Lajme

Lul Berisha heq dorë nga puna vullnetare në Durrës, i hyn biznesit të naftës

Me largimin e Vangjush Dakos nga Bashkia e Durrësit, Lul Berisha ka lënë punën vullnetare në ndërmarrjen e mirëmbajtjes së kësaj bashkie dhe i ka hyrë botës së biznesit, duke u bërë pronar i një kompanie importi dhe tregtimi karburantesh.

Ish-kreu i bandës së Durrësit, që la qelinë në 2016 edhe pas “garancisë” së dhënë nga Bashkia e Durrësit zotëron 40 për qind të aksioneve të kompanisë “Rajan 2007”. Në regjistrin e Qendrës Kombëtare të Biznesit, kompania rezulton e regjistruar më 13 shkurt 2019 me kapital fillestar 35 milionë lekë.

Lul Berisha zotëron 40 për qind të aksioneve të kompanisë, 30 për qind i ka motra e tij, Luljeta Berisha dhe 30 të tjera Enkelejda Shoshi, e njohur e Lul Berishës.

Faksimile nga ekstrakti historik i kompanisë "Rajan 2007" në QKR. Gazeta Si, 31 gusht 2019

Ndërkohë, Report TV ngre dyshime se edhe pas një kompanie të ruajtjes fizike të regjistruar në prill të këtij viti qëndron Lul Berisha. Kompania është themeluar nga e motra e Lul Berishës dhe një biznesmen kavajas dhe është shitur një muaj më vonë për 35 mijë euro tek një shtetase tjetër.

Që prej dhjetorit të 2016, Lulzim Berisha ndodhet në shërbim prove. Ai u lirua 6 vite para se të përfundonte dënimin prej 25 vitesh burg. Lirimi i tij shkaktoi debate të forta politike. Opozita akuzonte mazhorancën se e liroi për ta përdorur në zgjedhjet e 2017, ndërkohë që ambasadori amerikan në atë kohë, Donald Lu e cilësoi vendimin si të papranueshëm dhe pasojë e korrupsionit në gjykata.

Në vendimin e Gjykatës së Apelit të Durrësit përmendej edhe fakti që Bashkia e Durrësit e drejtuar nga Vangjush Dako në atë kohë i kishte ofruar Lul Berishës një vend pune si vullnetar për “t’u rehabilituar në shoqëri”. Dako mbrohej duke thënë se bëhej fjalë për një procedurë standarde që ndiqte bashkia për t’u ardhur në ndihmë personave që duan të rehabilitohen në shoqëri pas vuajtjes së dënimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë