Politike

Nga ‘deep state’, te Mic Sokoli e Avni Rustemi; një fjalor për fjalimin e Metës

Për një orë e pesë minuta, Presidenti Ilir Meta prodhoi më shumë se një lajm në përgjigjet që u dha pyetjeve të gazetarëve. Kryelajmi ishte gjuha e ashpërsuar kundër ndërkombëtarëve, veçanërisht Ambasadës Amerikane, që Presidenti nënkuptoi se ndjek një tjetër agjendë nga ajo e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri dhe Ballkan.

Meta falenderoi qytetarët, pasi sipas tij, me qetësinë dhe pjekurinë e treguar më 30 qershor, si ata që votuan, edhe ata që bojkotuan shmangën një komplot të hershëm. Ai nuk përmendi emra se kush qëndronte pas këtij komploti, por foli për një “strukturë ndërkombëtare të mirëorganizuar” të përbërë në Shqipëri nga politikanë, njerëz të medias dhe diplomatë që kanë braktisur misionin e tyre.

Presidenti tha se kjo strukturë, në Shqipëri drejton një “shtet të nëndheshëm” me agjendë krejt tjetër nga ajo e qytetarëve shqiptarë. Por, çfarë është “shteti i nëndheshëm”, ose “deep state? Fjalorët shpjegues ndërkombëtarë e cilësojnë si një strukturë, që mund të jetë segment i vetë shtetit, koorporata, apo biznesmenë të fuqishëm, të cilët kontrollojnë qeverinë reale, duke i imponuar asaj agjendën dhe nismat ligjore.

Koncepti modern i “deep state” buron nga vitet 1920 nga Mustafa Kemal Ataturku në Turqi, i cili kontrollonte edhe pushtetet që nuk i kishte në dorë vetë përmes një strukture të ngritur brenda shërbimeve sekrete të vendit.

Pa e shtjelluar se kush e drejtonte “shtetin e nëndheshëm” në Shqipëri, Meta kaloi direkt tek përçimi i një mesazhi për George Soros. “Kam dy fjalë dhe për miliarderin e nderuar zotin George Soros. Nuk e kam dëgjuar me vëmendje Viktor Orbanin në janar të vitit 2000 kur unë i flisja gjithë dashuri për Sorosin, se me thënë të drejtën na ndihmoi në kohën e opozitës, më tha: “kini kujdes se nuk është aq demorat sa ç’duket dhe komploton shpesh kundër demokracisë”, tha Meta.

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/videos/351714428850811/

A nënkuptoi Presidenti se fijet e “shtetit të nëndheshëm” në Shqipëri kontrollohen nga miliarderi kontravers? Meta nuk i dha një përgjigje të prerë, por logjikën e vazhdoi duke premtuar se ai nuk do të dorëzohej dhe të largohej (ashtu si Gruevski në Maqedoni), por do t’i kundërvihej kësaj strukture, që sipas Metës po kërkon që ta kthejë Shqipërinë në një oaz të pastrimit të parave dhe të krimit të organizuar ndërkombëtar.

Si do t’i kundërvihej kësaj strukture? Shembujt i solli nga historia. “Ilir Meta nuk është politikan i racës së Gruevksit. Është Presidenti i Shqipërisë dhe do t’i dalë për zot Shqipërisë. Është i racës së politikanëve të Avni Rustemit, edhe e disa shqiptarëve të tjerë si Mic Sokoli dhe Vojo Kushi”, ka theksuar Meta.

Heronjtë e historisë që zgjodhi për të krahasuar veten sugjerojnë se Ilir Meta është gati të vetëflijohet, jo vetëm të sakrifikojë jetën e tij politike. Si Mic Sokoli, si Avni Rustemi, ashtu edhe Vojo Kushi kanë një të përbashkët; që të tre kanë sakrifikuar veten për të mbrojtur vendin dhe idealin e tyre.

Avni Rustemi vrau më 13 qershor të 1920 Esat Pashë Toptanin në Shkodër. Ky i fundit konsiderohej si tradhtar, pasi disa vite më parë kishte vrarë komandantin e trupave ushtarake mbrojtëse në Shkodër dhe më pas ua dorëzoi malazezëve këtë qytet. Toptani jetonte në Paris, ku përpiqej vazhdimisht të njihej nga ndërkombëtarët në mos si monark, të paktën si kryeministër i Shqipërisë. Për këtë, ai komplotonte vazhdimisht kundër qeverive të brishta që më parë rrëzoheshin sesa ngriheshin në vendin e sapodalë nga Lufta e Parë Ballkanike.

Avni Rustemi gjatë procesit gjyqësor në Francë, pas vrasjes së Esad Pashë Toptanit

Avni Rustemi u dha fund këtyre komploteve. Ai u arrestua, por u lirua në dhjetor të 1920, pasi akti shihej në Francë dhe kudo në Europës si një rebelim i shtresave të shtypura kundër feudalizmit të prapambetur në Shqipëri. Kur u kthye në atdhe, ai u prit si hero dhe menjëherë u bë pjesë e klasës politike. U zgjodh deputet me ndihmën e Bajram Currit dhe mori në drejtim Frontin Demokratik të Fan Nolit.

Kundërshtar politik në Asamblenë e asaj kohe kishte Ahmet Zogun, që mbante postin e Kryeministrit dhe pas vetes kishte pjesën më të madhe të bejlerëve të vendit. Një atentat ndaj Zogut në vitin 1923 ashpërsoi gjuhën politike. Zogu vetë dhe mbështetësit e tij fajësonin edhe Avni Rustemin, ndërkohë që vetë Avni Rustemi mbeti i plagosur nga një atentat i ndërmarrë kundër tij më 20 prill të 1920 nga Jusuf Reçi, një mullixhi. Rustemi vdiq dy ditë më vonë dhe vdekja e tij pasoi më vonë atë që njihet si Revolucioni i Qershorit.

Për t’u rikthyer në ditët e sotme, nëse Meta është Avni Rustemi, kush është Esat Pashë Toptani? Presidenti vetë nuk i ktheu përgjigje kësaj pyetjeje, por edhe njëherë shprehu këmbënguljen për të vazhduar deri në fund misionin e tij, që tha se është në mbrojtje të Shqipërisë dhe interesave të shqiptarëve.

Vojo Kushi nuk u bë asnjëherë pjesë e politikës, por si pjesë e forcave partizane kundër pushtimit fashist do të mbahej mend për aktin heroik në vitin 1942, kur i rrethuar nga forcat fashiste, kërcen mbi një tank, ku edhe gjen vdekjen. Edhe në këtë rast, se kush janë forcat fashiste, Ilir Meta nuk e sqaroi.

Pikturë kushtuar aktit heroik të Vojo Kushit, mbi tankun italian me një granatë në dorë

Mic Sokoli ishte një prej luftëtarëve më me emër të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. I lindur në vitin 1839 në Fang të Bujanit, ai do të përfshihej shpejt në rezistencën me pushkë ndaj pushtuesve malazezë në zonën e Malësisë. Historianët bien dakort se ai ka qenë vetëm 16 vjeç në betejën e parë për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga trupat serbo-malazeze.

Sipas historianëve, aktet e trimërisë dhe aftësia për të manovruar sidomos pas vijave të armikut e bënë shpejt prijës të një grupi luftëtarësh që vepruan në vitet që pasuan në zonën Malësisë, Gjakovës dhe të Prizrenit, për t’u rikthyer në mbrojtje të Plavës e Gucisë në janar të vitit 1880 si pjesë e forcave të armatosura vullnetare të ngritura nga Lidhja e Prizrenit për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga copëtimi që ishte vendosur në Konferencën e Berlinit.

Pikturë kushtuar aktit heroik të Mic Sokolit, që i vë gjoksin topit të artilerisë osmane

Në këto beteja arriti që të mbijetojë, për të rënë heroikisht një vit më vonë në luftën e bërë në Koshare-Slivovë e Shtimë kundër trupave osmane, që kishin hyrë në Kosovë me misionin e shpartallimit të Lidhjes së Prizrenit. Këtu, Mic Sokoli dhe i gjithë grupi i luftëtarëve që ai drejtonte ra heroikisht nga predhat në përpjekje për të marrë kontrollet e artilerisë osmane.

“Të gjithë këta luftëtarë trima u vranë bashkë me komandantin e tyre, Mic Sokolin”, shkruan historiani Kristo Frashëri në librin e tij “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”, Tiranë, 2012.

Kjo është raca e politikanëve e luftëtarëve që përmendi Ilir Meta. Secili prej tyre sakrifikoi gjithçka për të mbrojtur këtë vend nga armiqtë. Që është luftarak dhe politikan, Ilir Meta e ka provuar e stërprovuar duke dalë nga situatat e vështira, por a mund të jetë në një listë me Avni Rustemin, Vojo Kushin, Mic Sokolin e Mujo Ulqinakun? A po i kanoset vendit i njëjti rrezik si në shekullin e 19-të dhe gjysmën e parë të shekullit 20?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë