Politike

Zbardhet drafti francez / Negociatat, 7 faza zëvendësojnë 35 kapitujt

Propozimi francez sesi duhet të ndryshojnë kushtet për procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian është bërë publik. Përveç katër parimeve mbi të cilat është ngritur ky propozim, të cilat gazeta “Si” i solli më herët, drafti përcakton me detaje sesi duhet të ndryshojë qasja e BE.

Sipas propozimit francez, 35 kapitujt që ekzistojnë aktualisht në lidhje me negociatat e anëtarësimit duhet të zëvendësohen me shtatë faza, që do të integronin vendin kandidat në mënyrë graduale, deri në anëtarësim të plotë.

Në fazën e parë – Sundimi i ligjit, të drejtat themelore, drejtësia dhe siguria

Kjo fazë zëvendëson kapitujt 23 dhe 24, që kanë të bëjnë me reformat në gjyqësore, të drejtat themelore të njeriut, drejtësia, liritë dhe siguria. Në këtë fazë ofrohet pjesëmarrja e vendit kandidat në Agjencinë e BE për të Drejtat Themelore dhe instrumentat e saj, akses në sistemin e informacionit për këto të drejta, marrëveshje bashkëpunimi me Eurojust, ku përfshihen shkëmbime informacionesh, edhe të dhëna personale dhe shkëmbime të tjera në fushën e drejtësisë. Po në këtë fazë vendeve kandidate u propozohet përfshirja në grupet e punës së BE për drejtësinë dhe në fund ratifikimi i marrëveshjeve përkatëse ndërkombëtare dhe europiane.

Faza e dytë – Edukimi, hulumtimi, rinia, kultura, sporti, mjedisi, transporti, telekomunikacioni dhe energjia

Kjo fazë zëvendëson kapitujt 14, 15, 21, 22, 25, 26 dhe 27, që kanë të bëjnë me transportin, energjinë, rrjetet ndërlidhëse europiane, politikat rajonale, edukimi e kultura, shkenca dhe hulumtimi e në fund mjedisi. Në vend të tyre, Franca propozon për vendet kandidat një program Erasmus+, akses për studiuesit në të gjithë Europën, pjesëmarrje në programin Life+ dhe në fund lehtësi në lëvizje, por jo lëvizje të lirë.

Faza e tretë – Punësimi, politikat sociale, shëndeti, mbrojtja e konsumatorit, konkurrueshmëria

Kjo fazë zëvendëson kapitujt 5,7,8,9, 20 dhe 28, që kanë të bëjnë me tenderat, të drejtën e pronës, konkurrencën, politikat sociale dhe punësimi, politikat për sipërmarrjen dhe shëndeti e mbrojtja e konsumatorit. Në vend të kësaj, Franca propozon që vendi kandidat të marrë pjesë në politikat industriale e unionit, pa përjashtuar mundësinë e përfshirjes në projekte me rëndësi dhe me interes të përbashkët. Propozohet gjithashtu pjesëmarrja në rrjetin europian EURES dhe sindikata si dhe në takime të caktuara të BE-së sipas tematikave.

Faza e katërt – Çështjet ekonomike dhe financiare

Kjo fazë zëvendëson kapitujt 4, 9, 16, 17, 18, 32 që kanë të bëjnë me lëvizjen e lirë të kapitalit, shërbimet financiare, taksat, politikat ekonomike e monetare, statistikat dhe kontrollin financiar. Në vend të kësaj, Franca propozon pjesëmarrje në tregun bankar europian dhe në Unionin e Tregjeve të Kapitalit, përveç lëvizjes së shërbimeve financiare, që aktivizohen në fazën e pestë.

Faza e pestë – Tregu i brendshëm, bujqësia dhe peshkimi

Kjo fazë zëvendëson kapitujt 1, 2, 3, 6, 9, 10, 11, 12 dhe 13, që kanë të bëjnë me bashkimin doganor, lëvizjen e lirë të mallrave, punëtorëve, lirinë për të ofruar shërbime, ligjet e sipërmarrjes, median dhe shoqërinë e informacionit, bujqësinë, sigurinë ushqimore dhe peshkimin. Franca propozon që këto të zëvendësohen me unionin doganor, pjesëmarrje për vendin kandidat në tregun e brendshëm në fund të kësaj faze, por gjithmonë në varësi të progresit të vendit kandidat, një bllok të përbashkët për politikat bujqësore dhe akses në mekanizmin e subvencioneve dhe të mbrojtjes së industrisë së peshkimit.

Faza e gjashtë – Politika e jashtme

Kjo fazë zëvendëson kapitujt 31 dhe 32, që kërkojnë njësimin e qëndrimeve të politikës së jashtme me qëndrimet e Bashkimit Europian. Në vend të tyre, Franca propozon marrëveshje bashkëpunimi konsullor dhe përfshirje e mbrojtjes së qytetarëve të vendeve kandidate me të njëjtin status si qytetarët e një vendi anëtar.

Faza e shtatë – Çështje të tjera

Kjo fazë zëvendëson kapitujt 33, 34 dhe 35 që kanë të bëjnë me marrëveshjet financiare e buxhetore, institucionet dhe problematika të tjera. Në përfundim të kësaj faze, Franca propozon anëtarësimin e plotë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë