Politike

Zgjidhja për reformën zgjedhore / Mediu: Presim zhvillime nga të huajt, ODIHR mund të futet në lojë me ekspertizën e vet    

Kryetari i republikanëve, Fatmir Mediu, është i mendimit se Enkelejd Alibeaj dhe Damian Gjiknuri që drejtuan për më shumë se një vit punën e komisionit të reformës zgjedhore pa produkt konkret dhe pa u mbledhur asnjë herë nuk kanë se çfarë të japin më.

Vetë Mediu thotë se ai i ka dorëzuar një paketë ndërkombëtarëve për zgjedhjet, duke kërkuar që në lojë të futen pikërisht këta të fundit.

Mediu sjell një paralele me situatën politike të viteve 2000-2005 ku një grup ekspertësh u mblodhën në zyrat e OSBE dhe hartuan një produkt për zgjedhjet

“Unë kam propozuar një paketë dhe ia kam përcjellë përfaqësuesve të rëndësishëm ndërkombëtarë që merren me çështjet zgjedhore që së pari për të kaluar ngërçin e komisionit ad hoc është e rëndësishme të ecim në dy drejtime; Së pari, kush janë përfaqësuesit e bashkëkryetarit duke ia lënë opozitës të zgjedhë me votë dhe nuk mund t’i ndërhyjë askush në këto lloj të drejte për të pasur mundësinë për të realizuar këtë lloj konsensusi.

Së dyti ne duhet ta kemi më pro-aktive pjesën sidomos të OSBE-ODIHR dhe komisionit të Venecias sepse sipas vendimit të Kuvendit për komisionin e reformës zgjedhore thuhet se nëse nuk arrihet konsensusi për draftin apo për çështje të caktuara atëherë merret mendimi i komisionit të Venecias apo i OSBE-ODHIR dhe ODIHR në dijeninë time është i gatshëm që të sjellë ekspertizën e vet në mënyrë përmanente pranë këtij komisioni. Ajo që është tjetër e rëndësishme është që të përcaktohen procedurat funksionimit të komisionit të reformës zgjedhore sepse ne kemi një grup ekspertësh por që i ka zgjedhur në mënyrë të njëanshme partia, dmth ne bëjmë ekspertët politikë por e kemi bërë veten edhe ekspertë teknike dhe ky është non sens”, tha Mediu i ftuar në emisionin “Debat” në A2CNN.

Në këtë logjikë, kryerepublikani ofron zgjidhjen e viteve 2000-2005.

“Në 2000-2005 ne patëm probleme të mëdha zgjedhore me mosdakordësinë dhe për pasojë u mblodhën një grup ekspertësh tek OSBE dhe produkti i dalë aty kishte një lloj mirëkuptimi, kishte edhe zërin e ekspertizës së OSBE në atë kohë dhe kjo e bënte politikën pak më të përgjegjshme dhe e tejkalonte debatin se kush është kush dhe kush di më shumë, pra ne duhet të gjejmë atë mekanizëm që ekspertët të bëjnë punën e ekspertëve dhe politikanët të bëjnë punën e tyre por nuk duhet në asnjë lloj mënyre që mazhoranca të përcaktojë se kush është opozita”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë