Politike

Meta: Pse s’dekretova Anti-KCK

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka publikuar të plotë arsyet se pse ai nuk dekretoi aktin normativ të qeverisë për operacionin “Forca e Ligjit”. Sipas kreut të shtetit, lufta ndaj kriminalitetit në vend është detyrim i përhershëm i qeverisë. “Ndërsa mekanizmat për gjurmimin dhe pengimin e përdorimit të burimeve të ardhura nga krimi, - vijon Meta, - janë përcaktuar në legjislacionin në fuqi që duhet të zbatohet nga organet e ngarkuara me ligj”. Meta nënvizon se,  “lufta kundër krimit të organizuar, organizatave dhe grupeve të strukturuara kriminale, si dhe çdo grupi tjetër kriminal, bandave të armatosura, individëve të përfshirë në krimet e rënda, siç citohet në nenin 2 të aktit normativ, nuk mund të jetë një qëllim i përkohshëm, që kërkon masa të përkohshme”. Në këndvështrimin e kreut të shtetit, “masat e përkohshme janë të justifikuara kur pranohet gjerësisht se gjendja është aq alarmante sa nuk mund të përballohet më me legjislacionin aktual dhe se kërkon patjetër ndërhyrje dhe masa të jashtëzakonshme”. “Përkundrazi, nevoja për konsolidimin e sigurisë në vend, kërkon masa dhe politika afatgjata, të cilat u vlerësuan në mënyrë të thelluar kur legjislacioni u amendua në kuadër të reformës në sistemin e drjtësisë, në vitin 2017”, thuhet ndër radhë.

Foto e nje prej operacioneve 'Forca e Ligjit' ne Shijak

Shkeljet që rendit Presidenti:

Tejkalon kompetencat kushtetuese të Këshillit të Ministrave;

Shkel parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve;

Shkel njëherazi disa të drejta dhe liri themelore të njeriut, si e drejta e pronës private, e drejta për një proces të rregullt gjyqësor, apo prezumimi i pafajësisë;

Shkel hierarkinë e akteve të përcaktuar në nenin 116 të Kushtetutës;

Bie ndesh me parime të rëndësishme që qëndrojnë në themelet e shtetit të së drejtës të përcaktuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese;

Shkel parashikimet kushtetuese mbi funksionimin e pavarur të Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar;

Bie ndesh me parashikimet e Kodit të Procedurës Penale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë