Lajme

Bojkot brenda kutive të votimit- “Tërmet” votash të pavlefshme

Hapja e kutive të votimit ka nxjerrë në pah : pavlefshmërinë e votës.

Pavlefshmëria ka qenë e pranishme në të gjitha proceset zgjedhore shqiptare, por në zgjedhjet e 30 qershorit mori të tjera përmasa, ku bie në sy që pjesa dërrmuese e fletëve të votimit janë bërë të pavlefshme me vetëdije.

Rekordin e fletëve të pavlefshmërisë, edhe për faktin që ishte bashkia me pjesëmarrjen më të lartë të votuesve, e mban Tiranë. Gazeta “Si” siguron përmes burimeve të saj se pa votat e pavlefshme në dy KZAZ, janë të paktën 13 mijë fletë dhe në një skenar të mundshëm bashkë me fletët e pavlefshme të dy KZAZ-ve, numri i këtyre votave “të djegura” mund të shkojë deri në 16 mijë, ose 10 për qind e totalit të votave të hedhura në kuti.

Në 2015, me një pjesëmarrje prej 305 mijë e 440 personash, pra thuajse dyfish më të lartë se në zgjedhjet e kësaj të diele, numri i fletëve të votimit të shpallura të pavlefshme në Bashkinë e Tiranës ishte përkatësisht 6,180 në kutitë për kandidatët për kryetar bashkie dhe 10,875 në kutitë për anëtarët e Këshillit Bashkiak.

Në zgjedhjet e 2011, vota të pavlefshme në të gjithë Qarkun e Tiranës, pra duke përfshirë edhe bashkitë e Kavajës, Rrogozhinës, Vorës dhe të Kamzës ishte vetëm 12.692 në një total prej 391.241 votuesish në të gjithë Qarkun.

Pas Tiranës, numër rekord votash të pavlefshme mban Bashkia e Durrësit. Këtu janë plot 2029 vota të pavlefshme në një total prej 37 mijë votuesish. Të përkthyera në përqindje, pesha e këtyre votave shkon 8 deri në 9 për qind.

Në Bashkinë e Fierit kutitë kanë nxjerrë 2302 vota të pavlefshme. Fenomeni është i njëjtë: pjesa më e madhe e tyre janë bërë të pavlefshme me vetëdije nga ana e votuesve. Shifra është më shumë se pesë përqind i totalit të votave të hedhura në këtë Bashki.

Edhe në Elbasan u regjistrua i njëjti fenomen. Janë rreth 2100 vota të pavlefshme të dala nga kutitë e votimit për këtë bashki, të përkthyera në përqindje 5 deri në 6 për qind e votave totale. Në Korçë janë rreth 2 mijë vota të pavlefshme, në Lezhë rreth 1200 dhe në shifra më të ulta për shkak edhe të pjesëmarrjes dhe numrit më të ulët të zgjedhësve pavlefshmëria me vetëdijë pasqyrohet thuajse në të gjitha bashkitë.

Gazeta “Si” është në gjendje të konfirmojë deri më tani 27,636 vota të pavlefshme në të gjithë vendin, kur numërimi nuk është mbyllur ende në disa bashki. Shifra është alarmante në krahasim me zgjedhjet parlamentare të 2017, kur numri i votave të pavlefshme ishte 31.898, por në 1.613.810 votues. Më 30 qershor, vetëm 771 mijë votuesit kanë prodhurar 27,636 vota të pavlefshme, ose rreth 5 për qind deri më tani, që tregon se pavlefshmëria ka qenë me vetëdije.

A mundet që pavlefshmëria e votës të interpretohet si “votë proteste”? Arsyet janë të ndryshme por fakti mbetet një: këto votime u bojkotuan jashtë por dhe brenda kutisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë