Analize

Vuçiç godet sërish Perëndimin, i thur lavde marksizmit kinez

“Nuk ka asnjë parti ose organizatë tjetër politike në botë që mund të arrijë atë që ka arritur partia komuniste kineze”. Kështu e nisi Presidenti serb Aleksandër Vuçiç fjalimin e tij në samitin e 100 vjetorit të Partisë së Komunitetit Kinez, duke shtuar se Beogradi dëshiron të vazhdojë forcimin e lidhjeve me Pekinin. Ai ishte ndër të paktët liderë të huaj që mori pjesë në këtë ceremoni historike.

"Në 100 vitet e kaluara, themeluesit e partisë komuniste kineze kanë pasur sukses në krijimin e një revolucioni ekonomik për popullin kinez," tha Vuçiç.

Sipas Vuçiç, kjo ka bërë  që 700 milion shtetas kinezë që po largohen nga varfëria pasi Kina arriti të transformohej nga një vend në zhvillim që merrte borxhe në një superfuqi ndërkombëtare në vetëm disa dekada.

“Përmes adaptimit racional dhe të mençur të mësimeve dhe praktikave të Marksizmit dhe duke hedhur bazat për praktikimin e socializmit, Mao Tse Tung, Jiang Zemin, Hu Jintao dhe ju shoku i dashur Xi Jinping kanë udhëhequr projektin më të madh të zhvillimit shoqëror dhe çrrënjosjes së varfërisë në historinë e njerëzimit, ”u shpreh presidenti serb, duke vazhduar t’i thurte lavde liderëve kinezë dhe sistemit  të tyre të qeverisjes.

Ashtu si ndikimi në rritje i Kinës në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe në veçanti në Serbi, as pjesëmarrja e presidentit në këtë ceremoni nuk ka mbetur pa u vënë re nga Perëndimi.

Duke folur në një konferencë virtuale me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor në 5 korrik, Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se është në interesin e Evropës të avancojë rrugën e rajonit në BE për "arsye gjeostrategjike".

Midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, përveç Malit të Zi, Serbia është vendi më i përparuar në bisedimet e BE, pasi ajo ka hapur negociatat e pranimit dhe kapitujt që nga 2014.

Në samitin e qershorit të NATO-s, udhëheqësit perëndimorë e cilësuan Kinën si një "sfidë" për herë të parë, duke nxitur reagimin e fortë të Pekinit.

Kina, e cila nuk e njeh Kosovën, ka investuar shumë në Serbi. Në fillimin e pandemisë ajo e shfaqi veten si shpëtimtare duke dërguar miliona maska ​​në Europë duke filluar me Serbinë. Vuçiç madje puthi flamurin kombëtar kinez në shenjë mirënjohje për mbështetjen në kohë të Kinës gjatë krizës shëndetësore.

“Solidariteti europian nuk ekziston. Kjo ishte një përrallë. Unë kam dërguar një letër të veçantë për të vetmit që mund të ndihmojnë, dhe kjo është Kina ", tha Vuçiq në 15 mars, ditën kur u shpall një gjendje e jashtëzakonshme në Serbi për shkak të koronavirusit. "Serbia tani i kthen sytë nga Kina," tha Vuçiç.

Kina po "blen" Serbinë

Teksa përpiqet të identifikojë mundësitë në këtë rajon plot me probleme, Pekini është më se i gatshëm të angazhohet ekonomikisht me Beogradin, i cili nuk i kundërshton “vendimet e udhëhequra nga shteti, me politizimin e investimeve, subvencioneve dhe vendimeve të kontratave, duke refuzuar dhe duke kundërshtuar në këtë mënyrë procedurat e hapura dhe transparente të modelit të BE-së. Që prej vitit 2017, të dyja shtetet kanë hequr vizat ndaj njëri-tjetrit dhe kanë rritur bashkëpunimin politik.

Tregtia midis Kinës dhe Serbisë u trefishua gjatë periudhës 2005-2019, në 3.6 miliardë dollarë, por marrëdhënia e këtyre shteteve me njëra-tjetrën është e pabalancuar. Kina eksporton 1 miliard dollarë mallra në Serbi, ndërsa Serbia eksporton 1 milion dollarë mallra në Kinë. Investimet kanë shënuar rritje, sepse qeveria e Beogradit është në gjendje të lëvizë shumë shpejt, duke qenë se ajo nuk është anëtare e BE-së.

Gjatë vizitës së Presidentit kinez Xi Jinping në Beograd në vitin 2016, Vuçiç tha me bindje se Kina do të hapte shumë vende pune në Serbi, do të përmirësonte standardet e jetesës dhe do të nxiste rritjen ekonomike të vendit. Po atë vit, grupi HBIS, një kompani kineze në pronësi të shtetit, bleu uzinën e çelikut të Smederevës kundrejt vlerës 46 milionë euro (55 milionë dollarë).

Kjo uzinë hapi rreth 5,200 vende të reja pune në Smederevo, në një qytet prej 100,000 banorësh i cili ka qenë i varur nga puna e kësaj uzine për dekada të tëra. Pronari i mëparshëm i saj, U.S. Steel, në vitin 2012 ia shiti atë qeverisë serbe kundrejt një vlere simbolike 1 dollar amerikan. Ndërmarrjet kineze po ndërtojnë në mënyrë aktive pjesë të rëndësishme të infrastrukturës.

Vuçiç shprehet ndryshe se “miqësia midis Kinës dhe Serbisë, është forcuar më shumë, për shkak të mbështetjes së Kinës ndaj Serbisë dhe qytetarëve të saj, në disa prej momenteve më të vështira të historisë së kombit tonë dhe ne i jemi mirënjohës këtij shteti që drejtohet nga Presidenti Xi Jinping”.

Situata e veçantë e Serbisë si një vend europian jashtë BE-së, me një të ardhme të pasigurt drejt anëtarësimit, ka bërë që Serbia të kërkojë mbështetjen e fuqive të tjera të mëdha.

Rusia është një prej tyre, por Kina po tregohet gjithnjë e më shumë aktive. Rritja e ndikimit të Kinës është një prej shqetësimeve më të mëdha të BE-së, duke përfshirë Berlinin, sepse këto të fundit mendojnë se Kina do të përdorë rajonin e Ballkanit për të hyrë në tregun e Europës, duke u përpjekur që të promovojë modelin e vet politik në vendet me qeverisje më të dobët, në krahasim me modelin e demokracisë liberale të BE-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë