Shendet

Studimi: Shkaqet e kancerit i gjejmë në ADN-në tonë

Konsumimi i alkoolit dhe duhanit, ndotja e ajrit e një mori faktorësh në mjedisin tonë mund të rrisin rrezikun për kancer. Tashmë shkencëtarët thonë se mund të jenë në gjendje të identifikojnë shkakun e tumoreve në organe të ndryshme të trupit. Ata shprehen se kanë arritur të kuptojnë se në ADN-në e njeriut ka gjurmë të kancerit, ku mund të kuptohen shkaqet që shkaktojnë këtë sëmundje.
“Mutacionet gjenetike lënë shenja në ADN-në tonë të cilat janë aq unike sa shenjat e gishtërinjve. Pikërisht këto shenja na lejojnë të gjejmë prejardhjen e tumoreve,” shprehet Serena Nik-Zainal një hulumtuese nga Kolegji King’s në Londër.

Kanceri zhvillohet si rezultat i ndryshimeve të qelizave. Këto ndryshime mund të ndikojnë në mënyrën se si qelizat ndahen, pas të cilave rriten inde të reja që prodhojnë tumore. Sipas shifrave të fundit, një në dy njerëz mund të preken nga kanceri gjatë jetës së tyre.
Në hulumtimin e paraqitur në Revistën “Cell” studiuesit nga Britania e Madhe raportojnë se si ekspozohen qelizat burimore të njeriut në 79 kimikate ose procese të ndryshme që besohet se shkaktojnë kancer, duke përfshirë rrezatimin diellor, konsumimin e duhanit dhe ilaçeve të ndryshme.
Në përgjithësi, ekipi zbuloi se 52 për qind e këtyre proceseve lënë shenja shumë të dallueshme në qelizat e njerëzve. Më pas hulumtuesit i krahasuan shenjat me njollat që formoheshin në mushkëri nga kanceri dhe ishin të njëjta, duke treguar kështu se në këto njolla mund të gjendet shkaku i kancerit. Sipas studiuesve kanceri i mushkërive shkaktohet më së shumti nga duhani.

“Ne e kemi përdorur këtë teknikë për të përmbushur katalogun e faktorëve mjedisorë që ndikojnë në gjenomën njerëzore dhe mënyrën si ndikojnë. Kjo do të na lejojë të shqyrtojmë tumoret që shfaqen në trupin e njeriut, duke identifikuar shkaqet e më pas pë të gjetur edhe mënyrat që t’i shmangim,” tha David Phillips njëri prej studiuesve.
Ekipi zbuloi se edhe ilacet që përdoren për pacientët në kimioterapi si cisplatin dhe carboplatin mund të shkaktojnë ndryshime gjenetike.
Nik-Zainal shprehet se këto gjetje janë një shpëtim për mjekët. “Një informacion i tillë do të jetë i rëndësishëm për të informuar mjekët, të cilët do të dinë më mirë se si të këshillojnë njerëzit dhe se çfarë medikamentesh do t’u japin pacientëve,” shprehet ajo.
Ndër të tjera ekspertët shprehen se hulumtimi do të shërbejë edhe për industritë farmaceutike, në mënyrë që të krijohen medikamentet e duhura. /The Guardian/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë