Teuta e Bledi Shkëmbit e tregoi në dy ndeshjet e para se do të jetë një ekip i fortë këtë sezon dhe fitorja e sotme me Luftëtarin ishte thjesht konfirmimi. “Djemtë e Detit” fituan shumë lehtë përballë Luftëtarit në shtëpi në shifrat 3-1.
Kundër një ekipi në ndërtim e sipër, Teuta e Shkëmbit nuk vuajti shumë, teksa goli i parë do të vinte që në minutën e 31 nga Nikaç. Pas tij në fundin e pjesës së parë do të shënonte edhe Vecaj për durrsakët, që i vendosën në kasafortë tre pikët që në 45 minutat e para.
Edhe Avdyli ka shenjën e tij në këtë ndeshje duke shënuar të tretin për Teutën. Ndërkohë gjirokastritët kanë arritur ta ruajnë nderin e tyre me anë të fierakut, Realdo Fili, që shënoi në minutën e 60’.
Me këtë fitore Teuta shkon në kuotën e 7 pikëve, aq sa edhe Tirana dhe tani shikohen si dy ekipe që do i hapin punë Partizanit dhe Kukësit në luftën për titullin kampion. Ndërsa për Luftëtarin, treni i fundit këtë kampionat është në javën e katërt me Flamurtarin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.