Rend dhe Ligj

Zaganjori i reziston vettingut me prova të reja: Ndonjëherë kalohen caqet

Beteja e kreut të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjoir me vettingun në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vijon ende. Në seancën e fundit, atë të zhvilluar më 25 qershor, Komisioneri Publik dorëzoi para trupës prej pesë gjyqtarësh dokumentacione të reja, duke e shtyrë vendimmarrjen e këtij institucioni.

KPA kërkoi kohë për t’u njohur me këtë informacion dhe caktoi datën 10 korrik për seancën e radhës. Seanca u zhvillua këtë të mërkurë dhe këtë herë ishte vetë subjekti i rivlerësimit, Xhezair Zaganjori ai që tha se dorëzoi dokumentacione të reja për pasurinë e tij.

“Si në seancën e datës 25, edhe sot rreth të njëjtave argumente sillen pyetjet dhe përgjigjet. Sot paraqita 10 dokumente të reja krahas atyre 23 që paraqita herën e fundit. Trupa gjykuese u tërhoq për të vlerësuar marrjen, ose jo në shqyrtim të dokumentacionit që dorëzova”, tha Zaganjori.

Kolegji i pranoi si prova të reja dokumentacionet e dorëzuara nga Zaganjori dhe vendosi që më 17 korrik të mbajë seancën e radhës me vendimin përfundimtar sa i takon fatit të kreut të Gjykatës së Lartë në sistemin e drejtësisë.

Zaganjori e kaloi vettingun në shkallën e parë. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit gjeti disa mospërputhje të shifrave të ofruara prej gjyqtarit përsa i takon pasurisë së vënë prej tij ndër vite, por vlerësoi në fund se mospërputhjet nuk ishin në përmasa të atilla sa për ta shkarkuar atë. Por, vendimi u apelua nga ana e Komisionerit Publik sipas këshillimit të përfaqësuesit ndërkombëtar të ONM-së.

Tani, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, Xhezair Zaganjorit i duhet si askush tjetër në këtë proces, që të arsyetojë burimin e të ardhurave dhe disa transaksione që shkojnë deri në disa dekada më parë.

“Unë përpiqem të bëj më të mirën për të gjetur këto dokumente, por ndonjëherë kalohen caqet. Përpiqem që të bëjë më të mirën për të gjetur këto dokumente, megjithatë brenda mundësive bëj më të mirën se bëhet fjalë për dokumente të 1995-1997. Se sa do të merren parasysh këto dokumente, kjo varet nga vlerësimi që do të bëjë KPA”, iu përgjigj ai gazetarëve pas pyetjes nëse i dukej normale t’i kërkohej dokumentacion të vitit 1992, apo 1960 për pasurinë.

Nga hetimi i thelluar i deklaratave të pasurisë ndër vite të gjyqtarit me një karrierë në majat e sistemit të drejtësisë shqiptare, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk gjeti asnjë problem nga kontrolli aritmetik dhe logjik.

Ajo që u vlerësua e paqartë për KPK është marrëdhënia e gjyqtarit me një kompani në fushën e ndërtimit, ku ka investuar në 2008 një shumë prej 35 mijë eurosh.

“Në 2008 subjekti ka deklaruar investim në shoqërinë “2E Construction” në vlerën e 35 mijë eurove dhe 1.2 mln lekëve. Në vitin 2017, subjekti deklaron se i është kthyer shuma prej 1 mln lekë, e cila ishte paguar për marrjen e një apartamenti. Deri më dhjetor të 2017, investimi në këtë shoqëri mbetet në vlerën e 32.7 mln lekëve, por është e paqartë marrëdhënia kontraktuale mes tyre”, thotë KPK.

Gjyqtari Xhezair Zaganjori para trupes se KPK

Zaganjori u mbrojt duke dorëzuar kontratën me kompaninë në fjalë. Një tjetër mospërputhje e vërejtur lidhej me një dyqan me sipërfaqe 70 metra katrorë. Gjyqtari ka deklaruar se e ka blerë për 1.4 milionë lekë me të ardhura nga familja dhe qiratë. Në deklaratën fillestare e ka deklaruar si bibliotekë.

Sipas KPK, ai kishte shmangur detyrimet tatimore ndaj shtetit, duke gënjyer për vlerën e pronave. KPK tha se deklaratat e Zaganjorit për pasuritë ishin kontradiktore, pasi vlera e pronës së regjistruar në hipotekë, nuk korrespondonte me atë reale. Por, kreu i Gjykatës së Lartë i hodhi poshtë pretendimet për pasaktësi në deklarimin e pasurisë, duke sqaruar se regjistrimi i Bibliotekës është bërë në 2001-shin, por fitimi i pronësisë së saj është bërë në 1997-ën.

KPK gjeti shkelje edhe në deklarimin e një bodrumi me sipërfaqe 65 metra katrorë të blerë për 800 mijë lekë, të ardhura familjare dhe qira. Sipas deklarimeve rezulton se vlera e kësaj pasurie është 500 mijë lekë, bazuar kjo në kontratën e shitjes. Për këtë pasuri është paguar sipas vlerës së kontratës dhe jo vlerës reale të pasurisë, duke ngritur dyshimet për shmangie të detyrimeve tatimore.

Kush është Zaganjori?

Xhezair Zaganjori lindi më 9 mars 1957, në Shkodër. Ai u diplomua në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1981. Që nga kjo kohë ai ka qenë lektor i së Drejtës Ndërkombëtare Publike, i të Drejtës Europiane dhe i të Drejtave të Njeriut në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, në Shkollën e Magjistraturës dhe në Shkollën e Studimeve Europiane, Tiranë.

Pas rënies së regjimit u emëruar ambasador i Shqipërisë në Gjermani, post që e mbajti deri në vitin 1997. Në vitet 1998-1999 ka kontribuar si bashkëpunëtor shkencor pranë Institutit Max-Planck, në Gjermani për të Drejtën Ndërkombëtare dhe të Drejtën Kushtetuese.

Që prej vitit 2001, është anëtar i Gjykatës së Pajtimit dhe Arbitrazhit pranë OSBE-së me seli në Vjenë. vitin 2003 emërohet anëtar në Gjykatën Kushtetuese. Në fund të majit të vitit 2012, kur ishte ende në detyrën e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese u përzgjodh nga Partia Demokratike si një emër konsensual për President të Republikës për të pasuar në këtë post Bamir Topin.

Megjithatë, emri i tij nuk mori mbështetjen e opozitës në atë kohë dhe në raundin e tretë të votimit u tërhoq nga gara.

“Nuk pranoj që të jem kandidat për raundin e katërt. Për mua ka shumë rëndësi fakti, që opozita nuk ka besim tek unë dhe do të paragjykohet çdo vendimmarrje e imja. Në këto kushte paragjykimi unë deklaroj me bindje të plota tërheqjen. Unë falenderoj ata që më propozuan, do të uroja që ky proces të mbyllej dhe të zgjidhej një kandidat i përshtatshëm”, deklaronte ai pas tërheqjes nga gara, që i hapi rrugë zgjedhjes më pas me shumicë të thjeshtë të Bujar Nishanit.

Qëndroi në detyrën e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese deri në fillim të 2013. Në mars të atij viti u emërua fillimisht anëtar i Gjykatës së Lartë dhe më pas kryetar i saj nga Presidenti i asaj kohe, Bujar Nishani.

Pas ardhjes së socialistëve në pushtet dhe nisjes së punës për reformën në drejtësi ishte një prej anëtarëve më të zëshëm të sistemit që bënte thirrje për realizimin e saj. Sot, ende me pozicionin e kryetarit të Gjykatës së Lartë mbi supe doli në seancë e radhës para KPA, që i rrezikon karrierën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë