Shendet

Zbulohen aktivitetet më të mira për të shmangur demencën

Mënyra më e mirë për të mbrojtur veten kundër demencës është të mbani trurin tuaj të stimuluar.

Njerëzit që lexojnë rregullisht libra, luajnë instrumente muzikore ose mbajnë një ditar personal kanë një rrezik 23 për qind më të ulët për të zhvilluar këtë gjendje.

Analiza e dhjetëra studimeve që përfshinin 2 milionë njerëz të moshës së mesme dhe të moshuar zbuloi gjithashtu se aktiviteti fizik ishte gjëja tjetër më e mirë për të mbrojtur trurin.

Të luajturit rregullisht sporte, joga ose të kërcesh u zbulua se kishin një efekt mbrojtës prej 17 për qind.

Dhe njerëzit me një jetë sociale të gjallë duket se kanë një rrezik 7 për qind më të ulët të zhvillimit të demencës sesa personat që nuk kishin një jetë sociale.

Studiuesit thanë se anëtarësimi në një klub, vullnetarizmi, kalimi i kohës me miqtë dhe familjet ose shkuarja në ngjarje fetare, të gjitha kishin një efekt pozitiv.

Autori kryesor Profesor Lin Lu, nga Universiteti i Pekinit tha se kjo analizë tregon se të qenit aktiv ka përfitime dhe ka shumë aktivitete që janë të lehta për t'u përfshirë në jetën e përditshme që mund të jenë të dobishme për trurin.

Shifrat e njerëzve që vuajnë nga demencia janë gjithmonë e në rritje. Nuk ka kurë për sëmundjen, që do të thotë se mjekët mund të përshkruajnë vetëm ilacce që pakësojnë simptomat e saj.

Mjekët rekomandojnë një dietë të ekuilibruar dhe stërvitje të rregullt, me prova që tregojnë se të dyja mund të mbrojnë kundër demencës.

Analiza përfshiu një rishikim të 38 studimeve nga e gjithë bota që përfshinin 2.1 milion njerëz që nuk kishin demencë.

Ata ishin të moshës 45 deri në 93 vjeç në fillim të studimit.

Më pas, pjesëmarrësit u monitoruan nga tre deri në 30 vjet. Gjatë periudhës së studimit, 74,700 njerëz zhvilluan demencë.

Aktivitetet e kohës së lirë përkufizoheshin si ato në të cilat njerëzit angazhoheshin për kënaqësi ose mirëqenie.

Ato ndaheshin në aktivitete mendore, fizike dhe sociale.

Aktivitetet mendore përfshinin leximin ose shkrimin për kënaqësi, shikimin e televizorit, dëgjimin e radios, luajtjen e lojërave ose instrumenteve muzikore, përdorimin e kompjuterit dhe krijimin e gjërave.

Studiuesit thanë se këto hobi ndihmojnë në ruajtjen dhe përmirësimin e kujtesës, shpejtësinë e përpunimit, aftësitë e të menduarit dhe arsyetimit, duke parandaluar përkeqësimin mendor.

Por ata thanë se gjetjet në shikimin e televizorit ishin ende jokonkluzive. Studimet e mëparshme kanë treguar se njerëzit kanë më shumë gjasa të zhvillojnë sëmundjen nëse shikojnë shumë televizor, sepse mendja e tyre fiket për periudha të gjata.

Aktivitetet fizike në studime përfshinin ecjen, vrapimin, notin, biçikletën, përdorimin e makinerive stërvitore, lojërat sportive, jogën dhe kërcimin.

Ushtrimi është treguar se mban zemrën të shëndetshme dhe gjakun të qarkullojë normalisht.

Problemet e zemrës mund të rrisin rrezikun e demencës duke ndërprerë qarkullimin e gjakut në tru dhe duke përshpejtuar vdekjen e qelizave.

Pjesëmarrja në një klasë, anëtarësimi në një klub social, vullnetarizmi, vizita me të afërmit ose miqtë, ose ndjekja e aktiviteteve fetare ishin ndër aktivitetet sociale më të njohura në analizë.

Studiuesit besojnë se kalimi i kohës me të tjerët mund të mbrojë trurin duke rritur kontaktin social dhe stimulimin emocional, ndërsa zvogëlon rrezikun e depresionit dhe stresit, dy faktorë rreziku për demencën.

Profesor Lu, neuroshkencëtar tha se studimet e mëparshme kanë treguar se aktivitetet e kohës së lirë ishin të lidhura me përfitime të ndryshme shëndetësore, të tilla si një rrezik më i ulët i kancerit, një reduktim i fibrilacionit atrial dhe perceptimi i një personi për mirëqenien e tij.

“Hulumtimi ynë zbuloi se aktivitetet e kohës së lirë si të luajturit sport ose vullnetarizmi ishin të lidhura me një rrezik të reduktuar të demencës”.

Ai tha se studimet e ardhshme duhet të përfshijnë një grup më të madh njerëzish dhe të monitorojnë pjesëmarrësit për më gjatë për të 'zbuluar më shumë lidhje midis aktiviteteve të kohës së lirë dhe demencës'.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë