Njerez

111 vjet shtet / In memoriam Kolosit Lef Nosi, firmëtarit të Deklaratës së Pavarësisë

Nga Glevin Dervishi- Në festimet e 28 nëntorit gjithnjë vetiu në mëndje na vijnë burrat e mënçur të kombit që në një kohë mizerie kryen aktin më të ndritur të kombit.

Ndonëse kinematografia jonë nën diktatin komunist e skaliti atë ngjarje fortë në memorien kolektive, por natyrisht duke lënë jashtë për shumë dekada njeriun që me fatin e tij lidhet dhe fati i deklaratës sonë të pavarësisë.

Historia përkujton sot firmëtarin, arkivistin, filatelistin, etnografin, politikanin shqiptar Lef Nosin. Ai ishte një nga personazhet kryesore të ngjarjes më të rëndësishme në historinë e Shqipërisë: shpalljes së pavarësisë. Në 4 Dhjetor, me votimin e dytë, ku mori 37 vota, Lef Nosi u zgjodh anëtar i Qeverisë së Vlorës. Ai mori postin e ministrit të Postë-Telegrafës. Në 17 Dhjetor 1912, ai u ngarkua me detyrën e themelimit të Shërbimit Sekret Shqiptar.

Më 28 nëntor 1913, ditën e përvjetorit të parë të shpalljes së pavarësisë, nga Vlora iu drejtua nëpunësve të zyrave “Postare e Telegrafike”,: “Dita e sotme e indipendencës tonë kombëtare të cilën të huajt na e kishin grabitun që nga sot pesëqind vjet asht me e shenjta e ma e lumëta ditë për gjithë kombin shqiptar. Sot stërgjyshënit tonë që derdhën gjakun pa kursim për të mos humbur atë, çojnë kryet nga varret edhe marrin pjesë në këtë kremtim të ngazëllyem, edhe vlleznit tonë që mbetën ndën zgjedhën e anmiqëvet, kremtojnë me zemër bashkë me ne tyke pritur që sot mot të jenë bashkuar me amën Shqipënië. Tyke i lutun Zotit që të mbushi gjithë shpresat e dëshirët tona ju uroj mot gëzuar ditën e sotme”.

Lef Nosi ishte botuesi i parë i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, e cila ishte nënshkruar nga delegatët. Origjinali i dokumentit që duhet të kishte indeksin “Fondi 1, Viti 1912, Dosja 1, Fleta 1”, nuk gjendet në Arkivin Qendror të Shtetit. Ndonëse një prej koleksionistëve më të mëdhenj të vendit, për fat të keq në Bankën e Shtetit ku ai kishte depozituar dokumentet e rralla historike nuk u gjend kurrë Deklarata e Pavarësisë së Shqipërisë. Librat e bibliotekës personale të Lef Nosit u grabitën nga një komision i krijuar nga Ministria e Shtypit, Propagandës dhe Kulturës Popullore, në Mars 1945.

Jeta e Lef Nosit ngjan shumë me fatin tragjik të Shqipërisë që nga pushtimi fashist dhe gjerman ra në duart e komunistëve, duke vuajtur më shumë e për një kohë më të gjatë. Fashistët e internuan në Itali Lef Nosin. Deri në 1943, ai nuk pati asnjë aktivitet politik. Pas rënies së fashizmit, ai mori pjesë si anëtar i Këshillit të Naltë (Regjenca), institucioni i mbretit në mungesë të trashëgimtarit, në një shtet shqiptar që i ishte kthyer pavarësia që i morën fashistët.

Lef Nosi para gjyqit.

Gjyqi ushtarak i Tiranës, ndonëse i akuzuari nuk kishte qenë ndonjëherë ushtarak, do ta dënonte me pushkatim në 15 shkurt 1946 si pjese e regjencës, duke shënuar kështu fundin tragjik të një nga njerëzve më të jashtëzakonshëm në historinë e këtij vendi. Megjithëse Nosi ishte një nga nënshkruesit e Deklaratës Shqiptare të Pavarësisë në 1912, regjimi komunist ja fshiu dhe emrin nga dokumentet zyrtare.

Historia e tij është për fat të keq dhe një dëshmi e gjallë e tragjedisë që jetuan shumë nga njerëzit që ja dedikuan jetën Shqipërisë.

*Marrë nga Facebook-u i autorit Glevin Dervishi


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë