Mazhoranca nuk tërhiqet nga kushti i depolitizimit të administratës zgjedhore, duke u dhënë partive politike vetëm mundësinë e vëzhgimit të procesit të votimit dhe numërimit, por jo të vendimmarrjes. Kryeministri Edi Rama e përforcoi këtë qëndrim gjatë fjalës së mbajtur në seancën plenare të kësaj të enjteje në Kuvend.
“Depolitizimi i komisioneve është i domosdoshëm, sepse nuk mendoj që ligji bëhet sot për nesër”, deklaroi ai.
Rama hodhi poshtë arsyetimin e opozitës se depolitizimi i procesit është i pamundur për shkak të politizimit të vetë administratës publike. Veç kësaj ai foli edhe për garancitë që i jep opozitës për paanshmërinë e komisionerëve apartiakë.
Kryeministri tha se 67 për qind e rreth 9 mijë punonjësve me status e shërbimit civil nën varësinë e pushtetit ekzekutiv janë në detyrë që para 2013-ës dhe më pas shpjegoi në vija të trasha ofertën socialiste për opozitën. Ai i ofroi opozitës që të drejtojë procesin e trajnimit të komisionerëve apartiakë, përveç garancive ligjore që jepen në propozim.
“16.500 komisionerë na duhen me formulën e 3 komisionerëve për çdo qendër votimi. Të trajnohen dhe ta ndjekë vetëm PD trajnimin e tyre dhe në fund të hidhet shorti. Në fund dalin njerëzit, për të garantuar zgjedhjet. Është vënë detyruese që kujt i del emri që të shkojë në qendrën e votimit, 48 orë para hidhet shorti dhe i thuhet që të paraqitet në qendrën e votimit filan. Nëse nuk paraqitet, hiqet nga puna dhe humbet të drejtën për të hyrë në punë shteti për të gjithë jetën dhe nëse kapet duke bërë ndonjë gjë tjetër ndiqet edhe penalisht”, u shpreh ai.
Garancia tjetër e ofruar nga Rama është sistemi i kamerave në çdo qendër votimi, një propozim i Partisë Demokratike i pranuar nga socialistët dhe katër vëzhgues, dy të opozitë dhe dy të mazhorancës, por që përjashtohen nga procesi i vendimmarrjes.
“Do të kemi kamera në çdo qendër votimi dhe veç tyre, edhe shumica dhe opozita, që duhet ta gjejmë kush është, kanë nga dy monitorë specialë që të rrijnë atje nga fillimi deri në fund. Ata mund të shkruajnë gjithçka që shohin keq dhe ta çojnë tek KQZ dhe KZAZ dhe nëse rezulton se kërkesa e tyre është e drejtë hetohet”, tha Rama.
Elektronika
Edi Rama thotë se përdorimin e teknologjisë në zgjedhje e ka mbështetur prej kohësh, por kujtoi se ODIHR nuk ka qenë entuziaste për përdorimin e teknologjisë në zgjedhje.
“ODIHR nuk ka qenë dhe nuk është entuziast për teknologjinë në zgjedhje. E sheh me skepticizëm dhe nuk e inkurajon si transformuese në funksion të transparencës. Gjermania e ka konsideruar antikushtetuese kërkesën për të përfshirë teknologjinë në zgjedhje. ODIHR porosit në mënyrë të prerë që nëse teknologjia futet duhet të futet me faza dhe jo e gjitha menjëherë”, tha ai.
Kryeministri thotë se Partia Socialiste e ka testuar këtë metodë dhe ka dalë në përfundimin se përdorimi i teknologjisë me një sistem offline, pra të palidhur me internet ishte i mundur.
synimi ishte të hiqnim një alibi të opozitës dhe t’u jepnim mundësi të gjithëve që ta kishin në dispozicion edhe teknologjinë. kemi bërë një studim për të cilin kam folur edhe publikisht, kemi angazhuar një proces të tërë eksperimentimi konkret duke krijuar në selinë e ps, qëndra votimi për të parë reagimin ndaj teknologjisë të shtresave dhe moshave të ndryshme dhe për të patur në fund një ide të qartë se si dhe sa
“Bëmë të gjithë përpjekjen tonë, që të fillonim me zgjedhjet e 2019, me një projekt pilot në 2-3 zona ku të mund të shihnim konkretisht rezultatin dhe më pas të vazhdonim më tutje shtrirjen e sistemit”, tha Kryeministri.
Në lidhje me zbatimin e këtij sistemi 100 për qind në zgjedhjet e ardhshme, Kryeministri nuk jep garanci.
“Duke patur parasysh eksperimentet që bëmë vetë, ekspertët na thanë që nga momenti i firmosjes së kontratës deri në momentin e realizimit të sistemit duhen minimumi 6 muaj. Sot jemi shumë vonë, jemi në qershor. Le ta zëmë se do të miratohet në Parlament në fund të qershorit, duhet të miratohet struktura e KQZ-së së re që është një model tjetër, merr të gjithë korrikun. Ja do t’u duhet atyre 40 ditë për të përgatitur të gjithë studimin dhe termat e referencës dhe ja deri në shtator kompanitë sjellin ofertat. Tetor-nëntor hapet tenderi ndërkombëtar. Në janar nënshkruhet kontrata dhe shkurt nis puna ndërsa në prill-maj do të bëhen zgjedhje. Ne e pranuam që të bëhet dhe të hyjë identifikimi elektronik për aq sa arrihet dhe pjesa tjetër të vazhdojë me tradicionalen”, u shpreh kreu i Qeverisë.
Rama i ofroi PD-së që të caktojë një zv.kryetar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që do të merret vetëm me përdorimin e teknologjisë.
Konsensusi
Kryeministri Edi Rama tha se i gjithë procesi negociues për hartimin e reformës zgjedhore ka nxjerrë në pah vullnetin politik të mazhorancës për ta realizuar atë me konsensus me Partinë Demokratike, Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe partitë e tjera aleate të opozitës jashtëparlamentare.
Rama nënkuptoi se mazhoranca i ka votat në Parlament për të miratuar e vetme reformën.
“Ka një të mirë të vetme kjo e keqe, që tregon me fakte se pavarësisht se ne mund ta bënim këtë proces në mënyrë të njëanshme, pavarësisht se mund të gjenim votat në këtë parlament pa pritur asnjë lloj konsensusi apo autorizim nga ata që braktisën këtë parlament, ne s’e bëmë dhe më shumë se një herë i shtymë afatet që i kishim vënë vetes, duke konsideruar me rëndësi shterimin e të gjitha mjeteve dhe të të gjithë kohës në dispozicion për një marrëveshje mbi rregullat e lojës”, tha ai gjatë fjalës së mbajtur në seancën plenare të Kuvendit këtë të enjte.
Megjithatë, ai nënkuptoi se pas shterimit të të gjitha mundësive për konsensus, edhe në opinionin e Bashkimit Europian lihet dera hapur për miratim të njëanshëm të reformës.
“Në variantin e parë të Bundestagut ishte fjala konsensus. Është hequr konsensusi në atë variant për të mos lejuar asnjë palë që të marrë peng zgjidhjen dhe është vendosur një kornizë e qartë që palët nuk duhet të dalin, nëse nuk duan të dalin pa vullnetin e tyre, por asnjëra palë nuk pengon njëra-tjetrën, në rekomandimin e Bundestagut thuhet një reformë zgjedhore e miratuar sipas rekomandimeve të ODIHR në Parlament”, tha Rama.
Kryeministri shprehu sërish keqardhje që politika shqiptare ka ende nevojë për ndërhyrjen e ambasadorëve të huaj për të komunikuar, ndërsa foli për “udhëheqës pa kurajo që nuk hapin telefonat”.
“Në 2020 politika shqiptare ka nevojë akoma për ambasadorë të huaj që të hyjnë në mes për të bërë përkthyesin shqip-shqip dhe të lehtësojnë procesin e komunikimit, kjo mjafton për të treguar stadin adoleshent të politikës shqiptare në tërësi dhe udhëheqësve që nuk kanë kurajo që për gjëra për të cilat janë në interes të përbashkët partiak për rregullat e lojës të mos ngrenë telefonin dhe të thonë që gjithçka vazhdon si më parë mes nesh, por për këtë duhet të flasim”, u shpreh ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.