Politike

PS pranon Metën për Kodin Penal, por për Pronat e OFL e rrëzon

Mazhoranca ka ndërhyrë dhe ka zbutur ndëshkimet e parashikuara në ndryshimet e Kodit Penal për personat që shkelin karantinën, duke reflektuar në draftin final të votuar në Parlament vërejtjet e bëra nga Presidenti Ilir Meta.

Kreu i grupit parlamentar, Taulant Balla tha se për këto ndryshime ka edhe dakordësinë e deputetëve të opozitës parlamentare.

Nenet që do të shtohen në Kodin Penal janë bërë më precize, ndërkohë që është përgjysmuar edhe parashikimi i ndëshkimit me burg, nga 15 vite që ishin në draftin fillestar në 8 vite sipas draftit të dakordësuar.

Kështu, sipas propozimeve finale, përhapja me dashje e sëmundjes infektive, përmes kryerjes së veprimeve, apo mosveprimeve dënohet me burg nga 2 deri në 5 vjet, kur është kryer nga pakujdesia dënohet me gjobë ose me burg deri në 2 vite. Kur kjo vepër kur ka shkaktuar pasoja të rënda për shëndetin, deri në humbje jetë dënohet nga 3 deri në 8 vite.

Ndërkohë, për shkeljen e karantinës parashikimi i vetëm është masa administrative, ndërsa kur kjo shkelje kryhet nga një person që më parë ka marrë një masë administrative përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë, ose burg deri në 6 muaj. E njëjta vepër, kur kryhet nga tregtarët ndëshkohet me 2 vite burg.

Pjesë e ndryshimeve është bërë edhe parashikimi, sipas të cilit persona, për të cilët autoritetet kanë marrë një vendim karantinimi shkelin këtë vendim, pavarësisht nëse janë bartës apo jo të virusit, dënohen me 2 deri në 3 vite burg.

Në përfundim të seancës, Kryeministri Edi Rama doli para mediave, ku zbuloi se sekreti i gjetjes së gjuhës së përbashkët me Presidentin për ndryshimet në Kodin Penal fshihej pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, të zhvilluar online një ditë më parë.

“Unë mendoj që sot është bërë një punë e mirë në funksion të situatës, përtej të gjitha fjalëve, kritikave, akuzave, ne sot kemi mbushur një boshllëk të kodit tonë penal që rezultonte i vetmi në Europë pa asgjë të shkruar për një situatë epidemie, dhe për më tepër në këtë fazë ku ne po përgatitemi të hyjmë në procesin e një hapje graduale të aktivitetit ekonomik dhe të normalizimit sa është e mundur të jetës. Ishte e pamundur të konceptohej që paralelisht të mos kishim edhe këto masa që të garantojnë hapjen. Se ajo që kemi vënë re 10 ditët e fundit, një shqetësim i ardhur edhe nga drejtuesit e policisë, është një lloj relaksimi dhe një lloj lëshimi që nuk mund të kthehet në fenomen se është shumë i rrezikshëm”, u shpreh Kryeministri.

Rama konfirmoi se në këtë mbledhje nuk kanë munguar debatet, por tha se diskutimet kanë qenë konstruktive dhe me tone bashkëpunuese mes palëve.

“Po të mos të kishte debate atëherë pse u bë mbledhja?! Se nuk u mblodhëm për t’u parë në sy dhe për të buzëqeshur pa folur me njëri-tjetrin. U mblodhëm për të shkëmbyer opinione që natyrshëm nuk janë të njëjta. E rëndësishme është cilësia e debatit dhe mënyra se edhe kur nuk biem dakord , shkëmbejmë me njëri-tjetrin. Nëse toni dhe shkëmbimi i mendimeve të kundërta, dhe pozicionimi kundër i natyrshëm do të ishte edhe në jetën politike publike, do të ishte si në dy mbledhjet e fundit të këshillit të sigurisë kombëtare, politika do të ishte shumë më e pranueshme dhe e besueshme për njerëzit”, u shpreh Kryeministri.

Por, nëse në Kodin Penal u reflektuan vërejtjet e Presidentit Ilir Meta, dy dekretet e tij për rikthimin për shqyrtim në Kuvend të ligjit për titujt e pronësisë dhe për funksionimin e “Operacionit Forca e Ligjit” u rrëzuan.

Në përfundim të seancës, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi lexoi rezultatet e votimit, ku u miratuan të gjitha aktet normative me fuqinë e ligjit të ndërmarra nga Qeveria në kuadër të masave për mbrojtjen nga Covid-19, si dhe ndryshimi i rregullores që i mundëson Kuvendit të mblidhet dhe votojë në vazhdim edhe në seanca plenare online.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë