Histori

9 shtator 1946 – Kryengritja e Postribës

Shtatorin e 75 viteve më parë, në Postribë u organizua kryengritja e parë antikomuniste në vend. Rrethi i Shkodrës, kampion i demokracisë të luftës për liri, rreshti i parë në historinë e Shqipërisë kishte filluar organizimin, rezistencën antikomuniste për një kryengritje të madhe popullore.

Kryengritja e Postribës kishte premisat strategjike për t’u shtrirë si kryengritje e përgjithshme. Pra, ishte një kryengritje e mirëstudiuar, e cila kishte si qëllim rrëzimin e diktaturës.   

Një grup rreth 200 vetash të drejtuar nga Jub Kazazi dhe Osman Haxhia, sulmuan kazermat ushtarake dhe ndërtesat qeveritare, por pa sukses.

Pas shtypjes së kryengritjes nisën edhe proceset ndëshkimore gjyqësore të shkëputura nga njëra-tjetra, për shkak të numrit të madh të të akuzuarve. Në gjyqet e para ajo që konstatohet është se përveç të dyshuarve si kryengritës, ka një numër të madh klerikësh dhe intelektualësh të Shkodrës.  

Ditën e parë, në një fushë afër qytetit u ekzekutuan njëzet e tetë veta, u pushkatuan pa faj e pa gjyq shumë fshatarë, u dogjën shumë shtëpi.

Ky akt guximtar u bë shkak “të pastrohej” gjithë qyteti i Shkodrës nga elementët “armiq të popullit”.

Historia e Postribës      

Komuna e Postribës shtrihet në pjesën verilindore të qytetit të Shkodrës, me qendër te Ura e Mesit, e përbërë nga 12 fshatra. Populli i kësaj zone, historikisht përmendet për trimëri, besë, bujari dhe punëdashës. Ura e Mesit është një monument i gjallë kulture e ndërtuar në kohë të Bushatllive. Kalaja e Drishtit është ndërtuar në mesjetën e hershme para sundimit të Venedikut. Rrugë të vjetra të shtruara me kalldrëm e lidhin atë me Shkodrën. Një vend të rëndësishëm zënë banorët e Postribës, në historinë e rrethit të Shkodrës dhe të Shqipërisë. Burrat e Postribës morën pjesë në mbrojtjen e Ulqinit, të prirë prej bajraktarit të Boksit, Tahir Bajraktari. Ato luftuan trup me trup, në mbrojtjen e Shkodrës nga malazezët 1912-1914, ku u vra Halil Isufi i Drishtit. Më 1920, në luftën e Koplikut, Adem Haxhia i Boksit, u priu 200 luftëtarëve nga Postriba. Në ditët e pushtimit italian 1939, përsëri princi Adem Haxhia me luftëtare postriborë, priti me pushkë në dorë ushtrinë italiane. Në luftën kundër pushtuesve nazi-fashistë, postribasit kanë vendin dhe kontributin e tyre për Çlirimin e Shqipërisë, sepse si patriotë, luftëtarë të lirisë ato kërkonin çlirimin e Shqipërisë dhe ndërtimin e një shteti demokratik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë