Gazeta Si – Kryeprokurori i SPAK, Klodian Braho i është përgjigjur këtë të mërkurë deputetëve të Komisionit kuvendor për Nismat qytetare për dosje të nxehta, duke nisur nga më e fundit, padia për librin “The Albanian Files”, çështja ndaj ish-kryeministres Belinda Balluku, hetimet për ish-presidentin Ilir Meta, dosja “Aruba” dhe krimet zgjedhore.
Kreu i SPAK, theksoi se puna e institucionit vijon duke garantuar se asnjë provë nuk do të mbetet “në gjumë” dhe se të gjithë janë të barabartë para ligjit.
Deputeti demokrat, Ivi Kaso ngriti disa pyetje për kryeprokurorin e SPAK, duke nisur nga krimi zgjedhor deri në faktin nëse Struktura e Posaçme ndikohet politikisht apo ka ndonjë standard të dyfishtë në hetime.
Braho deklaroi se pavarësisht se ka akuza për standard të dyfishtë në hetime nga SPAK, kjo nuk është e vërtetë.
“Pa prova ne nuk mund të ngremë akuza. Nuk ka standard të dyfishtë nga SPAK, ky është një perceptim. Ne nisemi nga provat dhe kushdo që të jetë përfshirë në krime, do mbajë përgjegjegjësi për atë që ka bërë. Nëse në një dosje ka provë dhe mos të shikohet, kjo nuk ndodh. Nuk merremi me deklarata politike të asnjë pale apo asnjë personi. Për SPAK, të gjithë janë të barabartë para ligjit”, tha Braho.
Pyetje bëri edhe deputeti i PD-së, Gjin Gjoni. Ai tha se raportet ndërkombëtare vënë në dukje faktin se korrupsioni është rritur ndjeshëm.
Ai e pyeti se përse kryeministri Edi Rama nuk thirret në SPAK, qoftë edhe si person që mund të ketë dijeni për një çështje.
Pyetje i bëri edhe për “Albanian Files”, një libër ku pasqyrohen projekte në zona turistike. Klodian Braho u shpreh se asnjë person nuk është imun ndaj veprimeve hetimore të SPAK.
“Kushdo që ka prova për cilindo, është i ftuar të vijë në SPAK. Asnjë person nuk është imun ndaj veprimeve hetimore të SPAK. Sa i përket çështjes së pastrimit të parave, është një problem për ne. Është vlerësuar nga ne si problem, që përfshihet si çështje prioritare nga ne. Produktet e veprës penale dëmtojnë ekonominë, rrisin fuqinë financiare të krimit të organizuar, ndaj SPAK po e lufton dhe është veprimtari, që është në prioritetet tona”, tha Braho.
Deputetja demokrate Elda Hoti tha se liderët e opozitës janë mbajtur në burg ose në masë sigurie. Ajo pyeti se përse Sali Berisha duhet të përgjigjet dy herë në muaj përpara SPAK e se tha se i duket se është çështje politike.
Ajo shtoi se edhe Meta mbahet në burg, edhe pse po vijojnë hetimet. Hoti u shpreh se mendon se është standard i dyfishtë, që burgosen liderët e opozitës, ndërsa ata të mazhorancës nuk hetohen dot, për shkak të numrave në Kuvend të partisë në pushtet.
Braho u përgjigj se nuk ka koment për çështje konkrete dhe theksoi se të gjithë janë të barabartë para ligjit.
“Nuk kam koment për asnjë çështje konkrete. Gjykata e përcakton se çfarë është e drejtë dhe çfarë e gabuar. Nuk kam koment për çështjet që përmendet. Nëse mendoni se kryeministri ndërhyn në SPAK, sillni prova. Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Për çështjen e rindërtimit, nuk mund të them se në çfarë faze janë hetimet. Personat që kanë bërë kallëzimin, mund të marrin përgjigje, duke bërë kërkesë me shkrim”, nënvizoi kreu i SPAK.
Braho hodhi poshtë ekzistencën e standardeve të dyfishta dhe theksoi se SPAK bazohet në prova dhe jo në perceptime.
“Krimi zgjedhor është një fenomen shqetësues dhe ne na shqetëson si prokurori. Është një fenomen që në pajtohemi me të. Nuk është krijuar brenda 1 ose 2 vitesh, por ka një periudhë të gjatë që është krijuar. Çështjet përfundojnë në akuzë kur gjenden provat. Unë nuk shoh një standard të dyfishtë për përfaqësues të njërës palë apo tjetrës. Mendoj se ky është një perceptim. Por ne nuk nisemi në perceptime, por atë që ka në dosje. Ju siguroj që nëse dosjet kanë provat, kushdo që të jetë, nga secila anë do mbajë përgjegjësi”.
Kreu i SPAK, Klodian Braho, ka paraqitur në Komisionin e Ligjeve masat e marra për zbatimin e rekomandimeve të Kuvendit, duke bërë të ditur se gjatë periudhës 2021-2025 institucioni ka trajtuar mbi 230 materiale që lidhen me dyshime për vepra penale zgjedhore dhe ka regjistruar mbi 150 procedime penale.
Braho tha gjithashtu se SPAK po punon për forcimin e hetimeve financiare, gjurmimin e pasurive, përdorimin e teknologjive të reja dhe analizimin e krimit kibernetik e kriptovalutave
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje