Ekonomi

Koronavirusi godet ekonominë e Japonisë

Pas një tremujori të fundit të tmerrshëm të vitit 2019, ekonomia e Japonisë po përballet me rrezikun e një recesioni sepse shpërthimi i koronavirusit po godet rëndshëm turizmin dhe prodhimin. Ndërsa banka qëndrore e Gjermanisë i bëri thirrje qeverisë në Berlin që të përdorë tepricën e saj buxhetore për të nxitur rritjen ekonomike, një rrezik më i gjerë nga ngadalësimi ekonomik po afrohet.

Japonia, ekonomia e tretë më e madhe në botë pas SHBA-së dhe Kinës u kontraktua me një normë vjetore prej 6.3% në tremujorin tetor-dhjetor, e kjo më keq sesa parashikimi i ekonomistëve për një tkurrje ekonomik prej 3.9%. Arsyeja më e madhe ishte një rënie e mprehtë e konsumit privat pasi taksa kombëtare e shitjeve u rrit në në 1 tetor 10% nga 8%.

Disa ekonomistë, përfshirë zonjën Mari  Iwashita, thonë se Japonia mund të bjerë në një recesion teknik këtë tremujor e do të ketë tkurrje për dy tremujorë. Tkurrja në tremujorin tetor-dhjetor ishte e para në më shumë se një vit dhe më e madhja që nga tremujori Prill-Qershor i 2014-ës, e kjo ishte e hera e fundit që u rrit taksa e shitjeve.

Banka Qendrore Gjermane paralajmëroi të hënën se nuk sheh ndonjë shenjë përmirësimi në perpsektivën për rritje ekonomike gjatë tremujorit të parë të 2020-ës. Ekonomia e Gjermanisë, më e madhja e Europës ka bërë stanjacion për thuajse 2 vite teksa tensionet e tregtisë ndërkombëtare vazhdojnë e ndikojnë e më së shumti në sektorin e madh të prodhimit. Shpërthimi i koronavirusit në Kinë ka qënë një faktor shtesë me influencë negative.

Bundesbank u shpreh se një rënie e përkohshme në ekonominë e Kinës do të dëmtojë eksportet Gjermane. Gjithashtu, disa tregje të rëndësishëm të botës mund të ndikohen nga masat e marra për siguri. Kjo mund të sjellë pengesa të mëdha në shpërndarjen e produkteve apo shërbimeve në industri të caktuara.

Bundesbank i bëri thirrje qeverisë që t’a shpenzojë tepricën e buxhetit për të nxitur ekonominë, një ndryshim ky nga një institucion konservativ që gjer më parë kishte qënë kundër kërkesave internacionale që Gjermania t’i rriste shpenzimet.

“Dukshëm ka hapësira për manovrime në rregulloren e buxhetit të qeverisë”, shprehet Bundesabank në një raport mujor. “Kjo mund të përdoret për të përmirësuar konditat për rritje dhe punësim”, thotë dokumenti.

Singapori tha të hënën se po i ulte pritshmëritë e rritjes ekonomike për 2020-ën me nje tkurrje prej 0.5% ndaj 1.5% rritjes ekonomike. E kjo si rrjedhojë e përhapjes së koronavirusit që çoi në rënie të theksuar të numrit të turistëve në këtë vend. Në nëntor, para shpërthimit, qeveria e shtet-qytetit kishte parashikuar rritje shtesë ekonomike prej 0.5% mbi parashikimin e mëparshëm prej 2.5%. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në Singapor tha se ngadalësimi i Kinës do të ketë një ndikim në të gjithë Azinë Juglindore për shkak të ndërprerjeve në zinxhirin e furnizimit dhe uljes së kërkesës kineze për import.   

Zyrtarët e Malajzisë thanë të premten se qeveria do të njoftojë për një paketë stimulimi më vonë këtë muaj për të ndihmuar bizneset. "Theksi gjithashtu duhet të vihet në eksplorimin e të ardhurave alternative, siç janë zhvendosja drejt inkurajimit të turizmit vendas, dhe burimeve nga tregjet e tjera," tha Ministri i Financave Lim Guan Eng.     

Në Japoni, virusi ka goditur turizmin kinez dhe ndërpreu disa prodhime në vend që vareshin nga kompanitë kineze.

Shitjet te Mitsukoshi Holdings Ltd, kompani që ka nën ombrellën e saj disa qëndra tregtare me emër në Azi, në Tokio ranë me 20% përgjatë festave të Vitit të Ri Hënor midis 24 dhe 30 janarit krahasuar me vitin e kaluar. Këto festa që zakonisht kanë qënë një kohë e mirë për turizmin japonez, e kjo pasi turistët kinezë gjatë kësaj periudhe udhëtojnë jashtë shtetit, nuk ishin të mbara këtë vit.

“Shitjet ishin të mira gjatë gjysmës së parë të festave, por ranë gjatë gjysmës së dytë kur qeveria kineze implementoi ndalimin e tureve turistikë në grup”, tha një zëdhënëse e firmës Mitsukoshi. Produktet që patën më shumë impakt negativ ishin kozmetiket, bizhuteritë dhe çantat e femrave.
Kinezët, sipas të dhënave të Ministrisw së  Turizmit japonez për vitin e kaluar, zinin 37% të $ 44 miliardë shpenzimeve që realizoheshin nga turistët në Japoni.

Organizata ndërkombëtare e aviacionit civil përllogarit se Japonia mund të humbasë 1.29 miliardë dollarë nga të ardhurat e turizmit gjatë tremujorit të parë si rrjedhojë e më pak udhëtarëve kinezë. Në qëndër të Japonisë, në prefekturën Shizuoka, shtëpi e resorteve të banjave të ngrohta pranverore, më shumë se 90,000 turistë e kryesisht kinezë i kanë anulluar rezervimet në hotel gjer në muajin mars, sipas shoqatës së turizmit të prefekturës së Shizuokas.

Një tjetër goditje me impakt negativ për industrinë e turizmit ka qënë e shpërthimi i virusit në anijen e lundrimit në “Diamond Princess”, e cila është ankoruar në Yokohama dhe do të jetë në karantinë deri të paktën të Mërkurën. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë japoneze, të dielën plot 355 pasagjerë kanë rezultuar pozitiv me koronavirus në bordin e anijes.

“Dy çështjet kryesore në këtë situatë janë se kur fluturimet brenda dhe jashtë Kinës do të rinisin e nëse turistët që dëshirojnë të vizitojnë Japoninë ndihen të frikësuar si pasojë e ndonjë infektimi nga koronavirusi, e veçanërisht pas lajmit të përhapjes së virusit në kroçerë”, shprehet Katsuhiro Hashimoto, një zyrtar i shoqatës të Shizuoka.

Znj. Iwashita pret që ekonomia vjetore të reduktohet me 0.5% gjatë tremujorit të parë, por ky reduktim mund të jetë edhe më i keq nëse ngadalësimi i prodhimit në Kinë godet më shumë në numër fabrikat japoneze.

Kompania “Nissan Motor” uli prodhimin në një fabrikë në jug të Japonisë të Premten si rrjedhojë e mos dërgimeve nga Kina të pjesëve për të ndërtuar automjetet e saj. Disa ekonomistë po bëjnë thirrje për shpenzime qeveritare prej dhjetëra miliarda dollarësh në mënyrë që të kompensohen humbjet.

"Qeveria japoneze duhet të shprehë qëllimin e saj që të zhvendoset qartë drejt zgjerimit fiskal dhe të përgatisë masa të mëtejshme ekonomike duke lëshuar një sasi të madhe të bonove të reja qeveritare," tha Takuji Aida, një ekonomist i Societe General në Tokio. "Nëse ekonomia bie përsëri në një recesion të madh dhe dështon të dalë nga deflacioni, çdo rritje e taksave mbi shitjet do të ishte pothuajse e pamundur", shton ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë