“Operacioni Forca e Ligjit” trokiti këtë të martë në derën e Lulzim Berishës dhe të Ardjan Çapjas, i pari i akuzuar dhe dënuar si koka e bandës së Durrësit dhe i dyti i përfolur si kreu i grupit të Çapjave në Elbasan, të dyshuar se qëndrojnë pas një sërë veprash kriminale, që nga vrasja, pengmarrja, tortura dhe trafiku i drogës e deri tek gjobëvënia ndaj bizneseve.
Sipas ligjit special të miratuar nga Qeveria në fund të javës së kaluar, Lulzim Berisha dhe Ardjan Çapja kanë 48 orë kohë që të justifikojnë burimin e pasurive të tyre. Por, cilat janë pasuritë që ata duhet të justifikojnë? 49-vjeçari Lulzim Berisha, i liruar nga burgu në 2016 pasi Gjykata e Apelit në Durrës i uli burgun përjetë të Gjykatës për Krimet e Rënda, duke ia reduktuar në 25 vite burg rezulton aksioner vetëm në një biznes.
Ish-kreu i bandës së Durrësit, që la qelinë në 2016 edhe pas “garancisë” së dhënë nga Bashkia e Durrësit, që në atë kohë drejtohej nga Vangjush Dako, zotëron 40 për qind të aksioneve të kompanisë “Rajan 2007”. Në regjistrin e Qendrës Kombëtare të Biznesit kompania rezulton e regjistruar më 13 shkurt 2019 me kapital fillestar 35 milionë lekë.
Lul Berisha zotëron 40 për qind të aksioneve të kompanisë, 30 për qind i ka motra e tij, Luljeta Berisha dhe 30 të tjera Enkelejda Shoshi, një e njohur e Lul Berishës. Kompania në fjalë ushtron aktivitetin në fushën e hidrokarbureve, ndërsa dyshime pati se Lulzim Berisha qëndronte edhe pas kompanisë “One Security” me aktivitet në fushën e sigurisë fizike.
“One Security” u regjistrua në prill të 2019-ës nga e motra e Lul Berishës, Luljeta Berisha dhe një biznesmen kavajas me kapital 350 mijë lekë të vjetra. Por, një muaj pas themelimit ajo është shitur tek një 31-vjeçare për 35 mijë euro.
Pak ditë pasi në media u hodhën dyshimet se pas 31-vjeçares që rezultonte pronare në këtë kompani sigurie private, në të vërtetë qëndronte Lulzim Berisha, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit njoftoi heqjen e licencës për këtë kompani.
Pra, në bazë të këtyre të dhënave, Lulzim Berisha duhet të provojë burimin e parave që ka investuar për të siguruar 40 për qind të aksioneve në kompaninë “Rajan 2007”, me kapital fillestar prej 350 milionë lekësh të vjetra. Por, në bazë të ligjit special, justifikimi i burimit të pasurisë mund t’i kërkohet edhe të motrës së ish-kreut të bandës së Durrësit, Luljeta Berisha, që rezulton aksionere me 30 për qind në këtë kompani, por edhe Enkelejda Shoshit si e njohur e Berishës.
Megjithatë, avokati i Lulzim Berishës, Detar Hysi thotë se klienti i tij nuk ka se çfarë të deklarojë, përveç një autoboti që furnizon anijet me naftë dhe një bar-kafeje me qira, ndërsa për pronat e së motrës deklaron se ato ja ka kthyer Gjykata e Lartë.
"Klienti im nuk ka cfarë pasurish të deklarojë i kanë sekuestruar krimet me kohë. Lulzim Berisha ka një bar-kafe me qira dhe një autobot që shpërndan naftën për anijet. Pronat e të motrës së Lul Berishës ja ka kthyer Gjykata e Lartë. Lul Berisha është një qytetar i lirë që respekton ligjet, paguan tatimet. Të gjitha pronat e Lul Berishës kanë kaluar në favor të shtetit me vendim të Gjykatës së Lartë", deklaroi ai.
Aktualisht, Lulzim Berisha ndodhet në shërbim prove. Ai u lirua 6 vite para se të përfundonte dënimin prej 25 vitesh burg. Lirimi i tij shkaktoi debate të forta politike. Opozita akuzonte mazhorancën se e liroi për ta përdorur në zgjedhjet e 2017, ndërkohë që ambasadori amerikan në atë kohë, Donald Lu e cilësoi vendimin si të papranueshëm dhe pasojë e korrupsionit në gjykata.
Në vendimin e Gjykatës së Apelit të Durrësit përmendej edhe fakti që Bashkia e Durrësit e drejtuar nga Vangjush Dako në atë kohë i kishte ofruar Lul Berishës një vend pune si vullnetar për “t’u rehabilituar në shoqëri”. Dako mbrohej duke thënë se bëhej fjalë për një procedurë standarde që ndiqte bashkia për t’u ardhur në ndihmë personave që duan të rehabilitohen në shoqëri pas vuajtjes së dënimit.
Emri tjetër që do të duhet të justifikojë burimin e pasurive është ai i Ardjan Çapjas, 52 vjeç. Çapja rezulton pronar me 100 për qind të aksioneve të “Hotel Univers”, një hotel i ngritur prej kohësh në dalje të qytetit të Elbasanit në rrugën që e lidh këtë të fundit me Librazhdin.
Pikërisht ky hotel është përfolur si baza nga ku grupi i dyshuar kriminal i fisit Çapja organizonte dhe drejtonte aktivitetin e tij të paligjshëm, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Po në këtë hotel përgjatë viteve janë hedhur dyshimet se persona të ndryshëm, që nuk u bindeshin Çapjave janë mbajtur peng dhe torturuar për ditë me radhë.
Përveç kësaj pasurie, dyshohet se një numër jo i vogël asetesh të tjera me burim paratë e trafikut të drogës, apo gjobëvënies në qytetin e Elbasanit janë regjistruar në emra të familjarësh, të afërmish ose anëtarësh të tjerë të bandës që dyshohet se ka patur prej kohësh monopolin e aktiviteteve kriminale në këtë qytet. Edhe këto pasuri, në bazë të ligjit special për kontrollin dhe verifikimin e pasurive të krimit të organizuar do të duhet që të justifikohen nga zotëruesit e tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.