Histori

“Zonja e Hekurt” Margaret Thatcher

Gjashtë vite më parë mbylli sytë Margaret Thatcher, kryeministrja e parë femër e Britanisë së Madhe, që u pagëzua me emrin “Zonja e Hekurt” falë këmbënguljes në ideologjinë politike të saj, por edhe për vendosmërinë e treguar në një moment delikat për britanikët, siç ishte lufta me Argjentinën për sovranitetin e Ishujve Falklands.

Margaret Hilda Thatcher, ishte Kryeministrja më jetëgjatë e shekullit XX në Britani, një vend me një histori të gjatë monarkesh femra, Thatcher është e para dhe e vetmja që drejtoi ekzekutivin britanik. Me stilin e drejtimit autoritar, Thatcher mbahet mend për një sërë reformash të thella dhe gjithëpërfshirëse, që bënë një gazetar sovjetik ta mbiquante “Zonja e Hekurt”. Që prej atëherë, kjo nofkë u bashkangjit përjetësisht me figurën e baroneshës, e cila u nda nga jeta të hënën e 8 prillit 2013, në moshën 87-vjeçare.

Historia e ngritjes së saj deri në krye të shtetit është një histori e rrallë, e një njeriu të zakonshëm, që përballë të gjithë pengesave dhe pa asnjë përkrahje, arriti të ngjitej deri në majë dhe të ndryshonte jetën e dhjetëra miliona bashkëkohësve të saj.

E lindur në vitin 1925, si vajza e një kasapi, Thatcher kreu studimet e mesme gjatë Luftës së Dytë Botërore. Arriti të merrte vlerësime të shkëlqyera në aktivitetet jashtëkollore, midis të cilave recitimet poetike, piano, noti, ecja dhe hokei në bar. Në studimet e larta, Thatcher u diplomua si kimiste, përpara se t’i përkushtohej një universiteti të dytë dhe në krye të disa viteve, të diplomohej edhe si avokate e specializuar në fushën e tatim-taksave.

Kontakti i saj i parë me politikën erdhi në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 1951, kur ajo u përfshi në listën e konservatorëve falë edhe sponsorimit të Denis Thatcher, me të cilin ajo u lidh në martesë në të njëjtin vit. Në ato zgjedhje, Margaret tërhoqi vëmendje si kandidatja më e re femër. Humbja në sprovën e parë politike do t’i aktivizonte egon për të mos u dorëzuar, por për të këmbëngulur më tej.

Në zgjedhjet e vitit 1955 nuk mori pjesë pasi ishte shtatzanë me fëmijën e saj të parë. Katër vjet më vonë u përfshi në listë dhe u zgjodh anëtare e Dhomës së Përfaqësuesve në Parlamentin britanik. Në vitin 1970, kur ishte 35 vjeç u emërua ministre e Arsimit, që e mbajti deri në vitin 1975, kohë kur u zgjodh si kryetare e Partisë Konservatore, me të cilën fitoi zgjedhjet dhe mori postin e Kryeministres.

Ndër masat e para të ndërmarra prej saj janë reformat ekonomike, kufizimi i emigrantëve, reformimi i sistemit të taksave dhe një proces i gjerë privatizimesh, që bashkuar me reformat e tjera dhe autoritarizmin e saj bënë që kjo epokë të mbahet mend me emrin e “Thatcherizmit”.

Megjithatë, ishin cilësitë e rralla të “Zonjës së Hekurt” në përgjigjen ndaj pushtimit argjentinas të Ishujve Falklands, në vitin 1982, ato që përligjën më shumë pseudonimin e saj. Junta ushtarake argjentinase në atë kohë nënvlerësoi si fuqinë, ashtu edhe vendosmërinë e Margaret Thatcher për t’iu kundërpërgjigjur ushtarakisht për sovranitetin e këtyre ishujve të largët për Londrën.

Thatcher u provoi të kundërtën. Ajo jo vetëm që nuk qëndroi pasive, por urdhëroi flotën ajrore dhe detare që të rikthejnë me çdokush nën sovranitetin e kurorës ishujt e pushtuar nga Argjentina. Lufta u fitua pas 2 muajsh me dorëzimin e Argjentinës.

Me rikthimin e ishujve nën sovranitetin e britanik popullariteti i Thatcher u ngjit në nivele të panjohura më parë për një kryeministër në Britani. Aftësitë e Thatcher në politikë e jashtme u panë edhe me paqen e arritur në Irlandën e Veriut, që prej dekadash ishte përfshirë në një betejë të përgjakshme separatiste dhe ndërfetare, midis protestantëve e katolikëve.

Thatcher u largua nga pozicioni i saj pa humbur zgjedhje, por pasi sondazhet e vitit 1990, treguan se ajo ishte më pak popullore se partia e saj dhe pasi Laburistët kishin forcuar avantazhin e tyre në opinionin publik, në nivele të panjohura më parë.

Atëherë 66-vjeçare, “Zonja e Hekurt” vendosi të jepte dorëheqjen si deputete në vitin 1992, dy vjet pas largimit nga posti i kryeministres, me argumentin se pa angazhimin si deputete, do të kishte më shumë liri për të thënë dhe vepruar ashtu si mendonte.

Pas tërheqjes nga politika, Thatcher u angazhua me botimin e disa librave me kujtime, ndërtoi një fondacion bamirës dhe pati edhe disa angazhime të tjera, si ai me markën e cigareve “Philip Morris”, e cila e pajtoi ish-kryeministren si eksperte gjeostrategjike, me një pagë rekord për kohën (250 mijë stërlina në vit), para që financonin fondacionin.

Pas vitit 2003, kur bashkëshorti i saj ndërroi jetë, Thatcher bëri një jetë më të tërhequr, por nuk mungoi të ishte e pranishme në pritje të shumta shtetërore, midis të cilave edhe në funeralin e ish-bashkëpunëtorit të saj të ngushtë, Presidentit të SHBA-ve, Ronald Reagan.

Margaret Thatcher dhe Ronald Reagan

Në vitin 2007, Thatcher u shndërrua edhe në të parën ish-lidere të shtetit, që nderohet me një statujë në Parlament, kur është ende në jetë.

Mikhail Gorbachev, ish-presidenti i Bashkimit Sovjetik, bashkëudhëheqës me Thatcher e vlerësonte me këto fjalë: “Një politikane e madhe, do t’i përkasë përgjithmonë historisë. Ajo ishte një bashkëpunëtore e fundit të regjimit sovjetik dhe kalimit të Rusisë në demokraci”.

Henry Kissinger, ish-Sekretar i Shtetit në SHBA e cilësonte “Një lidere e madhe dhe një mike e shkëlqyer e Shteteve të Bashkuara. Ndryshe nga sa është portretizuar, ajo ishte një zonjë e ngrohtë dhe komunikuese, e cila bëhej e hekurt vetëm në mbrojtjen e ideve të saj”.

Tony Blair, ish-kryeministër i Britanisë e quante “Një shtyllë në historinë moderne të Britanisë. Pak lidera kanë kapacitetin, horizontin dhe aftësinë për të ndryshuar jo vetëm vendin e tyre, por edhe të gjithë botën ku jetojnë”.

Alex Salmond, ish-kryeministër i Skocisë, edhe pse skocez, fliste me fjalët më të mira për të. “Një kryeministre e mrekullueshme, politikat e së cilës i dhanë formë një brezi të tërë. Nuk kam dyshim që vdekja e saj do të ngjallë një debat të gjerë mbi trashëgiminë që na lë. Megjithatë, sot e rëndësshme është vetëm të nderojmë këtë figurë të madhe, ndërsa i paraqesim respektin më të thellë dhe ngushëllimet më të sinqerta familjes e njerëzve të saj të dashur.

Benjamin Netanyahu, kryeministër i Izraelit deklaronte ato ditë: “Sot vajtoj ndërrimin e jetës së kryeministres Margaret Thatcher. Një lidere e madhe, një grua me principe, vendosmëri, bindje dhe forcë, një grua që do t’i mbetet gjithmonë historisë si një pike reference për të gjithë. Thatcher, një njeri që frymëzoi një brez të tërë, ishte gjithashtu një mike e Izraelit dhe popullit hebre. i parashtroj të gjithë ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes, qeverisë dhe popullit të Britanisë së Madhe”.

David Cameron, që në 2013 mbante postin e Kryeministrit të Britanisë së Madhe, si pjesë e Partisë Konservatore ndërpreu një vizitë jashtë Britanisë dhe u rikthye me shpejtësi në atdhe. Thatcherin e konsideronte shpëtimtaren e Britanisë. “Margareth Thatcher nuk është se, vetëm e drejtoi këtë vend, ajo e shpëtoi vendin tonë. Njerëzit do të vazhdojnë të mësojnë, për atë që ajo bëri, edhe dekada e mbase shekuj të tërë mbas nesh. Kjo është trashëgimia e zonjës Thatcher, por sot duhet të mendojmë edhe për familjen e saj”, deklaroi David Cameron, kryeministër i Britanisë.

Barack Obama, ish-President i SHBA deklaronte bota humbi një kampione të lirisë dhe Amerika humbi një mike të vërtetë. “Margareth Thatcher është shembulli më i mirë për vajzat tona, se nuk ka kupolë prej qelqi, që nuk mund të thyhet”, tha Obama.

Pavarësisht vlerësimeve ndërkombëtare, brenda Britanisë, falë edhe politikave të ashpra që ndoqi, asesi nuk gëzonte pëlqimin e të gjithëve. Ajo mbetet një figurë kontradiktore e kritikuar për politikat e saj ndaj klasës puntore, luftën në ishujt Falkland, e sidomos për qendrimin e ashpër të mbajtur gjatë protestave të minatorëve në vitet e qeverisjes së saj.

Kundërshtarët e Thatcher u mblodhën në distancë të largët nga katedralja në ditën e varrimit të saj. Ata mbanin në duar pankarta kundër ish-kryeministres. “Pushofsh në turp!”, (Rest in shame) dhe “Jam këtu për të protestuar për ata njerëz që ajo vrau me politikat dhe luftën e saj”, ishin disa nga pankartat e atyre ditëve.

Meryl Streep në rolin e Margaret Thatcher në filmin "Zonja e Hekurt"

Pa debate nuk kaloi as filmi kushtuar asaj, i titulluar “Zonja e hekurt”, që në skenarin hollivudian u luajt nga Meryl Streep. Filmi u prit me polemika. Miq, aleatë politikë dhe familjarë të ish-lideres së konservatorëve angleze kritikuan filmin. Sipas tyre filmi është “një turp, një ofendim për figurën e Margaret Thatcher”, e cila në film paraqitet “e paqëndrueshme mendërisht”. Por këto ishin kritikat e politikanëve, ndërsa kritikët e artit vlerësuan filmin si mjaft të arrirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë