Arsim

Si mund të zhvillohet mësimi online për shkollat profesionale

Projekti “Aftësi për Punë” (S4J) i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim e Bashkëpunim (SDC), i cili zbatohet në Shqipëri nga organizata Swisscontact, sugjeron disa masa për qeverinë shqiptare me qëllim zhvillimin optimal të mësimit profesional në kushtet e Covid-19.

Duke marrë parasysh që në 2019, 32% e nxënësve në arsimin profesional (totali 19,500) raportonin mungesën e internetit në banesën e tyre, grupi i punës sugjeron lidhje me internet për çdo mësues e nxënës në arsimin profesional. Rishikimin e prioriteteve strategjike nga ofruesit e arsimit, në kushtet e një realiteti që ndryshon vazhdimisht brenda vitit 2020.

Po ashtu është e rëndësishme pajisje kompjuterike për çdo mësues dhe nxënës në arsimin profesional. Për mësuesit nevojitet laptop ose desktop në shtëpi, ndërsa tabletat janë opsion i mirë për nxënësit. Për këtë, mund të aplikohet një formë kredie studentore (brenda vitit akademik 2020-2021). “Bring-Your-Oën-Device” (BYOD) – “sillni pajisjen tuaj kompjuterike” duhet të kthehet në normë, ndërkohë që telefonat celularë duhet të lejohen në klasë.

Sugjerohet një infrastrukturë për akses në internet në shkollat profesionale: Kryesisht përmes rrjetit pa kabllo (wi-fi).

Është e domosdoshme përgatitja e materialeve didaktike digjitale për të mundësuar mësimin online si pjesë e mësimit të kombinuar. Mësuesit duhet të trajnohen për të përshtatur materialet ekzistuese ose për të zhvilluar materiale të reja dhe shkëmbejnë përvojat mes tyre për të garantuar cilësinë. Kompanitë që prodhojnë libra duhet të sigurojnë edhe kopje elektronike (kryesisht kultura e përgjithshme).

Grupi i punës thotë se projekti i tyre “Aftësi për Punë” po teston modele, por nuk ka ende një parashikim për këtë.

Ata sugjerojnë që platformat për mësim online të përdoren si mjedis mësimor në arsimin profesional. Mësovet.al, platforma e zhvilluar nga projekti “Aftësi për Punë”, po pasurohet shpejt me materiale digjitale. Në vijim, agjencitë kombëtare do të vazhdojnë punën e projektit. Ndërkohë, mësuesit duhet të identifikojnë dhe promovojnë edhe platforma të tjera.

Sipas tyre trajnimet e vazhdueshme për mësuesit, kryesisht online, në aspekte pedagogjike të mësimit online dhe në distancë si pjesë e mësimit të kombinuar, rikonceptimin e planeve mësimore (që reflektojnë kontekstin e ri), përdorimin e pajisjeve dhe platformave të mësimit online dhe zhvillimin e materialeve didaktike digjitale për mësim online; janë kthyer në domosdoshmëri.

“Aftësi për punë” sheh po ashtu të domosdoshme në këtë situatë partneritet me kompani lokale që nxënësit të kryejnë praktikat profesionale në biznes, iniciativë e drejtuar nga Njësia e Zhvillimit në shkollat profesionale. Kjo kërkon edhe trajnimin online për instruktorët në kompani.

E rëndëishme për ta është gjithashtu rishikimi i protokolleve të monitorimit të brendshëm, inspektimit dhe garantimit të cilësisë. Kjo kërkon që të nisë një debat kombëtar për rikonceptimin e parimeve për garantimin e cilësisë në arsimin profesional.

Grupi i punës rekomandon që bibliotekat e shkollës transformohen në infoteka duke kontribuar në nismën për mësimin e kombinuar. Mësuesit e letërsisë ua kalojnë stafetën mësuesve me aftësi digjitale të avancuara.

Transformimi digjital si një strategji për zbutjen e rreziqeve

Deri tani, në ato pak raste kur institucionet arsimore kanë investuar në transformime digjitale, e kanë parë këtë si një mundësi për të përmirësuar praktikat pedagogjike dhe eksperiencën e nxënësve. Sipas tyre, tani e tutje, shkollat duhet të marrin parasysh mundësinë që nxënësit mund të mos lejohen në shkollë fizikisht për periudha të zgjatura kohore, duhet të përgatiten që të sigurojnë vazhdimësinë e mësimit dhe t’i ndihmojnë të rinjtë të avancojnë. Institucionet arsimore që do të zhvillojnë kapacitetet e tyre digjitale, do mund të kapërcejnë më lehtësi këtë krizë dhe çdo krizë tjetër.

 “Aftësi për Punë” (S4J) është një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim e Bashkëpunim (SDC), cili zbatohet në Shqipëri nga organizata Sëisscontact. Ky projekt synon t’u ofrojë të rinjve shqiptarë cilësinë e lartë të arsimit e formimit profesional, dhe si rezultat i kësaj, një punësim të shpejtë e të denjë. Projekti mbështet 10 institucione të AFP-së në Shqipëri (32% të nxënësve në AFP) për të aplikuar mënyra të reja të të nxënit, krijuar marrëdhënie të ngushta me bizneset, ofruar praktika profesionale në kompani dhe për t’i ndihmuar nxënësit të kualifikohen për tregun e punës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë