Politike

(Zh)dekretimi, “ulërima” e mungesës së Gjykatës Kushtetuese

Atë që sinjalizoi të premten përmes rrjeteve sociale, Presidenti Ilir Meta e konkretizoi të shtunën, thuajse në të njëjtën orë që opozita niste protestën e tetë kombëtare para godinës së Kryeministrisë.

Një njoftim i dalë nga zyra e shtypit e Presidencës njoftonte shfuqizimin e dekretit numër 10928. Presidenti rendiste pesë pika ku mbështeste anulimin e dekretit të marrë më 5 nëntor të vitit të kaluar. Mes këtyre pikave ishte edhe ajo e bindjes së tij, “se parimet kushtetuese prevalojnë mbi çdo afat ligjor”. Pra, për kreun e shtetit, zhvillimi i zgjedhjeve më 30 qershor shkelte parimet kushtetuese. Por, Meta nuk citon asnjë nen të Kushtetutës dhe për të mësuar argumentimin juridik të Presidentit duhet pritur dita e hënë,

Por, konstitucionalisti Sokol Hazizaj e ka një ide. Në një deklaratë për Gazeta Si ai hamendëson se vendimi i kreut të shtetit mund të jetë marrë në kushtet që palët politike e kanë arritur një marrëveshje, por që ende nuk e kanë bërë publike atë.

“Jam i mendimit se opsioni normativ i Presidentit të Republikës ka ardhur momentin e duhur dhe pa dyshim si pasojë e një marrëveshje politike, e cila duhet të jetë transparente. Vetëm kjo e fundit i jep aktit të Presidentit formë dhe përmbajtje kushtetuese”, shprehet Hazizaj.

Nëse një marrëveshje e tillë mungon, Hazizaj mendon se akti i Presidentit nuk do të ishte plotësisht ligjor, ndërkohë që për një interpretim më të saktë thotë se duhet të ishte Gjykata Kushtetuese.

“E kunderta (e marrëveshjes) e fut aktin e tij në gjendje jo të drejtë ligjore. Gjithësesi, çka do të sillte përshtatshmërinë e aktit të Presidentit në formë të përshtatshme juridike duhet të ishte Gjykata Kushtetuese, e cila siç duket jo pa qëllim nuk ekziston. Në këtë kuptim do të ishte e tepërt të shprehesh mbi kushtetushmërinë, kur garanti i saj nuk ekziston, ndaj më vendos në dilemë të shprehem për shkelje të Kushtetutës”, shton ai.

Sokol Hazizaj, konstitucionalist

Sipas avokatit të njohur, asnjëra prej palëve nuk është sot në kufijtë kushtetutes dhe e cilëson tallje mundësinë që mazhoranca t’i drejtohet ndonjë gjykate tjetër, veç Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e dekretit të Presidentit që anulon zgjedhjet e 30 qershorit.

“Aktet normative të Presidentit lidhur me zgjedhjet, pra me produktet që vijnë për shkak të detyrimeve kushtetuese bëhen vetëm në Gjykatën Kushtetuese. Nuk është akt emërimi, ndryshe është tallje”, argumenton Hazizaj.

Edhe ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, konstitucionalisti Kristaq Kume ndan të njëjtin mendim me Sokol Hazizajn se ku mund të ankimohet vendimi i Presidentit, ndërsa në tërësi vlerëson se akti presidencial është një përpjekje për të mbrojtur Kushtetutën dhe do të sjellë zhvillime pozitive, duke nisur që me lëvizjet për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese.

Pak ditë më parë Ilir Meta e ka sinjalizuar se ku mund të bazohet në vendimin për anulimin e zgjedhjeve.

“Neni 3 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ndër të tjera, përcakton qartë detyrimin kushtetues për mbrojtjen e pluralizmit politik nga të gjithë. Kjo nënkupton jo vetëm ekzistencën e partive të ndryshme politike, por edhe mundësinë e tyre reale për të konkurruar, në kushte të barabarta dhe pa pengesa, në zgjedhje të lira dhe të ndershme, si mundësia e vetme për të respektuar të drejtën kushtetuese të qytetarëve shqiptarë për të zgjedhur”, deklaroi kreu i shteti më 24 maj.

Por, sa i rrezikuar është pluralizmi në Shqipëri dhe a e parashikon Kushtetuta shtyrjen e zgjedhjeve në këtë rast? Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim nuk kanë patur pengesa ligjore për t’u regjistruar në garë, por e refuzuan regjistrimin duke deklaruar se me Edi Ramën nuk mund të realizohen zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kauzën e saj, opozita e mbështet tek përgjimet e dala nga dosja “339” dhe akuzon Partinë Socialiste se ka bashkëpunuar me krimin për blerjen dhe manipulimin e votave në 2017.

Megjithatë, zgjedhjet e 2017 janë certifikuar si të rregullta nga vëzhguesit dhe partnerët ndërkombëtarë të vendit. Këta të fundit kanë mbështetur edhe realizimin e procesit më 30 qershor, çka shton dozën e dyshimeve nëse vërtet pluralizmi në Shqipëri rrezikohej.

Kur shtyhen zgjedhjet?

Shtyrja e datës së zgjedhjeve ka ndodhur edhe në të shkuarën në vendin tonë, por në ndryshim nga rasti aktual, atëherë ishte produkt i një marrëveshjeje politike mes Partisë Demokratike, që ishte në Qeveri dhe Partisë Socialiste në opozitë.

Ishin zgjedhje vendore të 2007. Opozita e asaj kohe kërcënonte me mospjesëmarrje nëse më parë nuk plotësoheshin disa kushte. Pas ndërmjetësimit të Presidentit Alfred Moisiu, palët u ulën në tryezë dhe më pas u ndryshua ligji që kufizonte duke shtyrë afatet.

Tryeza këtë herë nuk ka ndodhur, Gjykata Kushtetuese mungon, ndaj rasti është i pakrahasueshëm me të parin. Por, çfarë parashikon vetë Kushtetuta? Kushtetuta ja cakton ligjit zgjedhor përcaktimin e afateve zgjedhore, ndërsa vetë parashikon se vetëm në gjendje të jashtëzakonshme, që është gjendje lufte, apo fatkeqësie natyrore madhore nuk zhvillohet zgjedhje për pushtetin vendor.

“Gjatë periudhës së zbatimit të masave të jashtëzakonshme nuk mund të zhvillohen zgjedhje vendore, nuk mund të zhvillohet referendum, si dhe nuk mund të zgjidhet një President i ri i Republikës. Zgjedhjet vendore mund të bëhen vetëm aty ku nuk zbatohen masat e jashtëzakonshme”, thuhet në pikën 6 të nenit 170 të Kushtetutës.

Vendi nuk është as në gjendje lufte dhe as përballë një fatkeqësie madhore natyrore. Kodi Zgjedhor përcakton afatet. Për caktimin e datës së zgjedhjeve, Presidenti merr parasysh, veç Kushtetutës edhe përcaktimet e Kodit Zgjedhor. Kodi përcakton se data e zgjedhjeve duhet të dekretohet jo më vonë se 9 muaj nga përfundimi i mandatit të të zgjedhur qendror, ose vendor dhe përcakton dy afate zgjedhore. I pari është 15 mars deri më 30 qershor, ndërsa i dyti është nga 15 shtatori deri më 30 nnëntor.

30 qershori ishte afati i fundit i përcaktuar nga ky kod që përputhet edhe me përfundimin e mandatit të kryebashkiakëve aktualë. Duke patur parasysh këto, shtyrja e datës së zgjedhjeve mund të arrihet vetëm përmes një marrëveshjeje politike që do të ndërhynte në Kodin Zgjedhor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë