Politike

11 muajt e 'tërmetit' politik dhe atij shkatërrimtar të 26 nëntorit

Edhe për 2019-ën politika ishte ajo që u dha ngjyrat kryesore ngjarjeve në vend, ku për herë të parë, në historinë e pluralizmit shqiptar, partitë opozitare dogjën mandatet në bllok, ku Presidenti bëri prapakthehu me dekretin për zgjedhjet dhe iu kundërvu edhe përfaqësuesve ndërkombëtarë, e ku socialistët për herë të parë që nga zgjedhjet e 1996-ës, zhvilluan votime pa rivalë.

Që viti do të ishte i ndezur politikisht sinjali u dha që në mes të janarit, kur Zëri i Amerikës dhe BIRN publikuan një investigim të përbashkët. Në këtë investigim tregoheshin përgjimet e Prokurorisë për Krimet e Rënda, në të cilat shfaqej ish-drejtori i Burgjeve, Arben Çuko në biseda telefonike me persona të tjerë. Bisedat, sipas Zërit të Amerikës, tregonin farsën e konkurseve me punësimet në burgje.

Investigimi pasoi reagimin e Kryeministrit Edi Rama, i cili “ndërkombëtarizoi” termin “Kazan” duke përfshirë edhe Zërin e Amerikës. Si kundërpërgjigje, VOA publikoi në fund të janarit një investigim që mbante autorësinë e BIRN, sipas të cilit përgjimet në dy dosjet e famshme 339 dhe 184 tregonin mpleksjen e krimit të organizuar në episode blerje votash në Durrës, Kavajë, Lezhë dhe Dibër.

Këto publikime ashpërsuan gjuhën e opozitës, që sapo ishte rikthyer në Parlament pas një bojkoti të gjatë. Lulzim Basha dhe aleatët e tij kërkuan dorëheqjen dhe largimin e Edi Ramës dhe u përsërit kërcënimi me djegie mandatesh nëse kjo kërkesë e opozitës nuk plotësohej. Më 16 shkurt, PD dhe aleatët e saj thërrasin protestën e parë kombëtare, ku për pesë orë me radhë u zhvillua një betejë dhune me bomba molotov e gazlotsjellës mes protestuesve dhe forcave të policisë e Gardës së Republikës.

Pjesëmarrja ishte e mjaftueshme për Lulzim Bashën që t’u kërkonte forumeve drejtuese të miratonin vendimin ekstrem të djegies së mandateve. Pak ditë më vonë vendimi u zyrtarizua dhe atij iu bashkua edhe LSI dhe aleatët e tjerë të demokratëve.

Megjithatë, rezistencë kundër këtij vendimi pati. Rudina Hajdari dhe Myslim Murrizi refuzuan të lënë mandatet e tyre, ndërkohë që një pjesë e mandateve të lëna nga demokratët u zëvendësuan nga emrat pasues në listën emërore. Deputetët e LSI-së u zëvendësuan që të gjithë, ndërsa nga PD mbetën 18 vende bosh dhe sot Parlamenti nga 140 deputetë ka 122 të tillë.

Nga ky moment, Lulzim Basha tha se Parlamenti ishte ilegjitim dhe se opozita nuk do të njihte asnjë ligj të nxjerrë prej tij pas 18 shkurtit. Veç kësaj, përsëriste qëndrimin se opozita jo vetëm nuk do të merrte pjesë në zgjedhjet vendore të 30 qershorit, por as do të lejonte zhvillimin e tyre.

Por, për Edi Ramën Parlamenti ishte funksional dhe legjitim, ndërsa këmbëngulte se më 30 qershor zgjedhjet do të zhvilloheshin. Ai akuzonte opozitën se po i trembej reformës në drejtësi dhe deklaronte se këto zgjedhje dhe mbarëvajtja e tyre ishin një vendim mes të shkuarës dhe të ardhmes.

Opozita thirri të tjera protesta para Kryeministrisë dhe Parlamentit, ku sërish pati episode dhune, si ajo më 11 maj. Ndërkombëtarët bënin thirrje për distancim nga dhuna, ndërsa opozita akuzonte Qeverinë se provokonte protestuesit. Në këtë periudhë, Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt, marrëdhëniet e të cilit ishin ftohur ndjeshëm me opozitën publikon një editorial, ku bën dallimin mes protestës paqësore të studentëve dhe protestave të dhunshme të opozitës. Ky editorial dhe gjesti i gishtit ndaj protestuesve të “Astirit” më vonë ishin shkaku që Ilir Meta e shpalli “non grata” në Presidencë.

Në fund të majit, Edi Rama i drejtohet përmes disa letrave publike Lulzim Bashës ku e fton në tryezë. Ftesat u rrëzuan njëra pas tjetrës dhe vendi hyri zyrtarisht në fushatë elektorale. Rama nuk humbi kohë dhe nisi turet zgjedhore në vend, ndërsa opozita po gatuante protestën e radhës kombëtare me 8 qershor.

Vetë Presidenti do të shndërrohej në protagonist pikërisht më 8 qershor. Në këtë datë, opozita kishte thirrur protestën e radhës, ku flitej sërish për episode dhune me shënjestër Kryeministrinë dhe Kuvendin. Presidenca del me një njoftim të shkurtër, ku thotë se nisur nga situata, Presidenti Ilir Meta kishte vendosur anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Më 10 qershor ai nxjerr dekretin që shfuqizonte dekretin e nëntorit 2018 për shpalljen e datës së zgjedhjeve, duke deklaruar se me këtë akt po u jepte kohë palëve që të uleshin në tryezë dhe të bisedonin me bindjen se po shmangte përplasjen civile.

Vendimi i Metës e gjeti Edi Ramën në një takim elektoral në Kuçovë, nga ku sinjalizoi se për të dekreti që anulonte 30 qershorin nuk do të njihej nga mazhoranca. Mazhoranca aktivizoi Kolegjin Zgjedhor përmes përfaqësuesve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Në të vërtetë, Kolegji shqyrtoi kërkesën e një partie të vogël që kishte kërkuar çregjistrimin nga fletët e votimit pas dekretit të Presidentit dhe jo interpretimin e kushtetueshmërisë së dekretit presidencial.

Kolegji refuzoi kërkesën e kësaj partie për t’u çregjistruar dhe socialistët e interpretuan këtë vendim si provë e paavlefshmërisë së dekretit të Metës, pavarësisht se dekreti ishte botuar në Fletoren Zyrtare.

Me atmosferën e tensionuar në maksimum dhe që rrezikonte të shpërthente nga momenti në moment Shqipëria po i afrohej 30 qershorit. Basha përsëriste se opozita nuk do të lejonte zgjedhjet dhe disa KZAZ-ve me materiale zgjedhore iu vu flaka në Tropojë, Shkodër, Burrel. KZAZ-të u sulmuan edhe në Bilisht, Skrapar e zona të tjera të vendit.

Më 27 qershor, tre ditë para zgjedhjeve, Ilir Meta dekreton 13 tetorin si datë të re zgjedhjesh. Ai tha se kishte zgjedhur këtë datë që Shqipëria të mos humbte trenin e negociatave dhe kërkoi nga Edi Rama që të reflektonte. Meta iu përgjigj edhe akuzave se ndante të njëjtën agjendë me opozitën. “Unë them Edi reflekto, jo Edi largohu!”, tha ai.

Në daljen e parë për media pas 30 qershorit, Presidenti e cilësoi procesin monist dhe akuzoi se disa përfaqësues ndërkombëtarë po kërkonin të destabilizonin Shqipërinë. Në shënjestër të tij përfundoi George Soros dhe fondacioni i tij “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë”, që tha se synonin ngritjen e një shteti të nëndheshëm në vendin tonë. PS iu përgjigj duke ngritur Komisionin Hetimor për shkarkimin e tij.

PS garoi e vetme në më shumë se gjysmën e bashkive, ndërsa në gjysmën tjetër gara ishte formale. Në fund të procesit kandidatët socialistë fituan që të gjitha bashkitë, ndërsa pati një amulli dhe mospërputhje shifrash në disa bashki mes votave të fituara nga kandidatët socialistë me pjesëmarrjen në zgjedhje, ku kjo e fundit ishte më e ulët.

Por, fituesi i vërtetë i këtyre zgjedhjeve ishin votat e pavlefshme dhe bojkotimi i procesit. Shifrat zyrtare të pjesëmarrjes ndryshuan disa herë, duke filluar nga 15 për qind dhe duke u ndaluar në rreth 22 për qind.

Mes fituesve ishte edhe Valdrin Pjetri në Shkodër dhe Agim Kajmaku në Vorë. PD akuzoi dy kandidatët se kishin gënjyer në formularin e dekriminalizimit dhe se i pari ishte i dënuar në Itali, ndërsa i dyti në Greqi. Valdrin Pjetri u dorëhoq pa kryer betimin, ndërsa Agim Kajmaku kreu betimin dhe mori detyrën, për t’u shkarkuar më vonë nga KQZ pasi nuk kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit se ishte hetuar në Greqi.

Në fund të korrikut, në media qarkulloi një lajm mbi një shqetësim të ngritur nga Presidenti Ilir Meta për gatishmërinë e strukturave shtetërore, në raste fatkeqësishë natyrore, siç ishin tërmetet, ndërsa gushti u mbyll relativisht i qetë. Shtatori solli bashkë me vjeshtën edhe tërmetin e 21 shtatorit, fatmirësisht pa viktima. Bashkë me të erdhi edhe lajmi i keq nga Bundestagu gjerman. Ky i fundit vendosi nëntë kushte për një vendim pozitiv për hapjen e negociatave, ku mes tyre ishte reforma zgjedhore dhe ngritja e Gjykatës Kushtetuese,

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi u vu në lëvizje dhe në fund të shtatorit miratoi katër lista për katër vakanca, dy që i takonin Presidentit dhe dy Kuvendit. I pari që zgjedh ishte Ilir Meta, që nga lista e parë emëroi Besnik Muçin, ndërsa nga lista e dytë nuk zgjodhi asnjë emër. Mazhoranca mori të mirëqënë emërimin e Arta Vorpsit, që ishte e renditur e para në listat e dërguara nga KED dhe votoi Fiona Papajorgjin dhe Elsa Toskën si anëtare të Gjykatës Kushtetuese.

Pas votimit në Parlament, Meta zgjedh Marsida Xhaferllarin nga lista e dytë dhe akuzon kryetarin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për thurjen dhe drejtimin e një skeme mafioze në KED me qëllim kapjen e Gjykatës Kushtetuese nga ana e mazhorancës. Meta refuzoi të kryejë ceremoninë e betimit për Arta Vorpsin, e renditur e para në të gjitha listat e KED-së nuk u zgjodh as nga Kuvendi dhe as nga Presidenti betohet para noterit, sipas një precedenti të marrë nga Polonia.

Megjithatë, gota gjysmë plot e Berlinit u thye plotësisht nga qëndrimi i Francës. Emmanuel Macron bllokoi më 18 tetor hapjen e negociatave si për Shqipërinë, ashtu edhe për Maqedoninë e Veriut me arsyetimin se më parë duhej reformuar vetë mekanizmi negociues i BE-së, ku 35 kapitujt të zëvendësoheshin me faza.

Në Shqipëri opozita fajësonte Qeverinë, ndërsa Qeveria fajësonte përplasjen e brendshme të BE-së për refuzimin e radhës.

“Tërmeti” politik i 11 muajve të 2019 i la vendin një tërmeti të vërtetë me pasoja më tragjike. Në orët e mëngjesit të 26 nëntorit vendi u shkund nga lëkundjet 6.3 i shkallës Rihter. Pas la 51 viktima dhe mijëra të pastrehë. Kryeqendrat e tragjedisë ishin Durrësi dhe Thumana. Në Thumanë u konsumua një tragjedi e paralajmëruar, ku tërmeti nxorri në pah edhe mosreagimin e strukturave shtetërore, pasi shqetësimit të ngritur nga banorët që në gusht të 2018 për sigurinë e pallateve të tyre.

Veç kësaj, tragjedia vuri në pikëpyetje edhe aftësinë e strukturave shqiptare të emergjencës për të përballuar kriza të këtyre përmasave. Politika la menjanë sherrin e ditës dhe ndonëse në terren rivalët nuk u shfaqën asnjëherë bashkë, në mesazhet e përcjella bënin thirrje për solidaritet.

Por, ditët e zisë mbaruan shpejt dhe pa u mbushur ende muaji nisi përplasja mbi menaxhimin e krizës humanitare. Lulzim Basha akuzonte Edi Ramën se kishte dështuar, duke lënë në çadra mijëra banorë. Basha kërkonte që duke shfrytëzuar gjendjen e emergjencës, Qeveria të anulonte 150 mln euro para që sipas tij shkojnë në tendera korruptivë për oligarkët dhe t’i përdorte këto para për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve të prekur nga tërmeti.

Megjithatë, Edi Rama deklaronte se duhej gjetur një rrugë e mesme, ku nuk mund të sakrifikohej ekonomia e vendit për rindërtimin. Qeveria në buxhetin e 2020 shkurtoi shpenzimet në disa fronte, por jo në projektet e kritikuara me partneritet publik-privat dhe vetë Edi Rama tha se në janar do të hapen procedurat për disa nga këto projekte, duke filluar që nga ai Thumanë-Kashar.

Paralelisht me buxhetin, mazhoranca kaloi edhe paketën antishpifje, të kritikuar nga organizata dhe institucione të tjera vendase dhe ndërkombëtare.

Tërmeti dhe menaxhimi i pasojave të tij kaluan në plan të dytë pas takimit të tretë rajonal të udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të nismës të cilësuar si “Shengeni i Ballkanit”. Ashtu si në dy takimet e para në Novi Sad dhe Ohër, takimit të Tiranës i mungoi Kosova.

Në Prishtinë dolën hapur dhe nuk e justifikuan më mungesën në këtë takim me mungesën e një Qeverie, por thuajse e gjithë klasa politike kosovare, përfshirë Hashim Thaçin, akuzonte se “Shengeni Ballkanik” ishte një përpjekje serbe për të krijuar Jugosllavinë e Re dhe për të izoluar Kosovën.

Ky qëndrim gjeti jehonë edhe në Tiranë nga opozita. Lulzim Basha akuzonte se me pjesëmarrjen në këtë nismë, Edi Rama po e orientonte Shqipërinë drejt Moskës. Edi Rama u etiketua si tradhtar, që priste Aleksandër Vuçiç në Shqipëri pak ditë pas deklaratave të Presidentit serb që mohonte masakrën e Reçakut. Rama vetë u mbrojt duke akuzuar zërat kundër për hipokrizi. Ai tha se të njëjtët që sot kundërshtonin këtë nismë, jo shumë kohë më parë ishin mbështetës të saj.

Kjo ishte përmbledhja e shkurtër e një tjetër viti të dominuar nga politika, por që ndryshe nga herët e tjera, në 2019 politika shqiptare ja tejkaloi edhe vetvetes me aftësinë për të prodhuar, nxitur e konsumuar kriza më të mëdha nga sa është në gjendje që të përballojë një popull i vogël.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë