Lajme

Rama sulmon rektorin Koni: Është më rehat se çdo mbret!

Në një bashkëbisedim me studentët për “Paktin për Universitetin” kryeministri Rama ka rinisur sulmet ndaj ndaj rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni.

Pothuajse si në çdo dalje në media gjatë protestave studentore, Rama shigjetoi Konin si fajtor për gangrenat që mbajnë peng jetën universitare dhe problemet e krijuara.

“Ai nuk është mbret. Është një person si të gjithë të tjerët”, tha një studente e Fakultetit të Ekonomisë. “Nuk është mbret, por është më rehat se çdo mbret”, iu përgjigj Rama.

“Unë besoj personalisht, që ligji aktual i arsimit të lartë, fuqia që ligji i jep të gjitha strukturave të tjera, janë të mjaftueshme pa llogaritur fuqinë që ka çdo student që e patë vetë kur bëheni bashkë që rektori reagoi brenda 24 orësh. Kjo është rruga më e shëndetshme dhe do të vendosë një standard tjetër sjelljeje të rektorit dhe rektoratit me gjithë pjesën tjetër”, shtoi shefi i qeverisë.

Rama vazhdoi më tej duke thënë se edhe pas “fikjes” së protestës, i vetmi që nuk e ka marrë vesh dhe “rrezik akoma nuk e di”, është rektori.

“Kjo është pikëpyetje në radhë të parë për ju si studentë. Rektorin e keni aty, më afër se Ministria. Sidoqoftë nuk është për të shmangur përgjegjësinë, por për të shpjeguar dhe ilustruar që autonomia është edhe përgjegjshmëria juaj, - theksoi kryeministri. - Rektorin e UT e keni zgjedhur ju, nuk e kemi zgjedhur ne dhe ka detyrimin të përgjigjet para zgjedhësve të vet, por ka dhe fatin që zgjedhësit e vet kur duhet të përgjigjet ai nisen për te ministria dhe ai rri atje. E them për herë të tretë, më vjen keq që flas kështu, por s'ka mënyrë tjetër për të folur”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë