Biznes

43% e bizneseve nuk e dinë nëse do t’i përballonin kostot e anëtarësimit në BE

43% e bizneseve në Shqipëri nuk e dinë nëse do munden të përballojnë kostot e antarësimit të vendit tonë në BE. 19% janë të bindur se nuk do t'i përballojnë dhe 38% mendojnë se do t'i përballojnë.

Kështu rezulton në një studim të bërë nga Qendra Shqiptare për Konkurrencën dhe Tregtinë Ndërkombëtare, ACIT dhe GIZ, financuar nga qeveria gjermane.

Për kohën që iu duhet bizneseve të përgatiten për anëtarësimin në BE, është 4-7 vite për 59% të tyre. 26% i duhet më shumë se 8 vite. 1-3 vite vetëm 8% dhe më pak se një vit 7%.

Nga bizneset e anketuara, 45% besojnë se përfitimet afatgjate do t'i kalojnë kostot. 17% mendojnë se jo, ndërsa 38% nuk e dinë.

48% e bizneseve mendojnë se anëtarësimi do të ndodhë brenda 2030-s, 25% brenda 2040-s dhe 27% pas 2040-s ose kurrë.

Mbi problemet që pengojnë Shqipërinë në këtë proces, bizneset kanë renditur si arsyen kryesore institucionet e dobëta 34%, kultura politike 32%, ekonomia dhe standardet e dobëta 30% dhe diskriminimi kundër Shqipërisë 4%.

Me anëtarësimin, sipas bizneseve, sektorët që do të përfitonin më shumë do të ishin turizmi 33%, bujqësia 31%, industria 28% dhe shërbimet 8%.

Tek përfitimet kryesore të anëtarësimit bizneset vlerësojnë se mbrojtja dhe siguria ligjore janë kryesoret me 34 % dhe më pas vijnë rritja e xhiros dhe eksporteve me 31%, rritja e cilësisë së produktit me 24 % dhe 11% ulja e kostove të prodhimit.

Tek kostot kryesore të anëtarësimit me nivel më të lartë cilësohet ajo e përshtatjes me rregulloret dhe standardet e BE-së me 47%, ndërsa e dyta është presioni dhe konkurrenca e produkteve europiane me 28% dhe investimet në teknologji të reja me 16%.

ACIT kreu anketën me një kampion prej 188 biznesesh përmes intervistave të thelluara. Bizneset ushtrojnë aktivitetin në 7 qarqe dhe i përkasin sektorëve të ndryshëm dhe kanë në përbërje numër të ndryshëm të punësuarish dhe xhirosh vjetore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë