sa detyrohen që t’i orientojnë qytetarët në drejtim të spitaleve private për të bërë skanerin e mushkërive dhe folën për mungesa në pajisje logjistike dhe mjete mbrojtëse që të mos infektohen vetë.

“Nuk kemi oksimetër për të matur saturimin me oksigjen. Në qëndrat shëndetësore nuk bëhet asnjë analizë që zbulon praninë e COVID. Të gjitha mjetet mbrojtëse i blejmë vetë dhe mungesat janë si për ne, ashtu edhe tek pacientët”, thanë mjekët në bashkëbisedimin me Bashën.

Po ashtu, mjekët thonë se rezultati i testimeve zvarritet për ditë me radhë dhe gjatë periudhës së pritjes kontakteve të pacientëve që rezultojnë pozitiv nuk u bëhet tamponi.

Një tjetër problematikë që mjekët ngritën në takimin me Bashën është përdorimi i të njëjti protokoll mjekimi për të gjithë pacientët, pa u thelluar në rastet kur pacientë të ndryshëm mund të kenë patologji të tjera dhe historik klinik të ndryshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë