Politike

Çfarë e pengoi “dekriminalizimin” e Valdrin Pjetrit?

Formulari i vetëdeklarimit në kuadër të ligjit të dekriminalizimit në total ka tetë pyetje mes të cilave edhe pyetjet: “A është marrë ndonjëherë për ju masa e dëbimit nga një shtet i huaj?” dhe “A jeni dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë nga një autoritet gjyqësor shqiptar, ose i huaj?”. Këtyre dy pyetjeve dhe të gjitha pyetjeve të tjera që kërkojnë përgjigje nëse ka patur “hesape” penale me drejtësinë shqiptare, ose të huaj në të shkuarën, Valdrin Pjetri u është përgjigjur me “Jo”.

Plotësimi me “Po” i njërës prej këtyre pyetjeve do ta skualifikonte atë automatikisht nga gara si kandidat për kryetar bashkie në Shkodër. Por, pasi u është përgjigjur me “Jo” të gjitha këtyre pyetjeve, Valdrin Pjetri ka marrë përsipër edhe pasojat që prodhon deklarimi i rremë, gjithmonë nëse provohet që ai rezulton i dënuar me trafik droge në Itali.

“Kujdes! Jeni i/e sigurt? Sugjerohet që nënshkrimi i këtij seksioni të bëhet pasi është plotësuar saktë i gjithë formulari”. Me këtë shënim mbyllet formulari i vetëdeklarimit për dekriminalizimin, të cilin Valdrin Pjetri e ka firmosur të zezë mbi të bardhë.

Dorëzimi i këtij akti ishte hallka e fundit që i hapi rrugë kandidimit të tij nën logon e Partisë Socialiste më 30 qershor. Para kësaj, kishte kaluar edhe në filtrat e partisë. Fillimisht Taulant Balla dhe më pas Edi Rama deklaruan pas publikimit të dokumenteve nga ana e Partisë Demokratike, se sqarimet e dhëna nga Valdrin Pjetri nuk mjaftojnë, por për këtë duhet të flasë drejtësia.

Edhe kur drejtësia të flasë për Valdrin Pjetrin, gjithmonë nëse provohet se ai ka gënjyer në formularin e vetëdeklarimit, rasti i tij do të ngrinte dyshimet mbi zbatueshmërinë e ligjit të dekriminalizimit. Ligji i miratuar unanimisht në 2015 vlerësohet si shembull suksesi nga të gjitha palët dhe përgjithësisht është zbatuar duke larguar në total nga poste të zgjedhurish, ose nga poste drejtuese në administratë mbi 300 zyrtarë.

Pavarësisht disa kritikave për ashpërsinë e tij, ligji në fjalë përshëndetet më fort për efektin më pozitiv i tij, që ka qenë largimi i personave me precedentë penalë si kandidatë të përzgjedhur nga politika në zgjedhjet parlamentare dhe ato vendore të disa emrave të bujshëm, si ai i Elvis Rroshit në Kavajë.

Por, rasti i Valdrin Pjetrit është përjashtim. Ai ja doli mbanë që t’u shpëtonte filtrave të dekriminalizimit dhe nëse nuk do të ishte denoncuar nga Partia Demokratike, ai do të merrte detyrën e kryebashkiakut të Shkodrës krejt i patrazuar.

Këtu lind pyetja se cili institucion i ngarkuar me zbatimin e ligjit të dekriminalizimit dështoi në identifikimin e problematikës së Valdrin Pjetrit që në momentin që ky i fundit u shpall kandidat për zgjedhjet e 30 qershorit?

Për të zgjedhurit vendorë dhe ata qendrorë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është organi ku depozitohen formularët e vetëdeklarimit. Por, ky institucion nuk ka as mekanizmat dhe as tagrin që të verifikojë veprat penale të kryera jashtë vendit të subjekteve të dekriminalizimit. Zëdhënësja e këtij institucioni, Drilona Hoxhaj thotë për gazetasi.al se KQZ i merr apriori deklaratat dhe verifikon vetëm nëse ato që janë deklaruar nga subjekti në formularin e vetëdeklarimit i ndalojnë kandidimin në zgjedhje, apo jo dhe jo të verifikojë vërtetësinë e vetëdeklarimit, sidomos për krime të kryera jashtë Shqipërisë.

Verifikimi është detyrë që i takon prokurorisë. Në rastin Pjetri, kjo e fundit është vënë në lëvizje vetëm pas denoncimeve të Partisë Demokratike. Çfarë e pengoi këtë institucion që të verifikonte para zgjedhjeve të 30 qershorit këtë kandidaturë? Ka qenë paaftësia, neglizhenca apo një tjetër faktor i qëllimshëm që e ka penguar këtë proces?

Këto janë pyetjet që duhet të marrin përgjigje së bashku me vërtetësinë, ose jo të dokumentacionit të publikuar nga Partia Demokratike, sepse pavarësisht kritikave për ashpërsinë e madhe në fund të fund, dekriminalizimi është ligj dhe ligji është i barabartë për të gjithë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë