Politike

Akuzat për Olsi Ramën, Kryeministri: Iu është shitur si sapun për djathë italianëve, përgjigjet Bardhi: Do ta kuptojë shumë shpejt nëse kam bërë kallëzim

Nga Gazeta Si- “Kallëzimi që nuk qenka bërë u është shitur për djath italianëve”, thotë kryeministri Edi Rama në reagimin e tij për vendimin e SPAK që rrëzon padinë e Olsi Ramës për kallëzim të rremë ndaj kryetarit të grupit të PD-së Gazment Bardhit.

“Kam bërë kallzim” po kallzim s’paska bërë thotë SPAK-u, ndërkohë që kallzimi që s’qenka bërë iu është shitur si sapun për djathë italianëve të atij emisionit të turpshëm për Shqipërinë, të cilëve letrat e kallzimit inekzistent të ulëritur në parlament u janë ofruar si akte gjyqësore”, thotë Rama.

Në një reagim të gjatë, Rama shton se, për të sulmuar Shqipërinë me duart e të huajve, ky “soj shqiposh ka që në vitin 1912 që nuk le poshtërsi, sajesë, hile e gënjeshtër pa e nxjerrë jashtë kufijve të këtij vendi”, po kjo historia e kallzimit të pakallzuar për t’i shpëtuar rrezikut të dënimit për kallzim të rremë, thotë Rama, është një nivel i ri pafytyrësie karshi publikut shqiptar, se palo burra që hedhin gurin e fshehin dorën ka parë plot kjo tokë, po soj burri që të ngrejë dorën sikur ka hedhur gurin, duke u hakërryer si të kishte vrarë shtatë zogj me atë gur që s’paska ekzistuar fare, nuk na kishin zënë akoma sytë!

Pa përmendur emrin e Bardhit, Rama shkruan se “s’duhet të jetë burrë se s’ka mundësi, është thjesht çingije që ngre dorën duke kërcyer prehër më prehër sikur ka gur për të hedhur”

Kryeministri shton më tej se s’ka shans që kjo gënjeshtër me fustan të shkurtër të mbetet pa dalë cullak faqe shqiptarëve, siç po dalin shpejt e shpejt cullak faqe italianëve edhe gënjeshtrat që ky soj shqiposh pa atdhe ia dha autorëve të atij emisionit skandaloz, për të kthyer në Itali kohën e vdekur kur Shqipëria ishte vend i zi dhe shqiptarët ishin delet e zeza të Europës!

“Ta harrojë kush e tenton, ajo kohë nuk kthehet më se Shqipërisë dhe shqiptarëve s’u drejtohet dot më askush si të ishin jetimë pa identitet e pa gojë”, e mbyll reagimin e tij Rama.

Reagimit të Ramës i është përgjigjur Bardhi, duke thënë se "Nëse Edi Rama do të kuptonte nga ligji, Shqipëria do të ishte një vend më i mirë, dhe nuk do të ishte në krye të listës së vendeve me korrupsion madhor të përhapur në çdo sektor apo me lidhje të forta me krimin e organizuar.

Avokati i çdo afere korruptive dhe kriminale të familjarëve dhe bashkëpunëtorëve të tij, do të donte që numri 335/1 të mos ekzistonte në databazën e prokurorisë, që kjo e fundit të regjistronte një kallëzim të ri, që raportet e policisë dhe përgjimet e prokurorisë shqiptare dhe gjermane të dosjes Xibraka të mos ekzistonin, që të dhënat e TIMS të mos ekzistonin. Fati i keq i vëllait të madh të Olsit, është që ato ekzistojnë dhe janë në dosjen 335/1. Asnjë propagandë e jotja, veglave të tua, apo mediave në shërbimin tënd, nuk e fshehin dot të vërtetën, as makinën me targë AA 653 DM. As budallëku yt se unë paskam kapur Rai 3, nuk e zhvendos dot vëmendjen nga e vërteta, sado të qeshura shkakton!

Për zhurmën e ditës, do ta kuptojë shumë shpejt Edi Rama, nëse kam bërë apo jo kallëzim në SPAK për vëllain e tij që ka përdorur të njëjtën makinë me kartelin e drogës. Dallimin ligjor të informacionit/kallëzimit që kam dërguar në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion me kallëzimin e ri që regjistrohet në regjistrin e veprave penale në kuptimin penal të fjalës, mund t’ia shpjegojë fare mirë Engjëll Agaçi, eksperti i tij për çështjet e trafikantëve të drogës. Megjithatë një shpjegim mund t’ia jap dhe unë.

Çështja e hetimit të përfshirjes së Olsi Ramës në trafikun e Xibrakës është njësoj si çështja e hetimit të përfshirjes së Edi Ramës në aferën e korruptimit të ish-shefit të kundërzbulimit të FBI-së Charles McGonigal. Për McGonigal kërkova të nisë hetimi. Kur dolën fakte të reja, nuk dorëzova kallëzim nga e para, por dërgova informacion shtesë të kallëzimit, sepse dosja penale ekziston. Njësoj dhe për Olsin e çunave të Xibrakës. Dosja penale ekziston e pezulluar dhe informacioni/kallëzimi shtesë është për ta vënë në lëvizje këtë dosje që Edi Rama do të dëshironte ta varroste.

Tani, do të merremi me fjalorin juridik apo me faktin që të dy vëllezërit Rama janë nën hetim nga SPAK, njëri në dyshim për përfshirje për trafik droge, tjetri, kryeministri, për dyshim në korruptimin e ish-shefit të kundërzbulimit të FBI-së?! Zgjidh e merr Edi Rama! Burrat nuk fshihen pas lojrave të fjalëve!

Ta mirëkuptoj dhe inatin që s’të del me rrëzimin e padisë për kallëzim të rremë ndaj meje, sepse u zgjidh edhe dilema që po vetë ngrite si alibi ditore “ose unë në burg, ose Olsi”.

Ndërkohë, bën mirë të qetësohesh, të mendosh alibinë e rradhës dhe të bëhesh gati për interpelancën e së enjtes! Mos u fshih prapë pas fustanit të grave! Alibia se duke mbrojtur Olsin, po mbron Shqipërinë, nuk ta merr kush seriozisht. Shqipëria dhe Olsi nuk janë e njëjta gjë, edhe pse ti e trajton Shqipërinë si shtëpinë tënde, që e ndan me pjesë për familjarët apo bashkëpunëtorët e tu.

P.s: Me padinë për shpifje nr. 22, bëre gjë, apo e le të tretet me propagandën e ditës?", ka thënë Bardhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë