Nga Gazeta ‘Si’-Pavarësisht përpjekjeve të qeverisë për të reduktuar përdorimin e parasë fizike dhe për të nxitur pagesat elektronike, treguesit monetarë të Bankës së Shqipërisë tregojnë se qarkullimi i cash-it vijon të rritet duke thyer dhe rekorde.
Në muajin maj 2026, sasia e parasë jashtë korporatave depozituese arriti në 493.9 miliardë lekë, niveli më i lartë i regjistruar deri më tani. Krahasuar me muajin prill, ky tregues është rritur me rreth 7.8 miliardë lekë, nga 486.1 miliardë lekë.
Rritje kanë shënuar edhe agregatët monetarë, duke reflektuar një zgjerim të mëtejshëm të ofertës së parasë në ekonomi. Agregati M3, i njohur si paraja e gjerë, u rrit në 2.028 trilionë lekë, nga 1.988 trilionë lekë në prill, ose me afro 39.8 miliardë lekë brenda një muaji.
Edhe Agregati M1, që përfshin paranë jashtë bankave së bashku me depozitat pa afat dhe llogaritë rrjedhëse të rezidentëve jobanka, u rrit me rreth 13.3 miliardë lekë, duke arritur në 1.003 trilionë lekë në muajin maj.
Ndërkohë, Agregati M2, i cili përfshin M1 dhe depozitat me afat në lekë të rezidentëve jobanka, u rrit me rreth 21.7 miliardë lekë, duke arritur në 1.245 trilionë lekë.
Po ashtu, baza monetare u zgjerua nga 686.6 miliardë lekë në prill në 696.5 miliardë lekë në maj, duke shënuar një rritje prej rreth 9.8 miliardë lekësh.
Rritja e vazhdueshme e parasë në qarkullim vjen në një kohë kur qeveria po vijon zbatimin e masave për formalizimin e ekonomisë dhe kufizimin e përdorimit të cash-it. Muaji maj shënoi edhe afatin e fundit për bizneset e shërbimit, akomodimit, hotelerisë dhe transportit për të implementuar pagesat me kartë, si pjesë e nismës qeveritare për zgjerimin e pagesave elektronike.
Sipas kryeministrit Edi Rama, objektivi është që deri në vitin 2030 Shqipëria të jetë vendi i parë “cashless” në botë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje