Arsim

Zëvendësi që u akuzua për plagjiaturë merr karrigen e Mynyr Konit

Pezullimi dhe dërgimi i kërkesës për shkarkim të Mynyr Konit tek Presidenti i Republikës ishte paralajmëruar prej ditësh nga mazhoranca. Edi Rama foli në ditët e fundit të muajit shkurt në një takim me studentët për një “raport problematik” që kishte gjetur Ministria e Arsimit për Rektorin.

Rama e fajësonte Konin si penguesin kryesor të zbatimit të “Paktit për Universitetin” dhe kujtonte kuadrin ligjor, sesi mund të ndërhynte Qeveria. Nuk zgjati shumë dhe urdhri i ministres Besa Shahini për pezullimin e tij mbërriti.

Nisur nga gjuha publike e Kryeministrit kohët e fundit në drejtim të Rektorit pezullimi dhe më pas kërkesa për shkarkim edhe pritej. Por, ajo që nuk pritej dhe që në orët e fundit është shndërruar në lajm është emri pasues i Mynyr Konit, edhe pse pasues në këtë post.

Besa Shahini ka emëruar zv.Rektorin Bernard Dosti në vend të Mynyr Konit. Në jetëshkrimin e Bernard Dostit thuhet se u diplomua në Universitetin e Tiranës në Ekonomiks në vitin 2005 dhe përfundoi me sukses Masterin në Universitetin e Tiranës në bashkëpunim me Universitetin e Bamberg, Gjermani. Nga viti 2005 e në vazhdim ai është lektor me kohë të plotë në Departamentin e Ekonomiksit, Fakulteti i Ekonomisë. Dosti jep lëndë të ndryshme kryesisht në fushën e financave publike, ekonomiksit të Integrimit Ekonomik Evropian etj. Në vitin 2011, mbroi gradën Shkencore “Doktor” në Universitetin e Tiranës me temë në fushën e pensioneve. Ai ka marrë pjesë në një sërë aktivitetesh akademike kombëtare dhe ndërkombëtarë në fushën e financave publike, pensioneve, korrupsionit dhe integrimit Evropian.

Emri i Dostit u bë i njohur sidomos në fund të tetorit dhe nëntorin e vitit të kaluar, kur në atë kohë, ish-zëvendësministri, Taulant Muka e denonconte publikisht së bashku me emra të tjerë për plagjiaturë. Fill pas këtij denoncimi, Mynyr Koni iu drejtua me një letër Dekanit të Fakultetit të Ekonomisë, aty ku kishte mbrojtur punën e tij, Bernard Dosti. Në letër i kërkonte nisjen e procedurave verifikuese në drejtim të zëvendësit të tij për çështjen e plagjiaturës.

Kjo ishte molla e sherrit që doli në sipërfaqe mes Dekanit, Dhori Kule dhe Rektorit të UT, Mynyr Koni. Rektori Koni e bazonte kërkesën e tij mbi artikujt e publikuar në media pas denoncimit të Taulant Mukës. Kule e refuzoi kërkesën e Konit dhe e akuzonte atë për gjueti shtrigash duke u bazuar në shpifje.

“Kushdo që e lexon artikullin, që përmend Z.Koni të adresuar në këtë shkresë, sikur edhe klasën e parë të shkollë fillore të ketë përfunduar, e kupton se “akuza” për plagjiaturë ndaj prof. Bernard Dostit, zv.rektor i UT dhe një personalitet me integritet të plotë moral e profesional, nuk është gjë tjetër veçse një shpifje e rëndomte, të cilën me të drejtë prof. Dosti nuk denjoi ta merrte në konsideratë”, i përgjigjej Kule.

Vetë Muka u është rikthyer akuzave për plagjiaturë ndaj Bernard Dostit dhe emërimin e tij në krye të Universitetit të Tiranës e interpreton si standardin që kërkon kjo Qeveri.

https://www.facebook.com/Taulant.Muka/posts/10214757339862923

Në këtë debat është përfshirë edhe opozita. Luçiano Boçi akuzoi ministren për shkelje të rënda ligjore, por jo me vendimin për pezullimin e Mynyr Konit, por me vendimin për zëvendësimin e tij me Bernard Dostin. PD e cilëson këtë akt kapje të universitetit nga Qeveria.

“Në një akt të paprecedent antikushtetues dhe antiligjor, Ministrja e Arsimit, Shahini pezullon e shkarkon, Rektorin e UT. Në të njëjtin urdhër bakalli ka komanduar Rektorin e ri. Nenet që i referohet urdhëri, nuk i japin asaj tagër ligjor për të dy vendimet. Por siç duket Ministrja ka shumë probleme me kuptimin e shqipes. I duket vetja Shullazja e Qeverisë. Sipas nenit 39, pika 10, të cituar në Urdhër, Ministrja i propozon shkarkimin e Rektorit, Presidentit, në rast mosshprehje nga ana e tij, për një muaj shpall zgjedhjet. Këtë e thotë neni 39/10, troç e shqip shqip. Pra, Ligji nuk parashikon asnjë komandim dhe asnjë ekzekutim shkarkimi, pa fjalën e Presidentit. Por Shahini ecën në gjurmët e urdhërat e Ramës, e të dy përfitojnë nga mungesa e Gjykatës Kushtetuese”, thotë Luçiano Boçi.

Dhori Kule ka qenë ndër drejtuesit e parë të universiteve që kanë qortuar Rektorin Mynyr Koni, që u zgjodh në këtë post edhe me mbështetjen e tij, pas një procesi, ku tentoi të përfshihej edhe Emiljano Shullazi. Ky i fundit u akuzua nga Mynyr Koni se e kishte kërcënuar për t’u tërhequr nga gara për Rektor.

Për këtë u raportua në atë kohë se Dhori Kule ishte kërcënuar nga grupi i Emiljano Shullazit, që të mos mbështeste Mynyr Konin në garën për postin Rektor të Universitetit. “M’u afruan me makinë afër Rektoratit dhe më thanë mos e mbështet Mynyr Konin. Pastaj u larguan. Unë nuk i njihja personat që më kërcënuan dhe nuk bëra menjëherë kallëzim”, deklaronte ai në dëshminë e dhënë në Prokurori pas nisjes së hetimeve ndaj Emiljano Shullazit për kërcënimin e Mynyr Konit.

Sot, Dekani i Fakultetit të Ekonomikut e akuzon Konin për keqmenaxhim, tejkalim kompetencash dhe bllokim të aktiviteteve universitare. Së bashku me disa dekanë të tjerë, përfshirë këtu edhe atë të Juridikut, Artan Hoxha, Kule është shfaqur jo rrallë në takimet e zhvilluara nga Kryeministri Edi Rama me studentët, pas protestës së dhjetorit të vitit të kaluar.

Vendimin e Ministrisë së Arsimit, Kule dhe Hoxha e përshëndetën, duke e cilësuar hapin e duhur në drejtim të zhbllokimit të situatës dhe avancimit të kërkesave të studentëve që dolën në pah pas protestës së fundit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë