Njerez

110-vjetori i lindjes së Sabiha Kasimatit,  shkencëtares së parë shqiptare

Nga Gazeta Si - Si sot 110 vite më parë (15 shtator 1912), lindi shkencëtarja e parë shqiptare, Sabiha Kasimati.

Ajo lindi në Edërne të Turqisë, në një familje intelektuale libohovite.

Kur familja e saj u kthye në atdhe, Kasimati vijoi studimet në Liceun Francez të Korçës, si e para femër që ndoqi këtë shkollë. Më pas, punoi si mësuese në Normalen Femërore të Korçës, në Shkollën Amerikane të Kavajës, në Institutin “Nana Mbretneshë”, si dhe në Liceun e Korçës.

Në vitin 1936 iu akordua bursë shtetërore për studime në Itali, në Fakultetin e Shkencave Biologjike, në Universitetin e Torinos, ku u dallua për rezultate të shkëlqyera. Në 18 shkurt 1943, Instituti Mbretëror i Studimeve Shqiptare, vendosi të krijojë pranë tij, një muze të shkencave dhe për këtë u ngarkua Sabihaja. Edhe gjatë viteve të para të komunizmit, ajo vazhdoi kërkimin shkencor krah figurave të shquara, si: Çabej, Buda, Gjergj Komnino, Gjergj Ashta etj.

Shpërthimi në oborrin e ambasadës sovjetike më 19 shkurt 1951, u konsiderua si “akt terrorist” nga regjimi, i cili e përdori si pretekst për arrestimin e 22 intelektualëve që do të pushkatoheshin në netët e 26 dhe 27 shkurtit.

Mes tyre gjendej e vetmja vajzë, Sabiha Kasimati. Ndonëse e shpallur “armike e popullit”, puna shkencore e saj do të përvetësohej dhe do të botohej në vitin 1955, nën emrin e shkencëtarit sovjetik Anatoli Poljakowa dhe të dy studiuesve shqiptarë.

Kasimati botoi disa artikuj shkencorë në revistën “Buletin i institutit të Shkencave”. Grumbulloi një material të pasur për iktiologjinë e Shqipërisë, mbi bazën e të cilit do të hartonte një monografi.

Më 20.02.1951 u arrestua lidhur me incidentin e bombës në ambasadën sovjetike bashkë me 21 persona të tjerë të arrestuar për të njëjtën ngjarje. U pushkatua pa u gjykuar, më 26.02.1951.

Dënimi u ekzekutua në afërsi të fshatit Mënik, disa kilometra në perëndim të Tiranës, ndërsa trupat do të varroseshin në një varr të cekët në fushën prapa.

Për veprimtarinë e Sabiha Kasimatit kanë shkruar mjaft studiues si Myslim Islami, Uran Butka e Uran Asllani.

Ndërsa studiuesja Daniela Vathi do të shkruante: “Shumëkush mund të kujtohet për përfundimin e trishtë që ajo pati, por pothuajse askush për veprën dhe punën e saj si shkencëtare ose më mirë si gruaja e parë shkencëtare shqiptare. Historia e kësaj gruaje është shumë interesante nga shumë pikëpamje dhe mund ta quajmë pa asnjë ngurrim si ‘Një intelektuale perëndimore’, gjë jo shumë e zakontë për Shqipërinë e fillimshekullit të njëzetë. Natyrisht do ishte mirë që historia të mos lexohej në çelës politik, pasi është absolutisht dytësore ndaj figurës së kësaj gruaje”.

Uran Butka, në librin “Bombë në ambasadën sovjetike”,  ka publikuar dokumente arkivore me të cilat provohen si u zhvillua ngjarja, kush e shkaktoi atentatin, si u hartuan listat e vdekjes, arsyet e vërteta përse u arrestuan dhe u ekzekutuan të pafajshmit Sabiha Kasimati me shokë si dhe mënyrat e tjetërsimit të procesit hetimor. Ka ndriçuar fakte të panjohura mbi personalitetin e Sabiha Kasimatit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë