Nga Gazeta ‘Si’- Banka e Shqipërisë revokoi licencat e 83 zyrave të këmbimit valutor gjatë vitit 2025, pas kontrolleve që zbuluan shkelje në zbatimin e rregullave. Problemet kryesore lidhen me identifikimin e klientëve, monitorimin e transaksioneve, verifikimin ndaj listave të sanksioneve dhe raportimin e veprimeve valutore.
Si rezultat, numri i zyrave të këmbimit valutor ra nga 642 në fund të vitit 2024 në 592 në fund të vitit 2025, niveli më i ulët që nga viti 2022.
Gjatë vitit u licencuan edhe 33 zyra të reja, por në total sektori u tkurr me 50 subjekte, ose rreth 7.8%. Kjo shënon rënien e parë të ndjeshme pas një periudhe të gjatë rritjeje, pasi numri i zyrave ishte rritur pothuajse çdo vit, nga 397 në vitin 2015 në 642 në vitin 2024.
Sipas Raportit Vjetor të Mbikëqyrjes 2025, kontrollet ndaj zyrave të këmbimit valutor u shtuan për shkak të rrezikut më të lartë që paraqet ky aktivitet, i cili operon kryesisht me para fizike dhe ka kontakt të drejtpërdrejtë me publikun.
Për shkeljet e konstatuara, Banka e Shqipërisë mori masa administrative ndaj 201 zyrave, një subjekti i dha vetëm tërheqje vëmendjeje, ndërsa 83 zyrave u revokoi licencën.
Inspektimet zbuluan mangësi në verifikimin e klientëve dhe në zbatimin e masave kundër pastrimit të parave. Në disa raste mungonin sistemet për mbledhjen dhe analizimin e të dhënave, nuk dokumentoheshin kontrollet ndaj listave të personave të sanksionuar dhe nuk bëhej klasifikimi i klientëve sipas nivelit të rrezikut.
Raporti evidenton gjithashtu probleme në monitorimin e transaksioneve, verifikimin e burimit të fondeve, ruajtjen e dokumentacionit dhe raportimin e transaksioneve me para fizike. Në disa subjekte mungonin procedurat për raportimin e menjëhershëm të rasteve të dyshuara për pastrim parash ose financim të terrorizmit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje