Rend dhe Ligj

Zbulohet një bazë e grupeve kriminale në Fushë Kuqe, sekuestrohet tritol, targa e motorë të vjedhur

Gazeta Si - Një bazë që shërbente për furnizimin me mjete për grupet kriminale, me qëllim kryerjen e krimeve të rënda kundër personit, është zbuluar në Fushë Kuqe.

Në kuadër të operacionit të koduar “Sundimi i ligjit”, policia e Lezhës ka zbuluar një ambient ku mbaheshin një sërë mjetesh dhe sendesh që do t’iu shërbenin grupeve kriminale.

Në fshatin Gorre, njësia administrative Fushë Kuqe, Policia Kriminale e Lezhës dhe forcat e FNSH-së Shkodër, kanë kryer kontrolle në një banesë të vjetër në pronësi të shtetasit Aleks Lulashi.

Sipas burimeve, policia ra në gjurmët e 40-vjeçarit, pasi nga hetimet ka dalë se disa nga mjetet e përdorura në ngjarjet e fundit kriminale kishin lëvizur në atë zonë. Janë bërë hetime dhe ka rezultuar se Lulashi merrej me blerjen dhe shitjen e mjeteve.

Shtëpia ishte e veçuar dhe brenda u gjetën mjete që kishin ndërhyrje në numrin e shasisë që dëmtojnë të dhënat e mjetit për të mos i identifikuar, si edhe ndërhyrje në numrin e motorit. Tre motora janë të fuqi të mëdha për shpejtësi, ndërsa nuk kanë asnjë dokument dhe asnjë numër.

Nga kontrollet në brendësi dhe përreth saj, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale:

-1 automjet tip “Mazda”, me ndërhyrje dhe me dëmtime në strukturën e tij, për të pamundësuar përcaktimin e të dhënave të automjetit;

-5 motomjete me fuqi të lartë motorike, të dyshuar të vjedhur;

-4 palë targa, për automjete dhe motomjete, të dyshuara të vjedhura në qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe në Kosovë;

-400 gramë lëndë e dyshuar eksplozive, me fitil zjarr-përcjellës, e gatshme për shpërthim;

-Kapuçë si maska, doreza dhe skafandra motomjetesh, veshje për kamuflazh, si dhe një sërë sendesh të tjera që do t’i shërbenin kryerjes së ngjarjeve të rënda kriminale.

Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u arrestua në flagrancë pronari i banesës, shtetasi Aleks Lulashi, 40 vjeç, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje”, “Trafikim i mjeteve motorike”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Vjedhja”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë