Nga Edmond Prifti - E magjishme dhe e ftohtë, njëherazi. Këtë ndjesi të jep sapo syri e sheh e më tej trupi mbushet me mornica teksa vihet në kontakt me të, - sado që dielli i ngroh linjat e saj hera-herazi dhe shtatin e saj të lartë. Megjithatë, vende-vende ajo nuk e ka njohur kurrë ngrohtësinë e tij, ndërsa “flokët” e saj ngjyrë të kaltër, kristal, derdhen për poshtë “trupit” pothuajse 3 kilometra të gjatë. Është njëherazi një gjarpërushe, me linja të egra e të ngjalta, që kohërat e njerëzit nuk kanë arritur ta ndukin e tkurrin, ndonëse syresh të shumtë, kanë dashur ngaherë t’i marrin copëza nga bukuria e saj, kohë pas kohe. Po flasim për një mbase nga mrekullitë më të veçanta, që ofron natyra shqiptare; një kanion të magjishëm, që ka përjetuar edhe firmosjen absurde e të pakuptimtë të babëzisë të atyre firmave private që nuk u intereson fort çfarë shkruajnë ligjet, tabelat apo mbase nuk e vrasin shumë as për ndjeshmërinë që kanë një trashëgimi shekullore të rrallë, duke dashur të ndukin e tkurrin çdo përrua apo lum anembanë, për ndërtim digash (për ironi të faktit, një kanion i shpallur prej kohësh, Monument Natyre), - në një linjë edhe me “qytetarinë” e disave që zor se mund të quhen me plot gojë të tillë, duke lënë shishe birre, apo mbeturina plastike pikërisht aty ku shteti së paku ka arritur të vendosë një tabelë të vetme, ku shkruhet: “Kanioni i Holtës. Monument Natyre. Mbrohet nga shteti”. E për të arritur në këtë vend të magjishëm, nuk kërkohet më shumë se një orë e gjysmë udhëtim nga kryeqyteti. Një vend që ja vlen të futet në listën e atyre aventurave që duhen ndërmarrë në fundjavë; një nga vendet që do t’ju lërë gojëhapur dhe do dëshironit të shkonit sërish e sërish…
Drejt Holtës
Kanioni i Holtës ndodhet pranë fshatit me të njëjtin emër, në afërsi të Gramshit, pikërisht aty ku ndodhet edhe një tabelë në të majtë të rrugës, që shkon përmes fshatit të Drizës.
Dikur, vite më parë, në rrugën e vjetër që të çonte drejt Gramshit, ekzistonte një tabelë, e cila të tregonte drejtimin për në Kanionin e Holtës, por sot, duhet të pyesësh fshatarët apo banorët që ndalojnë në sheshpushimin pas urës së madhe të Liqenit të Banjës, disa qindra metra pas digës, të cilët të drejtojnë me duar dhe gjuhë trupin drejt magjisë, nga ku realisht është detyrë e institucioneve shtetërore përkatëse, të vendosin një të tillë, së paku në atë pjesë të rrugës kombëtare Cërrik – Gramsh. E megjithatë, sot, Gramshi dhe gjithë fshatrat pa mbërritur në këtë qytet, duken më të bukura se ato luginat e dikurshme që hera-herës ishin krejt të thata, të vaposura, e plot erëra. Hyrja dhe dalja nga fshati i Drizës, normalisht, nuk mund të pritej kurrsesi të ishte një hyrje e denjë për një kanion të magjishëm, si ai që do shihnim më pas, por edhe këtu na u desh të pyesnim një shofer, i cili na thotë që të marrim veçse nga ana e djathtë e rrugës për të mbërritur në Holtë. Në rrugën e fshatit, deri në daljen e tij, mezi shkëmbeheshin dy mjete, teksa sheh që makina të shumta shkojnë e vijnë, me siguri drejt Kanionit, - ashtu siç edhe pamë më se 30 automjete aty ku dikur, shtatë vite më parë ishte një zonë e virgjër krejt, jo shumë larg HEC-it të Tërvollit. Më në fund, një tabelë gjysmë e shtrembër, e vendosur mes kalimit të fshatit Bardhaj e Kabash, - me fushë blu dhe shkronja të bardha na lajmëronte se Kanioni ishte krejt afër. Përmes një rruge gati 2 kilometra, na duhej të përshkruanim atë pjesë me zhavorr, por në gjendje mesatarisht të mirë, deri te Kanioni i Holtës. Aty u çuditëm se si sot me dhjetëra makina e kishin kthyer në parking një sheshpushim gati 200 metra para hyrjes në Kanion. Teksa marrim rrugën për poshtë, në të djathtën tonë shohim një pjesë të digës së ndërtuar e rikujtojmë disa nga protestat në rrjetet sociale dhe thirrjet për të ndalur ndërtimet për një digë të mundshme, në daljen e lumit Holtë, në fundin e janarit të këtij viti.
Rrugëtim përmes magjisë, Holtë
Vite më parë, prurjet e lumit Holtë (me akte njihet si përroi i Holtës) pikërisht në këtë periudhë të stinës, e madje në muajin korrik të 2013, ishin tejet të mëdha. Vende-vende, Kanioni dikur kalonte thellësinë e një apo dy metrave, ndërsa sot, zor se gjen zona ku degëzohet lumi përmes këtij Kanioni, që i kalojnë 50 centimetrat. Madje në hyrje të këtij Kanioni takojmë rastësisht edhe një djalosh të ri që mbante karrocën e bebit, të cilët kishin gjetur prehje dhe strehim nën hijen e një shkëmbi, disa qindra metra në thellësi. Kur e pyet për këtë mundim e vështirësinë që mbante edhe karrocën e bebit të kthehet: “Pakëz vështirë, por mjaft bukur, e ia vlen mundimi”. Mendon sikur gjithë shqiptarët të kishin atë sensin e vështirësisë së bukur, ashtu siç thotë edhe një shprehje që “bukuria nuk ekziston në majë të një mali, por gjatë ngjitjes së tij”… do kishte qenë mjaft ndryshe se si do ta shihnim dhe shijonim jetën. Pak më tutje, pasi lëmë pas çiftin me fëmijën e vogël në karrocë, takojmë një çift të moshuarish nga Elbasani, Hyqmet Sinen dhe bashkëshorten e tij, teksa na thotë që ndonëse shtatë vite më parë kishte punuar në HEC-in, pranë hyrjes së këtij Kanioni (në të majtë, që nuk ka prekur rrjedhën e Kanionit) nuk kishte hyrë kurrë në këtë vend. Sipas tij, sikur e kishte krijuar Zoti me dorë. “Më tutje ishte një mrekulli e vërtetë”, shprehet Sina për “Vende dhe udhëtime”, duke na bërë të mendojmë se tashmë 3 kilometrat e gjata të këtij Kanioni mund të eksploroheshin kollaj.
Por, pak metra më tutje, aty ku ndodhet edhe një vaskë, apo më saktë një pellg me ujë termal, e sistemuar me gurë dhe jo më shumë se 80-90 centimetra thellësi, lexojmë përmes të shkruarave në shpatet e shkëmbinjve të lëmuar të asaj zone: “Kujdes nga uji që vjen nga sipër” dhe një të shkruar të dytë, “Kujdes nga gurët që bien nga sipër”.
Shoqëruesi im më kujton se një mikja e tij, kishte parë ëndrra të këqija një natë më parë, por përveç disa gurëve që binin para këmbëve tona (mbase nga zogjtë që kishin krijuar foletë në shpatet e shkëmbinjve apo si “dashakeqësi e tyre” për pushtuesit e shumtë të territorit të tyre) dhe ujit të ftohtë brisk, nuk ndodhi asgjë e pakëndshme. Të pakëndshme mund të quajmë pikërisht, shishet e shumta të birrave (të krijohej imagjinata sikur aty i ngjeshur pas shkëmbit kishte qenë një barkderr që kishte konsumuar njëherazi nja dhjetë të tilla, e i dehur, jo nga mrekullia, por nga aroma e eterit në ajër, kishte ikur ashtu siç kishte ardhur, duke lënë pas shishet e qelqta, që t’i thithte natyra, e madje pak më tutje, edhe një shapkë të vetme të sakatuar nga rrjedha e fuqishme e ujit).
Nëpër dhëmbë futëm ca të shara, se deri ku mund të shkojë logjika e ca njerëzve, nëse vijnë aty për të shijuar magjinë apo për ta “infektuar”…(mendova t’i merrja, një çast, por për habi nuk kisha më as qese bosh dhe çanta e shpinës ishte mbushur me rroba, peshqir dhe dy objektivë të aparatit fotografik. Po atë foto që shkrepa aty, e pashë një ditë më pas te një miku im në rrjetin social “Facebook”, të shoqëruara me një lumë sharjesh). Të mbetur pa fjalë, vijuam rrugëtimin, së bashku me mikun tim, i cili gjithashtu po ngelej pak nga pak me njërën shapkë, duke u ruajtur njëherazi nga gurët që mund të vinin nga sipër shpateve dhe duke pushuar vend pas vendi, pasi uji brisk ndihej më shumë në ato pjesë të ngushta të Kanionit ku mbase diell nuk kanë ndier kurrë. Kishim ecur më shumë 1500 metra kur në ndalesën e fundme, para një pellgu që dukej disi më i thellë se 50 centimetra, bashkudhëtari im u ndal. “I kam akull këmbët… e nëse kaloj edhe këtë pjesë shkova në spital, plus shapkat pothuajse më janë hapur fare”, më thotë ai. “Ecim edhe pak se edhe vite më parë deri këtu arritëm dhe më tutje është një tunel i vogël që asokohe ishte e pamundur të futeshe… ndërsa tani shoh që niveli i ujit nuk është aq i madh”, ia kthej, ndërsa mendova që më parë e kisha porositur që duhen sandale të forta kundër ujit apo të ngjashme me to, pasi rrymat e lumit teksa çahen janë tejet të forta. Për çudi, zëra si jehonë dëgjoheshin teksa vinin përmes asaj ngushtice. Sado u përpoqa t’ia mbushja mendjen, dalja prej andej e tre çunave të rinj të plevitosur nga i ftohti i ujit dhe i rrymave të ajrit më bëri të hiqja dhe unë dorë nga kokëfortësia, pa një shoqërues të dytë dhe me pajisjet elektronike në duar… Më tutje tre djemtë e rinj na thonë duke iu dridhur buza se është vend i bukur për foto pak më tutje, ku një shkëmb i madh ka rënë mes Kanionit, aty ku është edhe vendmbarimi i këtij udhëtimi aventure mjaft të bukur. Kështu që, nëse keni ndërmend të bëni një udhëtim aventure, zgjidhni më parë bashkudhëtarin për të guxuar së bashku, por ngaherë të përgjegjshëm e me kujdes, në zona të cilat rrallëherë të bie rasti t’i shohësh sërish në jetë. Pastaj, sipas alpinistëve profesionistë, e jo vetëm, nuk braktiset kurrë bashkudhëtari. Gjatë kthimit, sërish eksploruam zona, të cilat më parë i kishin shpëtuar syrit tonë, apo ishin të fshehura diku, siç pamë edhe “ujin e zi” (i vumë emër të tillë, pasi gjurma që linte pasi ishte e zezë) apo burimet squfurike dhe të ujërave të ftohtë, që dilnin nga të çarat e shkëmbinjve, duke u miksuar më tej të dyja bashkë. Kishim kaluar orë të tëra si pa e ndier, teksa dielli po zbriste përtej maleve, e ajri në Kanion kishte filluar të ftohej vërtet. Madje, edhe provën që bëmë për t’u futur në ujin termal të vaskës, jo larg hyrjes, nuk e provuam sërish për herë të dytë, pasi uji që vinte nga poshtë ishte vërtet i ftohtë, përveç sipërfaqes së ngrohtë.
Nëse keni ndërmend ta eksploroni me të vërtetë këtë Kanion, iu duhen së paku dy ditë. Ndonëse në zonë nuk ka hoteleri, mund të zgjidhni dy opsione, me tendë pranë Kanionit (një bar restorant aty pranë, i hapur rishtazi ofron veçse pishinë dhe ushqim, por jo edhe fjetje) apo në qytetin e Gramshit. Por kujdes! Në fund, mblidhni mbeturinat tuaja…
Debatet e nxehta për Holtën
Në fillim të muajit janar 2019, në media u përhap lajmi se në Kanionin e Holtës po ndërtohej një HEC. Sipas këtyre të fundit, në prill të vitit 2018, u firmos leja për ndërtimin e HEC-it të Strorit, në përroin e Holtës dhe Seltës (degë të lumit Devoll) në Gramsh, nga kompania “Era Hydro”.
Madje, nga portali i qytetit të Gramshit, gjashtë muaj më parë, njerëz të shumtë që kishin shkuar për ta vizituar këtë vend të rrallë, iu ndalohej edhe hyrja në brendësi. Për zbatimin e vendimit u ngarkua Agjencia e Zhvillimit të Territorit në bashkëpunim me Ministrinë e Energjetikës. Në fund të janarit, deputeti i qarkut të Elbasanit, njëkohësisht kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, pas publikimit në media të këtij lajmi dhe protestave të ambjentalistëve, por edhe të kolegëve gazetarë të multimedias, si dhe nënshkrimit të një peticioni me 3000 firma, tha se projekti për ndërtimin e HEC-it në Kanionin e Holtës do të anulohet. Shenjat e tmerrshme të kësaj masakre mjedisore, megjithatë janë ende të dukshme, duke i dhënë një shëmti të keqe hyrjes në këtë Kanion.
Zona e Gramshit
Kur flitet për bukuritë natyrore të Gramshit, vend kryesor zë shpella e Kabashit, por edhe Ujëvara e Sotirës. Shpella e Kabashit ndodhet pikërisht shumë pranë Kanionit të Holtës dhe është një nga shpellat më unike në Shqipëri, e ndoshta nga më të bukurat në Ballkan. Ajo ndodhet 28 kilometra nga qyteti i Gramshit, në lartësinë 900 metra mbi nivelin e detit, ndërsa njihet nga banorët e zonës edhe si “Shpella e Farricës”. Për ta vizituar këtë shpellë shumë afër Kanionit të Holtës, nevojitet një guidë lokale, nëse do ta ndërmerrni këtë udhëtim vetë. Shpella thuhet se është 120 metra e gjatë, por është njëherazi shumë pak e eksploruar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.