Histori

152-vjetori i lindjes së Homerit shqiptar, Gjergj Fishta

Më 23 tetor 1871, lindi Homeri i letrave shqipe, At Gjergj Fishta.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave e kujton sot këtë kolos të letrave shqipe, duke e krahasuar veprën e tij me “Iliadën” e autorit helen, por edhe me stilin e Dantes dhe të Gëtes, për nga pleksjet e mitologjisë me realitetin, mendimin filozofik dhe dramacitetin.

At Gjergj Fishta i mori mësimet e para në seminarin françeskan të Shkodrës. Studimet e mëtejshme i ndoqi në Bosnje, në disiplinat e filozofisë dhe të teologjisë. Fishta qe drejtori i parë shqiptar i Shkollës Françeskane. Në drejtimin e tij, u mundësua që shqipja të përdorej në katedër si gjuhë mësimi. Si përfaqësues i shoqërisë “Bashkimi” mori pjesë në Kongresin e Manastirit dhe në cilësinë e kryetarit, drejtoi veprimtarinë e Komisionit të Alfabetit.

Në vitin 1913, themeloi revistën letrare-kulturore “Hylli i Dritës”. Gjatë Luftës së Parë Botërore, bashkëthemeloi me Luigj Gurakuqin Komisinë letrare, që kishte për qëllim krijimin e gjuhës letrare kombëtare.

Gjatë vitit 1920 u caktua Sekretar i Përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Po atë vit, u zgjodh deputet i Shkodrës. Mori pjesë në Revolucionin e Qershorit 1924.

Për kontributin e dhënë në lëmin e edukimit, të letërsisë dhe të fesë, Fishta mori dekoratën “Foenix” (1931), si edhe u bë anëtar i Akademisë italiane (1939). Vepra që përjetësoi figurën e tij si krijues është epika “Lahuta e Malcis”, së cilës i kushtoi 40 vjet punë.

At Gjergj Fishta ndërroi jetë në vendlindje, në Shkodër, më 30 dhjetor 1940.

Fishta ishte i pari shkrimtar shqiptar, i propozuar për çmim “Nobel”.

Krijimtaria e Gjergj Fishtës është e shumëanshme dhe autor i 37 botimeve letrare, por emri i tij është i lidhur kryesisht me kryeveprën e tij epike, “Lahuta e Malcís”.

Lahuta është një poemë epike historike me 15.613 vargje që vë në qendër luftën për autonomi e pavarësi e, në veçanti, ngjarjet e historisë së Shqipërisë së veriut nga 1858 deri 1913. Kjo kryevepër letrare, e shkruar ndërmjet viteve 1902 e 1909, u ripunua nga autori gjatë një periudhe tridhjetëvjeçare. Është e para ndihmesë në gjuhën shqipe për letërsinë botërore. Botimi përfundimtar i veprës në tridhjetë këngë, u paraqit në Shkodër më 1937 në kremtim të njëzetepesëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.

Vepra e tij e bëri të pavdekshme gegërishten. Ndër botimet kryesore të At Gjergj Fishtës mund të përmenden edhe “Vjersha t’përshpirtshme t’kthyem shtyp” (1906), “Mrizi i zanave” (1913, 1924, 1941), etj.

Fishta u shfaq po aq i suksesshëm si prozator. Për katër dekada shkroi dhe botoi shkrime me analiza e polemika të natyrës politike, kulturore, arsimore etj. Fishta zhvilloi sfidën e madhe të trajtimit dhe të çështjeve të estetikës, filozofisë së artit dhe sprovoi kritikën letrare.

Është dekoruar me Urdhrin “Nderi i Kombit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë