Ne rrjet

Vula Apostile, ia kërkonim Greqisë prej vitesh, por s’ia heqim Kosovës

Lajmi se Greqia hoqi vulat apostile për emigrantët shqiptarë në shkurt të vitit 2019, u konsiderua si një arritje e madhe diplomatike. Shtetasit shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi tashmë do të kenë disa euro më shumë në xhep dhe më pak “sorrollatje”, në zyrat e shtetit Helen, pasi vendimi për të hequr vulën apostile i kursen çdo emigranti shqiptar minimalisht 30 euro për çdo dokument që i nevojitet. Por a keni menduar ndonjëherë se shumë pengesa burokratike dhe sorrollatje duhen kaluar për të studiuar, hapur një biznes, apo blerë një shtëpi në Prishtinë. Po për shqiptarët e Kosovës sa e vështirë është të zhvendosen në Tiranë?

Edhe pse i ka kërkuar prej vitesh Athinës zyrtare të heqë vulën apostile, vetë shteti shqiptar u kërkon vula apostile qytetarëve nga Kosova. Edhe pse shumica prej nesh nuk janë të informuar , shqiptarët e Kosovës duhet të ndërmarrin një rrugëtim të gjatë disavjeçar për t’u bërë shtetas të  Shqipërisë. Një investitor 56 vjeçar nga Prizreni, i cili nuk dëshiron të identifikohet, tregon për Gazetën Si, kalvarin e gjatë nëpër të cilit i është dashur të kalojë, për të regjistruar biznesin e tij  në Tiranë. Fillimisht ai aplikoi në presidencë për shtetësinë shqiptare dhe mori më pas ambientin  me qira për magazinimin e produkte që ofron në tregun shqiptar. Megjithatë, rruga që e priste do të ishte shumë më e gjatë nga sa kishte parashikuar. Për marrjen e nënshtetësisë shqiptare, 56 vjeçarit iu kërkuan:

- Çertifikata e lindjes, me vulë Apostile

-Kontrata e qirasë së banesës dhe biznesit në Republikën e Shqipërisë

-Dëshmi penaliteti e marrë nga organet gjyqësore në Kosovë, me vulë Apostile

-Vërtetim nga Zyra e Tatimeve si i vetëpunësuar.

-Dokumenta që vërtetojnë se disponon mjete financiare të mjaftueshme për jetesë, si garanci bankare, librezë kursimi, vërtetime zyrtare të ardhurash, të gjitha me vule Apostile.

-Çertifikatë martese, me vulë Apostile

Sikur mos të mjaftonin dokumentet e mësipërme, autoritetet shqiptare i kërkuan të paraqiste edhe një numër llogarie, të cilin duhet ta hapte në të njëjtin sportel të të njëjtës bankë në Tiranë. Edhe pse tani kalvari i tij ka marrë fund, 56 vjeçari vazhdon të pyesë pse duhen kaq shumë dokumente për t’u bërë shtetas i Shqipërisë? Edhe pse Tirana dhe Prishtina zyrtare deklarojnë vazhdimisht se po bëjnë të pamundurën për thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, askush nuk ka një përgjigje për pyetjen e tij.  Në kushtet kur turistët nga Kosova sorollaten lart e poshtë për të blerë një shtëpi në bregdetin shqiptar, apo kur studentëve u duhet të presin vulën Apostille për t’u regjistruar në universitetet e vendit tonë, na vjen natyrshëm të pyesim veten përse as Tirana dhe as Prishtina zyrtare nuk marrin masa konkrete për shembjen e këtyre pengesave të njëpasnjëshme burokratike?

Silvana Leksaj, koordinatore e diplomacisë ekonomike në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, thotë për Gazetën Si se pengesat diplomatike si vula Apostile, pritet të diskutohen në mbledhjen e ardhshme të qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë. Ndërkohë, përfaqësues të Postës së Shqipërisë shprehen për gazetën se nuk mund të japin shifra zyrtare për numrin e përgjithshëm të dokumenteve të legalizuara për përdorimin e tyre në Kosovë, por theksojnë se zakonisht më të interesuarit janë studentët dhe investitorët. Sipas tyre, qytetarët kërkojnë zakonisht legalizimin e dëshmive të penalitetit, certifikatave dhe diplomave. Duke shpjeguar procedurat, përfaqësuesit theksojnë se qytetarët duhet të drejtohen në njërën nga Zyrat Postare, gjatë orareve zyrtare të zakonshme duke paraqitur dokumentet që duan të legalizojnë. Zyra Postare i kërkon qytetarit të plotësojë një formular i cili përmban të dhënat e tij personale dhe kontaktet telefonike. Ata duhet të presin minimumi 10 ditë për t’iu kthyer më pas dokumentet, të pajisura me vulën Apostile, të cilat i paraqesin më pas në institucionet përkatëse në Kosovë.

Por, çfarë është vula Apostile?

Vula Apostille është një mjet për legalizimin e dokumenteve, i cili ul ndjeshëm jo vetëm një pjesë të madhe të kostos së një legalizimi, por edhe burokracitë për kryerjen e këtij veprimi. Vula Apostile tashmë eviton detyrimin e qytetarit ta paraqesë këtë dokument edhe në Ambasadën përkatëse, që të njihet nga autoritetet në atë vend. Shqipëria ka regjimin me vulën Apostille me plotë 83 vendet anëtare, duke përfshirë të gjitha vendet e BE-së. Efekti financiar me regjimin e vulës Apostille do ulë në mënyrë drastike koston e dokumentave të kërkuar, nga 30 euro që paguan aktualisht  në vetëm 200 lekë të reja. Heqja e rezervës për Vulën Apostille, hap rrugën edhe për lëshimin e certifikatave, por lëshimi i tyre bëhet me marrëveshje ose në bazë të reciprocitetit.

Barrierat për forcimin e bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri

Idetë për një federatë të përbashkët ekonomike mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk janë të reja dhe herë pas here janë artikuluar nga udhëheqës politikë si i ndjeri, Arbën Xhaferri apo Behgjet Pacolli.

Nga ana tjetër, nën siglën “Një popull, një ëndërr”, qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë kanë mbajtur tre mbledhje të përbashkëta, duke diskutuar një sërë çështjes që përfshijnë të gjitha fushat e bashkëpunimit mes shqiptarëve të dy shteteve. Në mbledhjen e fundit, të mbajtur më 27 nëntor të vitit të kaluar, në Korçë, kryeministri Edi Rama deklaroi se tregtia mes dy shteteve është pesëfishuar, por sfida e dy qeverive mbetet rritja e shkëmbimeve tregtare edhe më tej. Ndërkohë, Kryeministri Ramush Haradinaj tha se viti i Skënderbeut përfaqëson ëndrrën euro-Atlantike të shqiptarëve dhe shprehu zotimin për thellimin e bashkëpunimit mes dy shteteve. Rama dhe Haradinaj nënshkruan rreth 12 marrëveshjeve bashkëpunimi, por edhe pse elitat politike në Kosovë dhe Shqipëri, flasin në të njëjtën kohë për bashkim shpirtëror dhe kulturor, perspektivë ekonomike të përbashkët dhe procese plotësuese në çështje të tjera, realiteti është krejtësisht i ndryshëm.

Tregtia e Shqipërisë më Kosovën ka nisur të tkurret edhe pa nisur të aplikohet taksa mbi rrugën e kombit. Sipas të dhënave të INSTAT në muajin mars eksportet drejt Kosovës ranë me 13.2 për qind. Po ashtu edhe importet ranë me 1.1 për qind. Në vitin 2018 eksportet në Kosovën shënuan 1.48 miliardë lekë nga 1.71 miliardë lekë që ishin më marsin e kaluar ose 225 milionë lekë më pak.

I vetmi shtet me të cilën Shqipëria ka suficit tregtar është Kosova. Eksportet drejt saj më 2017 ishin rreth 20 miliardë lekë, me një rritje 26% në krahasim me 2016. Por në raportin me totalin e eksporteve të Shqipërisë, ato zënë një peshë të vogël, vetëm 9% të totalit.   Kohët e fundit, zyrtarët e të dyja qeverive kanë deklaruar se procedurat e reja për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave midis Kosovës dhe Shqipërisë do të fillojnë së zbatuari nga janari i vitit të ardhshëm. Kryeministri Haradinaj, deklaroi gjatë një vizite që ka realizuar në fillim të këtij muaji në qytetin e Vlorës, se nga 1 janari i vitit 2019, do të hiqet dogana në mes dy shteteve”.Por kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë Radion Evropa e Lirë se dyshon që në muajin janar të arrihet liberalizimi ekonomik mes dy shteteve, pasi, sipas tij, ka ende paqartësi në procedurat kufitare.

 Përgjatë dy viteve të fundit, Shqipëria ka pësuar një rënie drastike të turistëve nga Kosova. Sipas statistikave të lëvizjeve të shtetasve të publikuar nga INSTAT-i, në vitin 2017 në Shqipëri hynë 1.7 milionë shqiptarë nga Kosova, me një rënie të ndjeshme prej 19 % në krahasim me një vit më parë. Për shumë analistë, kjo ishte në një protestë në heshtje e shqiptarëve të Kosovës, ndaj abuzimeve me çmimet, standardeve të munguara të cilësisë, infrastrukturës së rënduar, diskriminimit me lëvizjet e autobusëve, apo dhe rendjes drejt alternativave të tjera rajonale. 

Nga ana tjetër, prodhuesit nga Kosova kërkojnë më shumë hapësirë për t’i shitur produktet e tyre apo për të investuar në Shqipëri. Ata u shprehën për mediat në Prishtinë, disa muaj më parë, se në përgjithësi prodhuesit nga Shqipëria janë të hapur për tregti të lirë, por disa grupe të interesit po pengojnë forcimin e bashkëpunimit dy-palësh. Sipas Klubit të Prodhuesve të Prishtinës, patatja e Kosovës dhe disa produkte të tjera bujqësore janë bërë sinonim i barrierave tregtare të vëna nga pala shqiptare. Disa prej tyre theksojnë edhe problemet e sigurisë dhe infrastrukturës, e cila po bën që bizneset nga Kosova të ngurrojnë të tregtojnë produkte apo të investojnë në Shqipëri.

Por "shuplaka" më e madhe politike ndaj Prishtinës erdhi pas kërkesës së Presidentit Hashim Thaçi për pajisjen me pasaporta shqiptare të qytetarëve të Kosovës. Duke iu përgjigjur kësaj deklarate muaj më parë, Presidenti Ilir Meta tha se e ka parë si një apel për një zgjidhje sa më të shpejtë të çështjes së liberalizimit të vizave dhe jo si një alternativë reale. Madje sipas tij, kjo gjë do ishte e dëmshme për të dyja vendet.

Kryeministri Hamush Haradinaj dhe Edi Rama 

“E kam mirëkuptuar kërkesën publike të presidentit Thaçi si një apel për një zgjidhje sa më të shpejtë të çështjes së liberalizimit të vizave dhe jo si një alternativë reale për tejkalimin e këtij ngërçi apo izolimi të qytetarëve të Kosovës nga një proces ku janë përfshirë gjithë vendet e rajonit prej kohësh. Sepse jo vetëm që nuk është e drejtë që qytetarët e Kosovës të vazhdojnë të kenë kenë pengesë, por njëkohësisht besoj se marrja e shtetësisë shqiptare nuk do të ishte asnjë zgjidhje për të lehtësuar lëvizjen e tyre drejt vendeve të zonës Shengen për arsye se vetë Shqipëria është një vend i detyruar të tregojë kujdes të vazhdueshëm sa i takon gjithë detyrimeve që burojnë nga zbatimi i liberalizimit të vizave”, u shpreh Meta në një intervistë për Radion Europa e Lirë. “Pra, do të ishte një lëvizje joproduktive, një lëvizje joracionale dhe nga e cila jo vetëm që qytetarët e Kosovës që nuk do të përfitonin, por mund të dëmtoheshin edhe ata të Shqipërisë. Kështu që besoj se ky qëndrim është një mesazh për një sensibilizim më të madh edhe ndërkombëtar, besoj edhe evropian për t’i dhënë zgjedhje kësaj çështjeje, e cila sikurse e dimë është lidhur prej disa kohësh me një çështje tjetër që është ajo e zgjidhjes së demarkacionit me Malin e Zi”, shtoi Meta.

Kosova e ka parë Shqipërinë si ‘shtetin amë’ ndër dekada. Pas spastrimit etnik të Milosheviçit dhe mikpritjes nga Shqipëria të vëllezërve nga Kosova 20 vjet më parë, marrëdhëniet midis dy vendeve shënuan një tjeter moment. Një anketë e kryer nga Gallup në bashkëpunim me Fondin Europian për Ballkanin në vitin 2010 tregoi se 62 për qind e të anketuarve në Shqipëri dhe 81 për qind në Kosovë mbështesin formimin e Shqipërisë së Madhe. por politikanët e Tiranës dhe Prishtinës thonë se bashkimi i dy vendeve do të ndodhe në BE. 

Sipas Ilir Kalemajt, ekspertit të cështjeve entike dhe politikave nacionaliste, e ardhmja e përbashkët e Shqipërisë dhe Kosovës mbetet e lidhur ngushtë me axhendën botërore dhe europiane. “Nëse Kosova do të arrijë sovranitet të plotë duke fituar anëtarësim të plotë në Kombet e Bashkuara dhe organizatat tjera ndërkombëtare, perspektivat e saj ekonomike do të përmirësohen dhe marrëdhëniet me Shqipërinë do të përjetojnë një zhvillim të ri. Megjithatë, kufijtë nuk ka gjasa që të ndryshojnë, por konsolidimi i mëtejshëm i marrëdhënieve mes dy vendeve ashtu siç tregojnë edhe zhvillimet e kohëve të fundit, do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Mbetet një pyetje e hapur nëse këto marrëdhënie do të rezultojnë në një zonë të unifikuar ekonomike, një bashkim rajonal doganor apo vetëm në intensifikimin e marrëdhënieve ndërshtetërore”, thotë ai në një nga studim të publikuar së fundmi.  Por këto fusha të bashkëpunimit të ngushtë kanë qenë të mjaftueshme për nacionalistët në të dyja anët e kufijve, qofshin këta individë karizmatikë, parti politike apo grupe të lëvizjeve shoqërore", thotë ai.  Por këto fusha të bashkëpunimit të ngushtë nuk kanë qenë të mjaftueshme për nacionalistët në të dyja anët e kufijve, qofshin këta individë karizmatikë, parti politike apo grupe të lëvizjeve shoqërore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë