Qeveria thotë se shifrat në rritje të rasteve të reja me koronavirus janë brenda parashikimeve të saj dhe strategjisë së miratuar gjatë muajve të verës për përballimin e situatës në vjeshtë-dimër.
Kryeministri Edi Rama foli këtë të martë duke rrëzuar akuzat e Lulzim Bashës se spitalet janë në kolaps. “Spitalet janë larg të qënurit në kolaps. Ne po bëjmë gjithçka dhe askush tjetër, askund nuk po bën më shumë se ne”, deklaroi ai.
Rama hodhi poshtë edhe akuzat e opozitës se shifrat e testimeve ditore janë të manipuluara dhe se tek to Ministria e Shëndetësisë përfshin edhe testimet e kryera në privat. Ai tha se tek numri i testimeve përfshihen vetëm testimet e kryera nga institucionet shtetërore, ndërsa rezultatet e spitaleve dhe laboratorëve privatë përfshihen vetëm tek raportimi i rasteve pozitive.
Kreu i Qeverisë paralajmëroi se shumë shpejt në vend do të hyjnë ato që njihen si testime të shpejta. Arsyen e mosfutjes së tyre deri më tani Rama nuk e lidh me pamundësinë e Qeverisë për t’i siguruar këto teste.
“Ne nuk kemi teste të shpejta, jo sepse nuk i gjenim dot, por sepse është parë e arsyeshme që të testohet vetëm me PCR. Testimet e shpejta do të hyjnë së shpejti në proces. Ky nuk është justifikim, unë thjesht bëj atë që sugjerojnë ekspertët dhe kam besim absolut te ata njerëz”, tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




