Politike

Zgjedhjet, për çfarë u ra dakord dhe pika e PD që mban pezull paktin

Më shumë se sa një sqarim për publikun, Lulzim Basha u detyrua të dalë të mërkurën në mbrëmje vonë për t’i dhënë një përgjigje ambasadores së SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim, e cila i kërkoi publikisht atij që të bëjë edhe ai pjesën e tij për të firmosur një marrëveshje, të cilën ajo e cilësoi si shumë të mirë për t’i hapur rrugën Shqipërisë drejt BE-së.

Në 9 orë negociata të ditës së mërkurë, palët folën me një gjuhë të drunjtë ku pak u mor vesh se për çfarë ishte rënë dakord dhe jo.

Burime për gazetën “Si” thanë paraprakisht se, Partia Demokratike duket se ka fituar kërkesën kryesore të saj; identifikimin biometrik të votuesve mundesisht në të gjithë vendin, edhe pse, PS parimisht nuk ka qenë kundër, por e pamundur sipas saj të shtrihej në të gjithë Shqipërinë referuar edhe ekspertëve të ODIHR që e shihnin të mundshëm  zbatimin vetëm në 10% të territorit.

Zbatimi i teknologjisë në gjithë vendin jo vetem që ka vështirësi duke kërkuar shtrirjen në disa faza, por ka edhe një faturë financiare që kryesisht është marrë përsipër nga delegacioni i BE-së në Tiranë gjate negociatave. Palët nuk dhanë një shifër të saktë (flitet për 15-20 milion euro)  dhe as mënyrën se si do të merrej kjo ndihme.Madje mazhoranca ia ka ngarkuar si drejtim të procesit elektronik një personi që PD-ja mund ta zgjedhë vetë. Nëse shtrirja e teknologjise nuk do të mund të arrihet në gjithë vendin, atëherë aty ku nuk mundet, të zbatohet metoda tradicionale    

Në tryezë nuk është pranuar kërkesa e shtuar e PD-së, që ankesat zgjedhore të shqyrtoheshin nga Gjykata Kushtetuese, kërkesë kjo që kërkonte në fakt edhe një ndërhyrje në Kushtetutë.

Paraprakisht, nga PD-ja mësohet se është rënë dakord (në parim) nga palët që zgjedhjet të “drejtohen” nga ana administrative jo nga KQZ, por nga një krye-komisioner që do të asistohet nga një këshill ankesash i përbërë nga pesë anëtarë, tre nga mazhoranca dhe dy nga opozita.

Palët kanë mbetur tek një çështje për të cilën Basha foli vetëm si numër, por nuk u fut në detaje që lidhet me përbërjen e KZAZ-ve dhe KQV-ve.

Opozita kërkon që komisionet të përbëhen nga tre komisionerë të depolitizuar, ku kandidaturat të vijnë edhe nga jashtë administratës.

Por për pjesën tjetër, PD-ja propozon që të jenë katër vëzhgues, dy nga mazhoranca dhe dy nga opozita, me kushtin që të kenë të drejtën e shënimit në procesverbal për vërejtjet që mund të kenë..Pra, të kenë një lloj roli edhe në vendimmarrje, gjë që PS nuk e pranon

Nuk dihet ende se çfarë formule do të hidhet sot në tryezë (në këtë drejtim), ku ambasadorët tanimë u mblodhen veças, ndërsa nga selia blu nuk ka ende një sinjal nëse do të vijojnë ose jo negociatat, pikërisht për çështjen për të cilën foli Basha. Ai ka vijuar takimet intensive me ekspertët e tij në PD, Oerd Bylykbashi, Ivi Kaso dhe Enkeled Alibeaj.

Ajo që dihet deri më tash është se palët ngecin në detaje teknike, ndërsa për kërkesat politike si krijimi i një qeverie teknike apo emërimi i një kryepolici për zgjedhjet, Këshilli Politik nuk e ka marrë asfare në konsideratë.

Ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim, e bëri të qartë pak ditë më parë se nuk duhet të lëvizet nga rekomandimet e OSBE-ODIHR-it për Reformën Zgjedhore.

“Qëllimi ynë sot dhe qëllimi ynë nesër, sepse do të ritakohemi sërish nesër, është që Shqipëria të përmbushë të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR, në mënyrë që të jetë një anëtare me të drejta të plota në BE. Nëse partitë do të arrijnë në konsensus për masa që shkojnë përtej ODIHR-it, do të biem dakord me ta. Por nëse konsensusi për këto pika që ODIHR ka kërkuar nuk arrihet, atëherë palët nuk duhet t’i vazhdojnë më këto kërkesa”, tha ambasadorja Kim, pak ditë më parë.

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë