Politike

Meta kthen ligjin e Pronësisë

Nuk ka "paqe" institucionale as në kohë epidemie mes mazhorancës dhe Presidentit. U duk se periudha e luftës ndaj koronavirusit mund të sheshonte disi përplasjet mes socialistëve dhe Presidentit, por miratimi i ligjeve të veçanta nga Parlamenti për çështjet e pronësisë ka shërbyer për rikthimin dhe një herë të përplasjeve.
Presidenca njofton se kreu i shtetit ka vendosur të rikthejë për rishqyrtim ligjin “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, pasi disa nene të këtij ligji duhen rishikuar nga Kuvendi i Shqipërisë, pasi përmbajtja e tyre në formulimin aktual: cenon parimin e sigurisë juridike; bie ndesh me dispozita kushtetuese; rrezikon të krijojë tension kushtetues; si dhe nuk është në harmoni me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese.
Neni 24 i ligjit, i përfshirë brenda kreut të ligjit që rregullon procesin e legalizimit të objekteve informale, ka një problematikë të theksuar sipas Presidenës lidhur me përputhshmërinë me parashikimet kushtetuese sa i takon respektimit të së drejtave të pronësisë dhe dëmshpërblimin e drejtë në rast shpronësimi. Ky nen që parashikon procedurat e kompensimit të pronarëve të trojeve të zëna që kompesohen, nuk jep asnjë afat garancie për shpërblimin e pronarit, prona e të cilit është e zënë nga një ndërtim informal që u nënshtrohet procedurave dhe legalizohet. (LEXO ARGUMENTET E PLOTA)
Është e nevojshme që për këtë çështje Kuvendi të ketë një vullnet të shprehur të qartë, për të caktuar një afat me ligj se kur do të përfundojë procesi i kompensimit financiar i pronarëve, prona e të cilëve shpronësohet për efekt të procesit të legalizimit. Për këto arsye, neni 24 cenon parimin e sigurisë juridike dhe barazisë përpara ligjit dhe duhet rishikuar nga Kuvendi i Shqipërisë", thuhet në argmentin e presidentit.
Ndërsa neni 33 shihet me pasoja të mëdha sociale që pritet të shkaktojë me zbatimin e tij. Neni 33, pika 2 e ligjit i jep Këshillit të Ministrave, nuk përmbush kërkesat dhe kriteret e nenit 118, paragrafi 2 i Kushtetutës që përcakton se: Ligji duhet të autorizojë nxjerrjen e akteve nënligjore, të përcaktojë organin kompetent, çështjet që duhen rregulluar, si dhe parimet në bazë të të cilave nxirren këto akte. " Kjo normë e paqartë dhe vetëm deklarative, lë shteg që në të ardhmen të krijohen sërish pasoja të rënda sociale apo konflikte të strukturave shtetërore me qytetarët, siç ka ndodhur në rastin e zgjatimit të bulevardit “Zogu I”, “Unazën e Madhe”, “Pallatin me Shigjeta”, rrethrrotullimin “Shqiponja” apo investime të tjera infrastrukturore që kanë prekur ndërtime informale të palegalizuara, ku konflikti i forcave të rendit me qytetarët ka krijuar jo pak pasoja të rënda dhe për një kohë të gjatë", thuhet në relacionin e dërguar Parlamentit.
Në total presidenti kërkon rishikimin e 13 nene të këtij ligji. " Afati për përfundimin e proceseve kalimtare, sipas këtij ligji, i parashikuar sipas nenit 82 të përfundojnë më 31 dhjetor 2028, është shumë i gjatë. Për përcaktimin e këtij afati, nuk është dhënë asnjë argument që mbështet nevojën e kësaj shtrirjeje kohore. Për arsyet e sipërcituara, Presidenti i Republikës i kërkon Kuvendit mirëkuptimin për të rishikuar edhe një herë nenet 12, 24, 33, 48, 49, 59, 60, 65, 68, 69, 71, 78 dhe 82 të ligjit nr. 20/2020 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, me qëllim përmirësimin e këtij ligji", thuhet në relacionin e firmosur nga presidenti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë