Para

Zhvlerësimi, a është dorëzuar euro pa kushte?

Sabina Veizaj - Euro vazhdon rënien e lirë duke arritur një tjetër rekord që prej vitit 2008. Monedha e përbashkët europiane është shkëmbyer ditën e premte sipas Kursit Zyrtar të Bankës së Shqipërisë me 122,95 lekë, duke shënuar një rënie prej 0,3 pikësh nga dita paraardhëse.

Agjentët e këmbimit valutor në Tiranë nuk dinë të japin një shpjegim përfundimtar, por mendojnë që kjo situatë ka lidhje me ekonominë kriminale.

Kurse ekspertët e ekonomisë kanë ndasi në qëndrimet e tyre. Për Elvin Mekën, kjo lloj rënie ishte e pritshme, sa kohë që sipas tij i është lënë plotësisht mekanizmit të tregut të gjejë çmimin ekuilibër.

Elvin Meka

Meka sqaron se, “në kushtet e mungesës së ndërhyrjeve korrektuese ose amortizuese nga Banka e Shqipërisë dhe me shtimin e efekteve sezonale dhe faktorëve të tjerë tashmë të pranishëm në ekonominë shqiptare, si dhe duke i shtuar një qarkullim relativisht të dobët të Lek-ut në ekonomi, kjo rënie është mëse e arsyetuar dhe e pritshme.”

Ndikimi, thotë eksperti Meka, është jo pak negativ për eksportuesit. "ndërkohë që konsumatori final nuk ndjen ndonjë përfitim nga ulja e çmimit të mallrave të importit, pasi pjesa dërrmuese e përfitimit nga kursi i këmbimit mbahet dhe përvetësohet nga importuesit. Kjo pasi, axhustimi i çmimeve ndodh shumë ngadalë. Në afatgjatë mund të konsiderohen dhe masa administrative nga Banka e Shqipërisë, lidhur me tërheqjen nga bankat në sasi të mëdha të cash-it në monedhën EURO dhe rifutjen më pas të tyre në qarkullimin monetar.

"Në afatgjatë mund të konsiderohen dhe masa administrative nga Banka e Shqipërisë, lidhur me tërheqjen nga bankat në sasi të mëdha të cash-it në monedhën EURO dhe rifutjen më pas të tyre në qarkullimin monetar"-Meka

Për ekspertin e Moody’s, Ilir Hysa situata e nënçmimit të euros nuk ka të bëjë me Shqipërinë, pra me situatën lokale.

Ilir Hysa


Ai argumenton se, rënia e kursit të shkëmbimit të euros ndaj lekut është pjesë e dobësimit të euros ndaj monedhave të tjera në përgjithësi dhe kryesisht reflekton dinamika që shkojnë përtej Shqipërisë. “Pra, çfarë po ndodh nuk duhet kuptuar si epërsi e lekut, por si dobësi e euros. Faktorët më të rëndësishëm që përcaktojnë kursin e shkëmbimit të një monedhe, në këtë rast të euros, janë diferencat në shkallët e inflacionit, diferenca në normën e interesit, bilanci tregtar, borxhi publik, raporti i çmimeve të eksportit dhe importit, si dhe stabiliteti politik dhe shëndeti i përgjithshëm ekonomik.”- thotë Hysa për gazetën “SI” duke vazhduar argumentin e tij se “disa nga këta faktorë duket se kanë luajtur më shumë rol sesa të tjerët në vitet e fundit. Për shembull, Banka Qëndrore Europiane e ka mbajtur normën e interesit pranë zeros, ndërsa autoritet e politikave monetare të vendeve të tjera jashtë eurozonës kanë qenë më agresive. Interesi më i lartë i kompenson më mirë huadhënësit e fondeve, tërheq kapital të huaj dhe shtyn lart kursin e shkëmbimit.”

Në këtë kontekst, sipas tij, nëse Banka Qëndrore Europiane nuk rrit normën e interesit, rënia e euros mund të përkeqësohet tani që autoriteti i politikave monetare amerikane (The Federal Reserve) e rriti atë për fondet federale me 0.25%, duke e sjellë në 2.5%.
“Për më tepër, shpjegon eksperti i Moody’s, pasiguria e krijuar nga Brexit, negociatat e gjata e të tensionuara të Italisë për buxhetin dhe vala populiste që ka përfshirë Europën janë një tjetër faktor i rëndësishëm në perceptimin se unioni po vuan nga mungesa e mëparshme e stabilitetit.”

Për Mekën, çlirimi i situatës do të vinte duke u ndërmarrë masa që rrisin kreditimin në LEK dhe jo thjesht masën monetare nëpërmjet hedhjes së LEK-ut në qarkullim nga Banka e Shqipërisë. “Ndërhyrjet e saj duhet të jenë të kujdesshme dhe vetëm amortizuese dhe qetësuese të ekseseve të tregut dhe lëvizjeve të ashpra psikologjike, pa cënuar funksionimin e mekanizmit të tregut.”- thotë Meka për gazetën “Si”
Nga ana tjetër, mendon ai, ka ardhur koha për konsiderimin e titujve afatgjatë në EURO, të emetuara nga Banka e Shqipërisë, çka do të institucionalizonte, sipas Mekës, ndërhyrjen e saj në treg dhe do të përgatiste tregun, qoftë dhe nga ana psikologjike, për efektin stabilizues të ndërhyrjeve të saj pa cënuar operacionet e tregut, që mund t'i ndërmarrë në çdo kohë.

"Banka e Shqipërisë, mund të bëjë shumë pak për këtë çështje, përveç përpjekjeve për t’u perceptuar më e pavarur nga publiku "- Ilir Hysa

Kurse Hysa gjykon se Banka e Shqipërisë, mund të bëjë shumë pak për këtë çeshtje, përveç përpjekjeve për t’u perceptuar më e pavarur nga publiku. “Funksionimi i saj normal, përfshirë këtu plotësimin e Këshillit Mbikqyrës janë kërkesa minimale institucionale dhe kuptohet çdo gjë tjetër është e dëmshme për imazhin e Bankës së Shqipërisë. Por e përsëris, kursi i euros është manifestim i problematikave në eurozonë dhe ka pak të bëjë me Shqipërinë.”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë