Politike

Dhuna në Zvërnec, Rama: Rojet, muskuj pa tru! ministri Lamallari: Prona është private

Gazeta Si – Kryeministri Edi Rama reagoi këtë të diel lidhur me incidentin që ndodhi një ditë më parë në Zvërnec, ku punonjësi i një shoqërie private të sigurisë së kantierit ku po protestohej, goditi me grusht njërin prej protestuesve.

Ai e konsideroi sjelljen e rojeve private ndaj qytetarëve si një “grusht muskujsh pa tru”, ndërsa ministri Besfort Lamallari, u shpreh se prona ku pritet të ndërtohet resorti turistik në Zvërnec, është private.

Rama falënderon policinë për reagimin e shpejtë sipas tij, ndërsa shton se të hënën (1 qershor 22026) paradite, do të dalë të flasë vetë lidhur me atë që e quan “projekt të jashtëzakonshëm” për Shqipërinë, kundra të cilit sipas tij janë thënë shumë të pavërteta.

“Nesër e kam radhën unë për të folur për një projekt të jashtëzakonshëm për Shqipërinë, për të cilin punohet prej disa vitesh tanimë dhe i cili nuk ka asnjë lidhje me disa të pavërteta të mëdha, që janë hedhur në qarkullim ditët e fundit. Ndërkohë e përgëzoj lidershipin e Policisë së Shtetit për reagimin e shpejtë e të saktë, qoftë ndaj atij grushti muskujsh pa tru me statusin e rojeve private të sigurisë, qoftë ndaj drejtuesve vendorë të policisë së Vlorës”.

Rama thekson se “qasja e re e tolerancës zero ndaj çdo uniforme blu që cënon besimin e publikut, është e duhura. Për vetë projektin dhe të vërtetat e të pavërtetat rreth tij, më shumë nesër në 10.00. Live për të gjithë të interesuarit natyrisht”, shkruan kreu i qeverisë.

Një reagim e pati edhe ministtri i Brendshëm, Besfort Lamallari, i cili në një postim në rrjetet sociale, shprehet se edhe pse prona është private, rojet private të pronës nuk kanë asnjë të drejtë të përdorin forcë ndaj askujt.

Po ashtu ai thotë se nuk duhen ndjekur penalisht vetëm rojet private që ushtruan dhunë ndaj protestuesit, por sipas tij duhet edhe “hetim administrativ për paaftësi totale në ushtrimin e aktivitetit të autorizuar” për kompaninë e sigurisë për të cilën ata punojnë.

Madje ministri shton se kjo kompani sigurie duhet të mbyllet sa më parë të jetë e mundur. Lamallari sqaron se i gjithë projekti i Zvërnecit lidhet me një tokë tërësisht private dhe qeveria shqiptare “as ka falur tokë, as ka tokë për të falur”.

Ministri i Brendshëm përshëndet edhe reagimin e shpejtë të drejtorisë së përgjithshme të Policisë së Shtetit për pezullimin e drejtuesve vendorë dhe vënien nën hetim të zinxhirit të komandimit, sepse sipas tij “nuk ishte e papranueshme vetëm sjellja skandaloze e rojeve private, po edhe indiferenca e pajustifikueshme e policisë së pranishme në vend”.

Këtë të dielë, policia njoftoi se ka arrestuar punonjësin e shoqërisë private të sigurisë së kantierit që goditi me grusht njërin prej protestuesve. Po ashtu janë proceduar penalisht edhe dy punonjësit e tjerë, që ndihmuan të tërhiqnin zvarrë protestuesin.

Ky incident solli pezullimin nga detyra të drejtorit të Policisë së Vlorës, Elidon Çela. Ndërsa ka nisur gjithashtu edhe hetimi disiplinor për të gjithë zinxhirin komandues të DVP Vlorë, në lidhje me masat dhe menaxhimin e tubimit të zhvilluar ditën e djeshme.

Ngjarjet e së shtunës ndodhën ndërsa po mbahej një protestë nga qytetarë dhe aktivistë të ndryshëm, të cilët kundërshtojnë ndërhyrjen në zonën pranë lagunës së Nartës, pasi janë të shqetësuar se mund të ketë pasoja të mundshme mjedisore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë