Politike

Gjiknuri zbardh negociatat: Çfarë kemi arritur me opozitën

Bashkëkryetari i komisionit për reformën zgjedhore, Damian Gjiknuri foli në Kuvend mbi pikat kryesore të negociatave se ku është rënë dakord dhe ku opozita nuk po lëshon “pe”.

Gjiknuri tha se marrëveshja është gati, duke lënë të kuptohet qartë se PS-ja i ka bërë lëshimet e mundshme.  Sipas tij, asnjë nuk humbi, por të gjithë dolën të fituar.

“Me pak fjalë, kërkesa e kahershme jo vetëm e ODIHR por edhe opozitës shqiptare ka qenë garancia në sistemin e menaxhimit të votës. Përkundër rekomandimeve të ODIHR, siç e tha dhe Kryeministri këtu, ne pranuam kërkesën e opozitës për përdorimin e teknologjisë në të gjitha qendrat e votimit. Madje me garanci shtesë që personi që do të mbikëqyrë dhe do të jetë bashkë menaxher i këtij procesi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve do të caktohej nga opozita...”, tha Gjiknuri, duke u fokusuar tek debati që ndan palët depolitizimi i komisioneve.

 “Një shqetësim tjetër që kishte opozita ka qenë se si do të reflektohet dhe sanksionohet e të funksionojë mirë skema e rekrutimit të nëpunësve që do të menaxhojnë zgjedhjet. Natyrshëm, do të jetë detyrë e nëpunësve civil që të shkojnë me detyrim në trajnimin për të qenë administrator zgjedhor ashtu sikurse çdo qytetar tjetër i Republikës së Shqipërisë i nxitur edhe nga çdolloj partie e ka këtë mundësi që të jetë zyrtar zgjedhor. Trajnimi do të jetë një skemë e hapur e cila do të mbikëqyret, pra rekrutimi dhe trajnimi do mbikëqyret nga përfaqësuesi pra zv.komisioneri i opozitës që do të ngarkohet posaçërisht me këtë punë në KQZ. Kjo adreson një nga ato frikërat që kishin se si njerëzit të cilët mund të kenë një bindje X apo Y do të përzgjidhen në një skemë trajnimi të hapur...”, tha ai. Sipas tij, komisionerët do të caktohen me short.

Ata do të jenë tre zyrtarë që do të vëzhgohen nga dy përfaqësues politik. Këta të fundit do të kenë të drejtë të bëjnë shënime në çdo procesverbal.

Gjiknuri zbardhi detaje edhe për numëruesit e votave. 

“Do të jenë dy numërues zyrtarë zgjedhor të përzgjedhur rastësisht me short dhe të vëzhguar nga përfaqësues politik të cilët kanë të drejtën e kontestimit të çdo vote”, tha ai

Proces tjetër ekstra, sipas tij, është edhe monitorimi në çdo qendër votimi.

“Kanë kërkuar që sinjalizuesit për krimet zgjedhore të marrin imunitet dhe kjo i është pranuar. Pra, flasim për imunitet penal, çdo njeri që denoncon për krim zgjedhor merr imunitet penal. Kanë kërkuar rihapje të çdo kutie votimi dhe rinumërim në të gjithë Shqipërinë pas daljes së rezultatit zgjedhor. Do të thotë që puna e çdo numëruesi apo çdo zyrtari zgjedhor është e verifikueshme dhe e auditueshme. E dini cili është ndëshkimi? Është ndëshkimi jo vetëm penal por përjashtohen përjetësisht nga Shërbimi Civil dhe nga pjesëmarrja në punët e sektorit publik. Këto janë masa që janë garanci integriteti për çdo zyrtar i cili do të marrë përsipër të kryejë këtë proces. Nga ana tjetër, të gjitha kërkesat e tjera që kanë qenë shqetësuese për opozitën qoftë për rolin e policisë, qoftë për rolin e prokurorisë, të gjitha janë pranuar”, tha ai.

Gjiknuri tha gjithashtu se qeveria teknike nuk mund të ishte  kusht për Kodin Zgjedhor, duke nënvizuar se opozita u tërhoq në këtë pikë.

“Ashtu sikurse edhe shashka do ta quaja, e hedhur që Gjykata Kushtetuese të mund të ishte një gjykatë ankimore, edhe kjo nuk qëndronte. Gjykata Kushtetuese nuk mund të merrte rolin e Kolegjit Zgjedhor pasi nuk është një gjykatë fakti. Vërtet ka një mbrojtje të të drejtës kushtetuese që mund ta kërkosh në nivel kushtetues por asnjëherë Gjykata Kushtetuese nuk mund të kthehet në një gjykatë fakti. Nga ana tjetër, nuk mund të pranohet logjika që një pjesë e drejtësisë qenka e vetuar dhe një pjesë e pa vetuar. Pra, një ishull për gjykatën politike nuk e meriton vetingun ndërsa pjesa tjetër e shqiptarëve për çdo çështje gjyqësore e meritoka vetingun. Kështu që edhe ky argument besoj u qartësua dhe më vjen mirë që opozita ka ardhur aty ku duhet...”, tha ai.

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë