Ekonomi

Anëtarësimi në SEPA, Mete: Shqipëria ka përfunduar fazën e para-aplikimit

Nga Gazeta 'SI' - Ministri i Financave Ervin Mete ka treguar se Shqipëria ka avancuar në rrugëtimin për t’u bërë pjesa e SEPA dhe ka realizuar procedurën e para-aplikimit.

“Shqipëria është në një fazë të avancuar sa i përket plotësimit të kritereve për anëtarësim në SEPA. Banka e Shqipërisë ka miratuar setin e rregulloreve të nevojshme dhe në fund të muajit të kaluar kemi përfunduar procedurën e para-aplikimit. Hapja e SEPA-s për vendet jo anëtare të BE-së, paraqet një mundësi unike për Ballkanin Perëndimor për uljen në mënyrë të konsiderueshme të kostove të pagesave brenda rajonit. Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor janë shumë të ndërlidhura me BE,” u shpreh ministri gjatë takimit me homologët e tij të Ballkanit Perëndimor.

Drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Negociatat e Fqinjësisë dhe Zgjerimit, KE, Znj. Valentina Superti, shprehu mbështetjen e saj për vendet e rajonit në lidhje me anëtarësimin në SEPA. “Do t’ju mbështesim për të avancuar me procesin, i cili sjell lehtësimin e tregtisë në rajon. Për ne është mjaft i rëndësishëm bashkëpunimi mes vendeve të Ballkanit në mënyrë që ata të kenë një rritje të eksporteve dhe të bëhen edhe më atraktivë sa i përket investimeve të huaja,” tha ndër të tjera Znj. Superti, duke veçuar se Shqipëria dhe Mali i Zi janë në fazë të avancuar sa i përket aplikimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë